Revolucioni demokratik i Emmanuel Macron-it

Pasi sfidoi të gjitha pritshmëritë për transformimin e politikës franceze, detyra e tij e ardhshme është të bëjë të njëjtën gjë me reformën ekonomike, shkruan “The Economist”. Me dyqanet e shtrenjta me veshje marinari, me fushat me gjelbërim të mirëmbajtura dhe klubin e tenisit, qyteti bregdetar i Le Touquet është vendpushimi i preferuar i borgjezisë së Francës Veriore në fundjavë. Pjesë e një shteti me bindje të thella konservatore, ky qytet drejtohet nga një kryebashkiak republikan i qendrës së djathtë, Daniel Fasquelle dhe votoi me një shumicë votash pro François Fillon, kandidatit republikan, i cili u mposht në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale gjatë këtij viti. Për dhjetë vite me radhë, z. Fasquelle ka qenë edhe deputet i Asamblesë Kombëtare franceze. Në janar të këtij viti, qyteti priste me padurim t’i jepte fund sundimit socialist në Francë, duke u gëzuar nga kthimi në rendin konservator. Megjithatë, në votimin e raundit të parë, më 11 qershor, për formimin e një Parlamenti të ri, populli i mirë i Le Touquet vendosi në krye të listës një sipërmarrës të panjohur, Thibaut Guilluy, duke e zhvendosur kryebashkiakun e tyre në vendin e dytë. Z. Guilluy i përket ushtrisë së kandidatëve të rinj të Partisë së Presidentit Emmanuel Macron, “La République en Marche”, të cilët fare të paarmatosur po drejtojnë një revolucion paqësor në politikën demokratike.
Lëvizja politike e zotit Macron, e krijuar vetëm 14 muaj më parë, mori 32% të votave, dhjetë pikë përpara republikanëve. Ai fitoi 350 vende nga 577 që janë në Asamblenë Kombëtare, duke e shndërruar këtë fitore në një nga më të mëdhatë e Republikës së Pestë, që i shkatërroi republikanët, ndërsa goditjen më të fortë ia dha Partisë Socialiste. Për qytetin e Le Touquet, që e konsideron z. Macron si një banor vendas, kjo ishte një fitore veçanërisht simbolike. Ai dhe gruaja e tij, Brigitte, kanë një shtëpi të dytë në këtë vendpushim, edhe dasmën e tyre e kanë zhvilluar atje dhe mbi të gjitha vazhdojnë të jenë vizitorë të rregullt.
Avioni presidencial u ul në pistën e vogël të Le Touquet, në mënyrë të tillë që Presidenti të shkonte të votonte në sallën e bashkisë. “Të gjithë e njohin atë këtu”. Ai nuk ka qenë kurrë arrogant dhe njerëzit duan t’i japin atij një mundësi, u shpreh një banor i zonës. Lidhjet familjare të z. Macron me këtë zonë nuk mbarojnë me kaq. Zëvendësuesja e z. Guilluy, Tiphaine Auziere, është thjeshtra e tij.

Artikulli paraprakDebati Trump-Putin për ndërhyrjen në zgjedhje
Artikulli tjetërKriza energjetike godet turizmin, Thethi në emergjencë, 20 ditë pa energji elektrike