Kriza energjetike godet turizmin, Thethi në emergjencë, 20 ditë pa energji elektrike

Zona turistike e Thethit ka mbi 20 ditë që vuan mungesën e energjisë elektrike. Sipas OSHEE Shkodër shkak është bërë prishja e turbinës në Hidrocentralin e Ndërlysës. Mungesa e lidhjes së kësaj zone turistike me rrjetin kombëtar të furnizimit me energji elektrike ka bërë që 30 bujtina dhe disa hotele të dëmtohen në pikun e sezonit turistik. Sipas të dhënave që vijnë nga zona, aktualisht në Theth janë mbi 1000 turistë të huaj, të cilët ndodhen për pushime në zonë. E ndërsa pavarësisht njoftimeve dhe kërkesave të njëpasnjëshme të banorëve për gjendjen e krijuar, asnjë masë nuk është marrë. Problem më i madh në këtë zonë për shkak të mungesës së energjisë elektrike është edhe dëmtimi që i bëhet ushqimeve, por edhe rritja e shpenzimeve pasi tashmë pronarët e bujtinave dhe hoteleve në zonë janë të detyruar që të furnizohen me anë të gjeneratorëve. 2 vite më parë kanë qenë vetë banorët e zonës, të cilët kanë investuar në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike nga Hidrocentrali i Ndërlysës e deri në Theth, investim ky që ka kap shifrën e rreth 30 milionë lekëve të vjetra, e ndërsa sot ajo zonë ndër më atraktivet për pushuesit e huaj nuk furnizohet fare me energji elektrike. Prishja e turbinës në këtë hidrocentral mësohet se ka ardhur për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, por edhe për shkak se është i vetmi HEC që furnizon zonën e Dukagjinit me energji elektrike. Rruga nga Qaf T’Thorja e deri në Theth dhe furnizimi me energji elektrike janë shkaktarët kryesorë që po dëmtojnë rëndë turizmin në këtë zonë. Por edhe investimet e bëra nga banorët e zonës me qëllim thithjen e sa më shumë turistëve gjatë verës.

Shqipëria në krizë të thellë pa ujë dhe drita

Mijëra qytetarë kanë filluar të denoncojnë në rrjetet sociale ndërprerjet e energjisë, jo vetëm në kryeqytet, por thuajse në të gjithë vendin. Veçanërisht javën e fundit, kufizimet e energjisë janë bërë të shpeshta dhe nuk kanë kursyer as institucionet e rëndësisë së veçantë. Mbrëmjen e kaluar, Spitali Ushtarak në kryeqytet ka qenë pa energji, duke detyruar pacientët të dalin jashtë për shkak të temperaturave të larta. Tirana, qyteti me konsumin më të madh të energjisë është më e prekura nga kufizimet, por jo e vetmja. Edhe në rrethet e tjera të vendit raportohet se energjia po ndërpritet vazhdimisht, përfshirë rajonet turistike në zonat bregdetare. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë mohon që ndërprerjet të jenë të qëllimshme dhe ja faturon fajin subjekteve që kryejnë punë publike, duke dëmtuar rrjetin. “Është një proces që në një vend në ndërtim të vazhdueshëm cenohen vazhdimisht elementët e sigurisë së furnizimit të rrjetit. OSHEE personalisht në menaxhimin e saj nuk ka kryer asnjë lloj ndërprerje të programuar për qëllim ulje ngarkese apo qëllim reduktimi të konsumit”, deklaroi Elton Sevrani, drejtor i prokurimeve në OSHEE.

Kriza energjetike do vijojë gjatë gjithë verës

Mungesa e reshjeve të shiut ka çuar me ritme të shpejta drejt tharjes Liqenin e Fierzës. Sipas statistikave zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, uji në basenin e Fierzës bie mesatarisht me 40 cm në ditë. Niveli i Fierzës është afërsisht 274 metër dhe vazhdon të ulet, ndërkohë që prurjet janë rreth 80 metër kub në sekondë, duke qenë mesatarisht 40 për qind më të ulëta se vitet normale. Qeveria preferoi të mos blinte energji gjatë muajve të kaluar. Madje gjatë fushatës elektorale, qeveria preferoi të shkarkonte të gjitha kaskadat, me qëllim që energjia mos mungonte dhe kjo mos i kthehej në kosto elektorale. Por raportimet nga të gjitha zonat e vendit tregojnë për mungesa të zgjatura energjie dhe në vendet turistike ku sezoni ka filluar. Për shembull, në të gjithë bregun nga Borshi deri në Sarandë energjia elektrike mungon me orë të tëra, në Tiranë energjia ndërpritet pa asnjë paralajmërim. Janë vetëm shenjat e para dhe nuk përjashtohet mundësia që kësaj vere të përjetojmë një krizë energjetike të zgjatur.

Artikulli paraprakRevolucioni demokratik i Emmanuel Macron-it
Artikulli tjetërPapunësia dhe korrupsioni, probleme madhore në Ballkan