Kompania e koncesionit të plehrave u krijua dy javë pasi fitoi tenderin!

Open Data Albania mbi Regjistrin Koncesionar ka zbardhur kontratat koncesionare të Qeverisjes Lokale në lidhje me impiantin e plehrave në Fier. Konkretisht bëhet fjalë për koncesionin e Ndërtimit e Administrimit të Impiantit të Trajnimit të mbetjeve Urbane të Qarkut Fier dhe Prodhim Energjie.
Pas shpalljes së fituesit të prokurimit për koncesionin konkretisht bashkimi i operatorëve Integrated Technology Services si shoqëri shqiptare dhe Energy2 srl si shoqëri e huaj, në datën 15 shtator 2016, fituesit kanë proceduar me themelimin e kompanisë koncesionare që është Integrated Technology Waste Treatment Fier me NIPT L62205045F.
Kompania Koncesionare është themeluar në datën 3 tetor 2016, me formën shoqëri me përgjegjësi të kufizuar shpk, me kuota ortakësh të ndara 80 me 20% ndërmjet Integrated Technology Services si shoqëri shqiptare dhe Energy2 srl. Në total kapitali themeltar i shoqërisë është 100 mijë lekë, plus të drejta mbi një kontratë të veçantë koncesionare.
Objekti i Punës së kompanisë koncesionare të sapokrijuar është i lidhur me Objektin e Koncesionit: Ndërtim, administrim, operim dhe transferim i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë tek Autoriteti Kontraktues, ku përfshihet financimi, ndërtimi, vënia në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, shitja dhe eksportimi i energjisë elektrike, në zbatim të kontratës së koncesionit apo projektit në tërësi.
Brenda muajit tetor, të dy ortakët e kompanisë kanë bërë shitje të 30% të kuotave me vlerën 30 mijë lekë të reja. Konkretisht shoqëria italiane Energy 2 srl ka shitur të plota 20% të kuotave të saj, ndërsa Integrated Technology Services ka shitur 10% të kuotave të kompanisë. Të dy shitjet janë bërë në favor të shoqërisë aksionare Ndërtim Montimi Patos. Kompania në fjalë, me aksioner të vetëm zotin Flamur Kollozi është tashmë zotëruese e 30% të kuotave të shoqërisë koncesionare, me të drejta edhe mbi kontratën e koncesionit.

Artikulli paraprakGjysma e Tiranës pa energji elektrike
Artikulli tjetërRevoltë në Librazhd, 900 mësues pa marrë rrogat