Riaktivizohen zjarret në gjithë vendin, zjarrfikësit nuk përballojnë dot flakët

Vatrat e zjarrit janë riaktivizuar në të gjithë vendin, ndërsa zjarrfikëset nuk arrijnë të përballojnë flakët. Fshati Lenë në Martanesh është përfshirë nga flakët pasditen e djeshme, të cilat kanë avancuar së tepërmi dhe për këtë arsye rrezikohen disa shtëpi. Forcat zjarrfikëse janë në vendngjarje, por e kanë të pamundur të vendosin zjarrin në kontroll për shkak të terrenit të vështirë. Deri më tani, nuk është raportuar për dëme materiale në shtëpitë e fshatit, apo të lënduar, por sipas burimeve flakët po u afrohen banesave.
Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë pasditen e djeshme në pyllin e Frakullës në Fier. Si pasojë rrezikohen disa hapësira të mëdha me pisha. Zjarrfikësit po punojnë me mjete rrethanore për të neutralizuar zjarrin.
Po ashtu, një vatër zjarri është riaktivizuar ditën e djeshme në pyllin e mbrojtur të fshatit Karmë, Vau-Dejës. Flakët kanë përpirë dhjetëra hektarë me pisha dhe po përparojnë si pasojë e erës. Dy vatra mbeten ende aktive. Ato po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat pyjore, por është e pamundur të fiken.
Situata e vështirë e kësaj vere me zjarret që veç zjarrvënies së qëllimshme për hapjen e kullotave të reja, janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe thatësira, ka vendosur në provë shërbimin zjarrfikës dhe ato të pyjores.
Në mjaft raste është dashur ndërhyrja nga ajri, ku janë thirrur në ndihmë helikopterët VIVA, që me kapacitetet e tyre teknologjike dhe personelin gjerman të trajnuar kanë arritur të jenë vendimtarë në shuarjen e flakëve në terrene të vështira, si në rastin e zjarrit në Karmë, ku shërbimi zjarrfikës nuk ka mundur të ndërhyjë.

Aktivizohen zjarret në Vaun e Dejës dhe Pukë

Emergjencat Civile bënë të ditur se, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 9 vatra zjarri në disa qarqe të vendit që janë riaktivizuar për shkak të erës. Një vatër zjarri e fshehur është riaktivizuar në pyllin e mbrojtur të fshatit Karmë, Vau-Dejës. Forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur të vendosin nën kontroll zjarrin për shkak të terrenit të thyer malor dhe erës së fortë. Për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe një helikopter. Dy vatra mbeten ende aktive, por po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga forcat pyjore.
Në fshatin Karmë të Pukës, po ashtu ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, kullotë dhe pyll lisi. Zjarrfikëset së bashku me forca vullnetare, kanë punuar dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin. Vatrat e zjarrit po monitorohen edhe ditën e sotme, pasi gjatë natës për shkak të erës janë rindezur.
QARKU DIBËR
Në fshatin Rreth-Kale, Dibër, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Nga zjarri janë rrezikuar edhe disa banesa. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, kullotë dhe disa rrënjë kumbulla.
Në fshatin Pllafe, Dibër, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Flakët kanë rrezikuar edhe varrezat e fshatit. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 1 ha me shkurre dhe ferra.
QARKU ELBASAN
Në fshatin Rrumbullakë, Peqin, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri ka rrezikuar edhe disa banesa, por pas ndërhyrjes së zjarrfikësve situata është normalizuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Hosmashaj, Peqin, një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është përfshirë nga një zjarr. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 0.5 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Zdrajsh, Librazhd, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, kullotë dhe gështenja. Flakët kanë rrezikuar edhe disa banesa. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 0.5 ha me shkurre, ferra dhe gështenjë.
QARKU VLORË
Në fshatin Bistricë, Finiq, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Për të shuar flakët në ndihmë të zjarrfikësve u angazhuan edhe 22 forca vullnetare. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 1 ha shkurre dhe ferra. Në fshatin Kostar, Finiq ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej 1 ha shkurre dhe ferra.

Zjarr në konviktin e Korçës, shkaktohen dëme të mëdha

Një banesë e një konvikti privat në Korçë janë përfshirë nga flakët. Forca policie dhe zjarrfikësja kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë thyer xhamat e ndërtesës për të nxjerrë njerëzit jashtë. Nuk dihet ende nëse ka persona të lënduar.
Policia njoftoi se nga zjarri që ra pasditen e djeshme në një konvikt në Korçë nuk rezulton të ketë dëme në njerëz, vetëm materiale. Sipas njoftimit të policisë, nga zjarri rrezikohet edhe një godinë tjetër që ndodhet ngjitur me konviktin. Shkaku i zjarrit paraprakisht dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për të zbardhur ngjarjen.
“Jemi njoftuar se në lagjen nr. 9 në Korçë, ka rënë zjarr në një ndërtesë katër katëshe në pronësi të shtetasit M.N. Menjëherë në vendngjarje shkuan zjarrfikësja, si edhe shërbimet e Emergjencave Civile. Nga të dhënat paraprake rezulton se dëme në njerëz nuk ka. Aktualisht po punohet për fikjen e zjarrit, pasi nga flakët, rrezikohet edhe një godinë tjetër që ndodhet ngjitur me ndërtesën e mësipërme. Shkak paraprak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.
Grupi hetimor në vendngjarje po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Artikulli paraprakKapen 322 kg drogë e armë nga Shqipëria në Itali, 4 në pranga
Artikulli tjetërGjashtë bashki po djegin plehrat, kancer për qytetarët