Debati Trump-Putin për ndërhyrjen në zgjedhje

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson tha se Presidenti Donald Trump e hapi takimin me Presidentin rus, Vladimir Putin duke ngritur shqetësimet rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
Ai u tha gazetarëve në një konferencë në Hamburg të Gjermanisë se, Presidenti Trump nguli këmbë pranë zotit Putin për këtë çështje gjatë takimit që zgjati më shumë se dy orë në periferi të një Samiti të udhëheqësve botërorë.
Sipas zotit Tillerson, Presidenti Putin mohoi ndonjë përfshirje në zgjedhjet amerikane, ndërkohë që rusët u kërkuan Shteteve të Bashkuara të paraqesin dëshmi dhe prova për ndërhyrjen e tyre të dyshuar në zgjedhjet e 2016-s, që Rusia e mohon.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Presidenti Trump nuk i pranoi mohimet ruse për ndërhyrje.
Zoti Tillerson tha se palët ranë dakord të vazhdojnë takimet. Kjo përfshin një grup të ri pune mbi sigurinë kibernetike dhe ndërhyrjen në zgjedhje.
Sekretari Tillerson tha se takimi ishte shumë konstruktiv dhe se dy udhëheqësit “u lidhën shumë shpejt” me njëri-tjetrin.
Ai tha se Presidenti Trump dhe Presidenti rus Putin patën një shkëmbim mjaft të mirë për çështjen ”se si ta trajtojnë kërcënimin e Koresë së Veriut”.
Por ai shtoi se, “rusët e shohin çështjen pak më ndryshe se ne”.
Diplomati më i lartë amerikan vuri në dukje se synimi përfundimtar i Rusisë pasqyron atë që dëshirojnë Shtetet e Bashkuara: heqjen e amëve bërthamore nga Gadishulli Korean.
Ai tha se dallimet janë te taktikat e përdorura për të arritur këtë qëllim, pa dhënë hollësi të tjera.
Zoti Tillerson tha gjithashtu se, pavarësisht komenteve të fundit të Presidentit Trump në Twitter, SHBA nuk kanë hequr dorë nga shpresa se Kina do të ndihmojë për çështjen e Koresë së Veriut.
Sekretari i Shtetit tha gjithashtu se administrata Trump nuk sheh asnjë rol afatgjatë për familjen Asad dhe regjimin e Bashar al-Asadit në Siri.
Tillerson u tha gazetarëve në Hamburg se mënyra se si do të largohet presidenti sirian kjo “mbetet ende për t’u vendosur”. Por ai tha se mendon se do të ketë një tranzicion që do ta largojë qeverinë e Asadit.

Takimi që zgjati 2 orë e 16 minuta

Presidenti amerikan, Donald Trump u ndodh përballë Presidentit rus, Vladimir Putin para se të futeshin në takimin e G20-shes dje në Hamburg dhe dy krerët e shteteve shtrënguan duart përzemërsisht. Ata kanë në plan të bisedojnë kokë më kokë gjatë qëndrimit në Gjermani për takimet dyditëshe të G20-shes. Presidenti Donald Trump shprehu optimizëm se mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund të priten gjëra pozitive. Ai i bëri komentet ndërsa ishte ulur me Presidentin rus Vladimir Putin për një takim të parë historik mes tyre në Gjermani. I ulur pranë Presidentit rus në periferitë e një takimi ekonomik të nivelit të lartë në Hamburg të Gjermanisë, Presidenti Donald Trump tha se ishte “nder” që ndodhej me zotin Putin.
Gazetarët u lejuan të bëheshin dëshmitarë të një pjese të takimit dhe Presidenti Trump tha se ata të dy kishin patur “biseda shumë të mira”. “Presidenti Putin dhe unë kemi diskutuar për gjëra të ndryshme dhe mendoj se po shkon shumë mirë. Kemi pasur disa biseda shumë të mira.
Ne do të kemi tani një diskutim dhe natyrisht këto do të vazhdojnë, por ne presim që për Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe gjithë të interesuarit të ketë shumë gjëra mjaft pozitive. Është nder të jem me ju”, tha Presidenti Trump. Ndërsa Presidenti Putin tha: “Ne kemi folur në telefon disa herë me ju për çështje shumë të rëndësishme dypalëshe dhe ndërkombëtare. Por bisedat telefonike nuk janë kurrë të mjaftueshme.
Ne duam të kemi zhvillime pozitive në takimet dypalëshe dhe të jemi në gjendje të zgjidhim konfliktet më të mprehta ndërkombëtare dhe çështjet që mendojmë se do të kenë nevojë për takime personale. Jam i kënaqur që ju takoj personalisht, zoti President, dhe shpresoj se, siç keni thënë, takimi ynë do të japë rezultate pozitive”. As Presidenti Trump dhe as Presidenti Putin nuk dhanë hollësi të tjera rreth çështjeve që ishin diskutuar. Në takim merrnin pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Takimi i shumëpritur është i pari mes presidentëve Trump dhe Putin. Ai zhvillohet në klimën e zemërimit që ka shkaktuar në SHBA ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet amerikane, si dhe të shqetësimeve për një bashkëpunim të mundshëm të ekipit të fushatës Trump me rusët gjatë zgjedhjeve.
Shtëpia e Bardhë kishte thënë se nuk kishte një axhendë të caktuar për takimin, megjithëse zoti Tillerson kishte sqaruar se lufta e Sirisë do të ishte një temë kryesore. Para se të shkonte në takim, Presidenti Trump shkroi në Twitter se po pret të takojë presidentin rus, Vladimir Putin. Ky ishte takimi i parë kokë më kokë i dy presidentëve në margjinat e G20-ës. Takimi i tyre ndodhi në orët e pasdites. Takimi i shumëpritur u ndoq nga afër, por jo për shkak se ai pritej të sillte përparim. Ndërsa të dy udhëheqësit kanë shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet e dëmtuara nga ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë, nuk pritet një lehtësim i asaj, që disa analistë e quajnë një Luftë e re e Ftohtë.
Hetimet e vazhdueshme mbi dyshimet për lidhje të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe sulmet kibernetike ruse, që agjencitë amerikane të zbulimit besonin se kishin për qëllim të ndihmonin zotin Trump, kanë hedhur hije mbi takimin. Kremlini thotë se terrorizmi, Siria dhe Ukraina do të jenë temat kryesore të takimit.
Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Trump do të vendosë se çfarë të diskutojë, duke e quajtur atë një “takim dypalësh normal”. “Presidenti ka impulset e tij. Ai mund të vendosë t’i japë takimit një drejtim të papritur. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Në një masë të vogël, ky është stili i tij”, thotë Stephen Sestanovich nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë. Megjithatë, hetimet e vazhdueshme në lidhje me dyshimet për bashkëpunim të fushatës së zotit Trump me Rusinë po hedhin një hije mbi shpresat e administratës se takimi mund të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve. “Çdo gjë që ndodh në takimin mes zotit Trump dhe zotit Putin do të shihet në këtë kontekst.
A ishte presidenti Trump shumë miqësor? A po përpiqej zoti Trump të dukej shumë i ashpër ndaj Rusisë në mënyrë që të qetësojë kritikët në vendin e tij? Unë mendoj se këto janë shumë pyetje për të cilat së shpejti do të marrim përgjigje”, thotë Hannah Thoburn nga Instituti Hudson. Por vetëm një numër i vogël analistësh presin që presidenti Trump të ngrejë çështjen e ndërhyrjes ruse që agjencitë amerikane të zbulimit thonë se kishte për qëllim ta ndihmonte atë të fitonte zgjedhjet.

Marrëveshje për largimin me tranzicion të Asadit

Tre zyrtarë amerikanë thanë të premten se, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje armëpushimi në Sirinë Jugperëndimore.
Komentet u bënë ndërkohë që presidenti Donald Trump mbante takimin e tij të parë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Marrëveshja shënon një nivel të ri të përfshirjes amerikane në përpjekjet për të zgjidhur luftën civile në Siri.
Ndonëse hollësitë rreth marrëveshjes dhe mënyra se si do të zbatohet ajo ende nuk janë bërë të ditura, armëpushimi do të hyjë në fuqi të dielën në mesditë në Damask, thanë zyrtarët, të cilët nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht mbi armëpushimin.
Jordania dhe Izraeli janë gjithashtu pjesë e marrëveshjes, tha njëri nga zyrtarët. Të dy këta aleatë të SHBA kanë kufij të përbashkët me pjesën jugore të Sirisë dhe janë të shqetësuar se dhuna në luftën civile të Sirisë mund të përhapet përtej kufirit.
Armëpushimet e mëparshme në Siri kanë dështuar ose nuk kanë arritur ta ulin dhunën për shumë kohë. Nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje do të ketë efekt më të mirë.

Shpresë në Rusi, kërkohet bashkëpunim

Në rrugët e Moskës, rusët ende shpresojnë se takimi mes dy udhëheqësve do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Kjo situatë nuk mund të zgjasë shumë. Dikush duhet ta kuptojë se nëse nuk bashkëpunojmë, ne nuk do të përparojmë”, thotë Konstantin, një banor i Moskës. Kritikët theksojnë se çdo hap drejt bashkëpunimit ka shumë të ngjarë të kufizohet në retorikë. “Ne tani nuk po shohim një axhendë ose qëllime konkrete nga të dy udhëheqësit dhe as vullnet për të zbatuar këto synime. Putini duket se pret disa hapa nga presidenti Trump, ndërsa presidenti Trump nuk është në gjendje të përballojë problemet e tij brenda Amerikës. Ai nuk di si të formojë një qëndrim të vetin ndaj Putinit. Pra, nuk ka objektiv, vullnet apo përparim”, thotë Andrei Kolesnikov nga Qendra Carnegie e Moskës. Pavarësisht nga rezultati, takimi dypalësh është një fitore për Kremlinin, shton analisti Kolesnikov. Nëse shkon keq, Rusia do të fajësojë Shtetet e Bashkuara. Nëse shkon mirë, Putini do të thotë se falë angazhimit të tij takimi ishte i suksesshëm.

Artikulli paraprakProfesionet ku gratë paguhen më shumë se burrat në Shqipëri
Artikulli tjetërRevolucioni demokratik i Emmanuel Macron-it