Revoltë në Librazhd, 900 mësues pa marrë rrogat

Rreth 900 mësuesit e rrethit të Librazhdit nuk kanë marrë ende pagat e muajit nëntor, ndonëse kanë kaluar 15 ditë nga afati. Në të dyja bashkitë Librazhd dhe Prrenjas japin mësim rreth 890 mësues, por deri ditën e djeshme atyre nuk u janë kaluar pagat. Janë 12 gjimnaze dhe 60 shkolla 9-vjeçare që japin mësim këta mësues, por këto ditë ndodhen në vështirësi ekonomike për shkak të mos marrjes së rrogave. Shumica e mësuesve udhëtojnë në zona shumë të thella malore, por e kanë të pa munduar për të udhëtuar, pasi nuk kanë para për të paguar shoferët e linjës që i transportojnë në vendet e tyre të punës.
Njëri nga mësuesit thotë se, jemi burrë e grua që mbahemi me rrogat e arsimit, kemi edhe dy fëminjë në fakultet që duan paguar lekët e shkollës dhe nuk dimë se si të veprojmë. Një mësues tjetër thotë se ka kredi në Bankë dhe ka rritje të interest për mos shlyerje të këstit mujor. “Çdo ditë banka më telefonon, madje më kanë kaluar dhe interesat për mos shlyerje kredie”, thotë i dëshpëruar ai.
Një tjetër mësues thotë se, i kanë prerë energjinë elektrike, sepse nuk ka shlyer në kohë faturën. Disa të tjerë thonë që duhet ë blejnë dhe drutë e zjarrit që janë me çmim të kripur, por nuk munden, pasi nuk kanë marrë ende rrogën e muajit nëntor. Pra, anomalia në mësuesit e Librazhdit vazhdon të jetë prezente dhe pakënaqësitë çdo ditë e shtohen.
Ja si shkruan një nga mësuesit në rrjetet sociale: “Jemi njohur dhe kemi marrë letrën përshëndetëse të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Ajo na vlerësonte si vlera të qenësishme në fushën e mësimdhënies. Por të më falin të gjithë mësimdhënësit dhe ministrja, nëse ajo e di ose ka njohuri se përse ne në Librazhd pagat i marrim me shumë vonesë. Paraja nuk është gjithçka, por ne jemi nevojtarë”.
Pjesa dërrmuese e mësuesve janë revoltuar dhe kanë ngritur zërin, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Drejtoria Arsimore. Bëhet e ditur se përgjegjësja e Zyrës Arsimore, financieri kanë mbyllur edhe telefonat nga kërkesat dhe shqetësimet e mësuesve. Ndërsa një pjesë tjetër e mësuesve kanë frikë të flasin se ju shkurtohet vendi i punës.
Bëhet e ditur se, shkaku i mos marrjes së rrogave është punësimi mbi normën i militantëve të PS në Arsim dhe për këtë shkak janë harxhuar fondet. Mjaft militantë socialistë janë emëruar me urdhër të deputetit të PS, Taulant Balla në arsim mbi normën, ndërsa ata janë paguar jashtë planifikimit të pagave.
Kryetarja e Sindikatës, Mirela Kuka thotë se, mësuesit do të hidhen në protestë. Sot të gjithë mësuesit e Librazhdit dhe të Prrenjasit do të bojkotojnë mësimin dhe do të protestojnë për të marrë pagat.
Ndërkohë, bëhet e ditur se edhe mësuesit e Shkodrës nuk kanë marrë ende pagat e muajit nëntor. Tre ditë më parë, mësuesit në Shkodër kanë protestur para Drejtorisë Arsimore për mosmarrjen e shpërblimit të fundvitit. Mësuesit të përfaqësuar nga Sindikata e Arsimit, kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të protestës, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Mësuesit kanë kërkuar shpërblimin e fundvitit, i cili prej 3 vitesh u është mohuar arsimtarëve. Duke i kujtuar Ministrisë së Arsimit se, përfitimi i shpërblimit është i sanksionuar në kontratën kolektive, drejtuesit e sindikatës paralajmëruan grevë 1 orëshe në të gjitha shkollat. Ata kërkuan dhe pagesën për transportin mbi 5 km apo orët shtesë të mësuesve. Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar protesta edhe në Tiranë tek Ministria e Arsimit.

Artikulli paraprakKompania e koncesionit të plehrave u krijua dy javë pasi fitoi tenderin!
Artikulli tjetërBalili u njoftua, Prokuroria nis hetimet ndaj policisë