Shkëmbimet tregtare agroushqimore me BE, Serbia kryeson në rajon

Bashkimi Europian ka publikuar raportin për shkëmbimet tregtare në sektorin agroushqimor, ku konfirmohet rritja e eksporteve të BE drejt vendeve të tjera jo anëtare. Partnerët kryesorë për eksportin e këtyre produkteve vijojnë të mbeten Shtetet e Bashkuara, Kina, Zvicra, Japonia dhe Rusia, ndërsa në import vendet kryesore të origjinës janë Brazili, SHBA, Argjentina dhe Kina. Sa i takon rajonit tonë, Serbia është partneri më rëndësishëm tregtar për BE në këtë sektor. Në vitin 2016, Bashkimi Europian importoi 1 miliard e 82 milionë euro në produkte agroushqimore nga Serbia dhe përfundoi me një deficit tregtar prej 169 milionë eurosh. Në veçanti gjatë vitit 2016, BE importoi fruta të freskëta dhe të thata (303 milionë euro), drithëra (107 milionë euro), sheqer (103 milionë euro) dhe vaj bimor (93 milionë euro). Mallrat, të cilët janë eksportuar në vlera më të mëdha drejt Serbisë janë përgatitësit e ushqimit, çokollatat dhe akulloret, mishi i derrit, si dhe makaronat, biskotat dhe buka. Në përgjithësi BE është më e orientuar tek eksporti i produkteve të përpunuara, ndërsa natyra kryesore e importeve janë produkte bazë. Krahasuar me vendin tonë Serbia renditet shumë më sipër në vendet e origjinës për këtë natyrë mallrash: e 28-ta, kurse Shqipëria renditet vetëm e 73-ta. Balanca tregtare e Bashkimit Europian me vendin tonë është në suficit prej 273 milionë eurosh (BE eksporton 346 milionë euro në produkte agroushqimore dhe importon vetëm 73 milionë euro). Sipas statistikave të BE, Shqipëria importon kryesisht cigare (37 milionë euro); makarona, brumra dhe biskota (28 milionë euro); ujë dhe pije të lehta (26 milionë euro). Ndërkohë, ne eksportojmë drejt unionit kryesisht perime (13 milionë euro), bimë të gjalla, bulba, rrënjë (12 milionë euro) dhe fruta të thata e erëza (10 milionë euro).

Artikulli paraprakQytetarët dëmshpërblehen për zvarritjen e çështjeve në gjykatat vendase
Artikulli tjetërRihapja e tenderit të Spitallës