Kapen 322 kg drogë e armë nga Shqipëria në Itali, 4 në pranga

Policia italiane ka sekuestruar dje 322 kg drogë dhe një armë tip pistoletë gjatë dy operacioneve. Një mega operacion i policisë italiane ka çuar gjatë natës së shkuar në arrestimin e 4 shqiptarëve të moshës nga 23 në 33 vjeç e në sekuestrimin në 2 banesat e tyre të rreth 322 kg marijuanë. Operacioni është ekzekutuar në lagjet periferike të kryeqytetit Romë, në Casiilna, Boorghesiana e Fontana Candida.
Katër shqiptarët e arrestuar janë pa leje të rregullt qëndrimi në Itali e nuk figurojnë të dënuar më parë nga Policia italiane. Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i shtimit të kontrollit në territor e identifikimit të një lokali të frekuentuar nga shqiptarët e nga disa persona të lidhur me botën e drogës. Në 2 banesa, ku jetonin shqiptarët në lagjen Fontana Candida janë sekuestruar rreth 322 kg marijuanë si dhe para të thata.

Droga do shitej në Romë

Lënda narkotike e sekuestruar ishte e destinuar të trafikohej në të gjithë territorin e Romës. Katër të arrestuarit ndodhen në burgun Regina Coeli të Romës nën akuzën e trafikut të drogës të tipit marijuanë. Ende nuk janë bërë të ditur identitetet e të ndaluarve.
Siç shkruajnë mediat italiane, operacioni është bërë në zonën e Frascatit, në zonën periferike të kryeqytetit të Italisë. Policia ka bërë të ditur se kishte hetuar një grup shqiptarësh, 4 të rinj të moshave nga 23 në 33 vjeç, të cilët mblidheshin në një lokal në zonën e Frascatit, ku edhe takoheshin me persona të ndryshëm, disa prej të cilëve të lidhur me drogën.
Gjatë natës është bërë edhe operacioni i policisë italiane ku në pranga janë vënë 4 shqiptarët e dyshuar si trafikantët e drogës dhe janë sekuestruar 322 kilogramë kanabis sativa.
Gjithashtu janë sekuestruar edhe mijëra euro.
Karabinierët e Novarrës arrestuan 43-vjeçarin shqiptar me inicialet L.T. në kushtet e flagrancës duke shpërndarë kanabis. Në banesën e tij u kapën 500 gramë kanabis dhe 1050 euro, që dyshohen si të fituara nga shpërndarja e drogës. Në banesë u gjet edhe një pistoletë kalibër 7,65 mm pa leje. Pistoleta e kishte të fshirë numrin e matrikullimit, gjë që i bën karabinierët të dyshojnë se kjo armë mund të jetë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Para katër ditësh u kap një gomone me drogë e nisur nga Shqipëria në afërsi të brigjeve të provincës së Leçes. Gomonia e drejtuar nga dy skafistët nga Vlora, R.L. 30 vjeç e D.H. 23 vjeç, është ndaluar nga Roja bregdetare e Barit ROAN, natën e së shtunës duke u gdhirë e diela (20 gusht 2017) në ujërat e Komunës së San Kataldos në Leçe.
Gomonia që trafikantët po përdornin për trafikun e drogës ishte e gjatë 7 metra dhe me një motor shumë të fuqishëm. Ndërkohë, marijuana e sekuestruar në det ishte konfeksionuar në 22 koli të madhësive të ndryshme me peshë totale 633, 85 kg e cila nëse do të hidhej në treg trafikantët do të përfitonin 6 milionë euro. Në gomone kanë qenë rreth 1 ton drogë, por një pjesë e saj ka humbur në det, pasi u hodh nga skafistët në momentin që po ndiqeshin nga policia italiane. Ndaj dy skafistëve korrierë R.L 30 vjeç e D.H 23 vjeç nga Vlora është ngritur akuza e trafikut ndërkombëtar.
Viti 2017 ka shënuar një sasi rekord të trafikimit të drogës nga Shqipëria në Itali. Guardia di Financa italiane informoi para pak ditësh se prej fillimit të vitit 2017 janë sekuestruar përmes detit rreth 24 tonë marijuanë e Policia Financiare e Puglias ka arrestuar 32 skafistë. Ndërkohë përgjatë vitit 2016, janë sekuestruar rreth 22 tonë marijuanë.

Artikulli paraprakVdes punëtori nga fadroma, policia shkon me vonëse
Artikulli tjetërRiaktivizohen zjarret në gjithë vendin, zjarrfikësit nuk përballojnë dot flakët