Gjashtë bashki po djegin plehrat, kancer për qytetarët

Krejt pa kuptuar dhe jashtë vëmendjes së opinionit publik, Shqipëria po shndërrohet në një kantier gjigant të djegies së mbetjeve. Pas Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit dhe Fierit, një tjetër bashki, ajo e Shijakut ka njoftuar se ka nisur Vlerësimi i Thelluar Mjedisor për instalimin e incerenatorit që do të bëjë incenerimin e mbetjeve, ku përfshihen edhe mbetjet e kafshëve. Gjithçka e ka fillesën nga një plan i mirëmenduar nga qeveria për të nxitur biznesin e përpunimit të mbetjeve në Shqipëri, duke dhënë këtë shërbim me koncesion. Pas kontraktimit të koncesionarëve që do të realizojnë ngritjen e landfilleve për djegien e plehrave apo përpunimin e tyre janë ngritur në shumë raste hije të forta dyshimi për afera korruptive dhe lidhje të ngushta të koncesionarëve me kryeministrin apo njerëzit pranë tij. Të gjitha janë raste flagrante. Jo pak zhurmë bëri si fillim vet përpjekja e Ramës për miratimin e ligjit të shumë debatuar për importin e plehrave në Shqipëri, i cili është kthyer nga Presidenti i Reublikës për rishikim në Parlament, e që me shumë gjasa Rama pritet ta kalojë me forcën e kartonit. Partia Demokratike, qytetarët, shoqëria civile, Aleanca kundër Importit të Plehrave kanë shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa thekson se nuk është respektuar dekreti i Presidentit. AKIP gjykon se importi i mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme. Ndaj ata gjykojnë se amendimet e qeverisë duhet të rrëzohen si të papranueshme. Nga ana tjetër, Qendra e Studimeve të Burimeve Natyrore thekson se janë njësitë vendore ato, të cilat duhet të ndërmarrin fushata informuese për ndarjen e mbetjeve në burim. Por ndërsa debatet dhe protestat për rrëzimin e ligjit vijuan dhe vendosën Ramën disi në vështirësi, nga ana tjetër vazhdoi planet e tij për krijimin e vendgrumbullimeve për djegien e plehrave. Praktikisht, gjithë zona e Shqipërisë së mesme është e blinduar nga projektet e qeverisë për djegien e mbetjeve. Këtu nuk flitet vetëm për mbetjet që krijon vet popullsia shqiptare, por edhe për djegie mbetjesh të importuara nga jashtë. Jo pa qëllim, Rama ka mbajtur të zvarritur anullimin e neneve të kontestuara për importin e plehrave në vend. Në një plan afatgjatë, ai shpreson që me kalimin e këtij ligji t’i hapet rruga importit të mbetjeve nga jashtë ndërkohë që terreni për djegien e tyre tashmë është gati.

Çfarë po ndodh?

Cilësohet ndryshe si “biznesi i vdekjes”. Për shkak të aktivitetit të tij në djegien e mbetjeve përfshirë këtu edhe mbetjet e kafshëve apo mbetjet toksike, rrezikshmëria për rritjen e nivelit të sëmundjeve dhe vdekshmërisë është shumë e lartë aq më tepër që në shumë raste, vendgrumbullimet për djegjen e plehrave parashikohet të bëhen fare pranë qendrave të banuara. Vitin e kaluar, qeveria shqiptare kaloi planet për ndërtimin e një inceneratori të tretë për djegien e plehrave, pasi kishte angazhuar deri tani 7.3 miliardë lekë për dy inceneratorë të tjerë në Elbasan dhe Fier. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare miratoi pranimin e një oferte të pakërkuar për koncesion dhe dhënien e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy BV”, Shpk, për “dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës”. Investimi i planifikuar bëri jo pak zhurmë. Ky investim është 140 milionë euro dhe afati i koncesionit është 30 vjet. Projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin, krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave. Të dhënat e këtij aktiviteti janë alarmante. Në këtë koncesion, përveç ndërtim landfilli dhe përpunim të mbetjeve, parashikohet edhe ngritja e një inceneratori ose e thënë shqip, një furrë gjigante ku do të digjen plehrat, me shumë gjasa jo vetëm ato të Shqipërisë nëse rrëzohet dekreti i Presidentit, për ligjin e importit të tyre. Por përveç kësaj, sipas kësaj VKM-je zbulohet, edhe se kush do të jetë ky koncesionar i ri. Bëhet fjalë pikërisht për kompaninë italo-shqiptare, të krijuar së fundmi nga Erion Veliaj, fillimisht vetëm për menaxhimin dhe përpunimin e plehrave në Tiranë “Integrated Energy B.V”. Kjo kompani pavarësisht se zyrtarisht nuk është shpallur fituese, me firmën e Edi Ramës merr paradhënie një bonus prej 8% të pikëve, duke u diferencuar nga çdo subjekt tjetër, që mund të jetë i interesuar të konkurrojë. Por çfarë fshihet pas këtij koncesioni të ri, këtë radhë i dhënë për biznesin e mbetjeve, fushë kjo që Edi Rama së fundmi është investuar fuqishëm? Përpara pak kohësh një kompani italiane fitoi tenderin publik, për përpunimin e plehrave në landfillin e Manzës në Durrës. Bëhet fjalë për kompaninë “Kinexia”, me seli në Milano, e cila do të përpunojë 1.9 milionë tonë mbetje, në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Albania Landfill Energy”. E njëjta situatë me të njëjta hije të rënda dyshimi për afera korruptive ka të bëjë edhe me shumë të debatuarin landfill në Fier, banorët e zonës atje janë ngritur në protesta të vazhdueshme, duke deklaruar moslejimin në mënyrë absolute të ndërtimit të tij.

Shpallja e Bashkisë Shijak

Projekti më i freskët që i shtohet “biznesit të vdekjes” në Shqipëri është vendimi i shpallur dje nga Bashkia Shijak. Në zbatim të pikës 4.4 të V.K.M nr. 247 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave dhe procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore” njofton se shoqëria “Jamarbër Group” sh.p.k. i është drejtuar Bashkisë Shijak për fillimin e procedurës së Vlerësimit të Thelluar Mjedisor. “Jamarbër Group” është themeluar në mars të këtij viti dhe nga të dhënat e publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka për objekt aktiviteti trajtimin, sterilizimin, asgjësimin dhe incenerimin e mbetjeve, si dhe tregtim importe-eksport mbetjesh spitalore. Incerenatori parashikohet që të ndërtohet në Lagjen Popullore, rruga “Brigada 10 Sulmuese”, Shijak, me një sipërfaqe prej 100 metër katror. Incerentorët bëjnë trajtimin e mbetjeve me anë të djegies në temperaturë shumë të lartë. Ky incerenator do të jetë i katërti pas atyre në Tiranë, Elbasan edhe Korçë. Por burimet nga tregu pohojnë se, me projektet e fundit në këto linja të përpunimit të mbetjeve po krijojnë mbiinvestime, pasi plehrat që ne prodhojmë janë shumë më të pakta se kapacitetet e këtyre investimeve. Por përpunimi me këtë metodë rrezikon të kthehet në rrezik serioz për shëndetin e popullatës në vijim. Shkatërrimi i mbetjeve me Incenerator (diegie me temperaturë të lartë) prodhon një tjetër lloj mbetje që është e vështirë që të asgjësohet më tej. Këto lloj mbetjesh kanë shumë kosto të mirëmbahen dhe të ruhen. Vende të tilla si Shqipëria me zhvillim të ulët ekonomik dhe njohurish në këtë drejtim nuk kanë kapacitete administruese me pasojat e kësaj industrie.

Në mesin e pesë vendeve më të ndotura

E ndërsa qeveria vijon intensivisht planin e saj për të shndërruar Shqipërinë në kazan për djegien e mbeturinave, ndotja e ajrit në Shqipëri është në nivele alarmante. Ky fenomen është shndërruar në një nga shkaqet kryesore të shifrave të vdekshmërisë në Shqipëri. Çdo grimcë ajër që thithim, çdo pikë ujë që pimë e çdo ushqim që konsumojmë preket nga ndotja. Shqiptarët nuk mund të jenë të izoluar nga efektet e një mjedisi të ndotur. Në fakt, edhe pse qytetarët shqiptarë mund të jenë të ndërgjegjshëm për këtë, statistikat e vitit të kaluar nga Forumi Ekonomik Botëror e rendisin Shqipërinë në 5 vendet e para që janë më të rrezikuar nga ndotja. Sipas këtij Forumi, Shqipëria ka ajër më të ndotur se Kina dhe se Bosnje-Hercegovina, duke dalë në përfundimin se rajoni i Ballkanit ka ajrin më të ndotur në rang botëror. Ndërkohë, një format i ri raportimi nga Instituti i Statistikave i kryer në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Sistemi Europian i Llogarive Ekonomike, zbuloi se shqiptarët paguajnë rreth 300 milionë euro ose 2.8 për qind të PBB-së së vet në formën e “taksave mjedisore”, një shifër kjo krahasimisht më e lartë se sa mesatarja e Bashkimit Europian. Pavarësisht kësaj, Shqipëria mbetet vendi më i mbushur me plehra urbane dhe me sistemin më të keq të menaxhimit të mbetjeve në kontinent. Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën për herë të parë të dhënat mbi Taksat e Mjedisit, një raport që bazohet mbi të dhënat e Ministrisë së Financave për të ardhurat e qeverisë nga taksa të ndryshme. Në fakt, këto 300 milionë euro taksa në vit që ne paguajmë për mjedisin dhe mbrojtjen e tij nuk janë gjë tjetër veçse taksa që qeveria po na detyron të paguajmë për sëmundjet dhe përshpejtimin e vdekshmërisë në vend.

Artikulli paraprakRiaktivizohen zjarret në gjithë vendin, zjarrfikësit nuk përballojnë dot flakët
Artikulli tjetërFaqja e pare