Rumania humbi 33 miliardë dollarë në vit nga korrupsioni

David CLARK

Protestuesit që kanë mbushur jo vetëm rrugët e Bukureshtit, por edhe të shumë qyteteve të tjera rumune dhe në diasporë arritën fitoren e tyre të parë, kur e detyruan qeverinë që të tërhiqte dekretin e saj, sipas të cilit do t’i jepej dorë zhvillimit të mëtejshëm të korrupsionit. Por lufta në këtë drejtim sapo ka filluar. Qeveria pritet të rivendosë propozimet e saj me anë të një projektligji parlamentar, ndërsa opozita, edhe pse e zemëruar, vazhdon të jetë e mobilizuar. Por pyetjes themelore se si Rumania do të merret me problemin e saj kryesor, korrupsionin, nuk i është dhënë ende përgjigje. Ajo çfarë provokoi më shumë se çdo gjë tjetër zemërimin e publikut ishte natyra e planeve të qeverisë. Në mesin e atyre që mund të kishin përfituar ishte Liviu Dragnea, lideri i partisë në pushtet të PSD-së, i cili do të largohet nga posti i ministrit pas dënimit për manipulim të votave. Propozimi për dekriminalizimin e veprave penale korruptive që nuk e kalojnë vlerën prej 38,000 paund, u pa si një kërcënim për të pranuar vjedhjet në dritën e diellit, ose e thënë ndryshe “vjedhje të licencuara”. Për një vend që humb rreth 16-33 miliardë dollarë në vit si pasojë e korrupsionit, kjo do të kishte shënuar një hap të madh prapa. Edhe pse tërheqja e qeverisë është mirëpritur, do të ishte një gabim i madh nëse supozohet se me kaq, çdo gjë u vendos në vendin e saj në Rumani.
Pjesërisht, dekreti i braktisur kishte për qëllim të zbatonte një vendim të Gjykatës Kushtetuese që kufizonte veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndaj akteve të përcaktuara në mënyrë specifike si akte kriminale. Prokurorët kundër korrupsionit kanë nxjerrë një përkufizim më të gjerë të termit për të paditur zyrtarët për vepra që, në shumicën e vendeve, klasifikohen më shumë si neglizhencë sesa si akte korruptive. Raportet sugjerojnë se disa nëpunës civilë rumunë ngurrojnë në miratimin e vendimeve të shpenzimeve nga frika se mos akuzohen për korrupsion, në rast se një projekt i shkon keq. Kjo gjë duhet të ndryshojë sa më parë të jetë e mundur. Akuza të rënda kanë ngritur dyshime edhe mbi integritetin e Agjencisë Kombëtare të Antikorrupsionit. Disa prej këtyre akuzave u bënë publike nëpërmjet videove të publikuara nga Sebastian Ghita, pronar i një media rumune dhe ish-deputet i PSD-së, i cili edhe vetë aktualisht është munduar që t’u shpëtojë akuzave për korrupsion. Ndër të tjera, Ghita pretendon se Agjencia Kombëtare Antikorrupsion punon në bashkëpunim me Shërbimin e Inteligjencës së Brendshme, për të manipuluar sistemin gjyqësor në favor të secilës palë. Edhe pse pjesa më e madhe e akuzave janë mohuar, ato ndikuan në dhënien e dorëheqjes së Florian Coldeas, zëvendëskryetar i Shërbimit të Inteligjencës së Brendshme rumune, muajin e kaluar. Besueshmëria e Ghitas si dëshmitar vihet në dyshim, por shumica e fakteve të tij përputhen edhe me provat e publikuara nga të tjerë. Agjencia Kombëtare Antikorrupsion pranoi se ajo mbështetet në 20.000 përgjimet e siguruara nga Shërbimi i Inteligjencës së Brendshme Rumune dhe se ajo ndjek rastet e nxitura nga zyrtarët e lartë të inteligjencës. Një Gjeneral i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion ka pranuar se agjencia e tij ndërhyn në sistemin e drejtësisë dhe e konsideron këtë si një “veprim taktik” të operacioneve. Dokumentet zyrtare të marra nga Bashkimi Kombëtar i Gjyqtarëve të Rumanisë tregojnë se oficerët e Shërbimit të Inteligjencës së Brendshme Rumune punojnë në ekipe së bashku me prokurorët e Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion, por pa autoritetin e duhur ligjor. Por thirrjet e gjyqtarëve ndaj autoriteteve, për të hetuar mbi dyshimet e kahershme që oficerët e Shërbimit të Inteligjencës së Brendshme Rumune kanë depërtuar gjyqësorin, janë injoruar.
Prokurorët e Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion marrin të dhënat që i duhen nga Shërbimi i Inteligjencës, gjë kjo që i mundëson ata të vihen në ndjekje të individëve me poste të larta dhe t’i zhveshin ata nga roli i mbrojtësve të interesit publik.
Pretendimet se oficerët e lartë të Inteligjencës kanë një rol të rëndësishëm në drejtimin e hetimeve kundër korrupsionit, u ngritën edhe nga Alina Bica, e cila drejtonte Agjencinë për Luftën ndaj Krimit të Organizuar, përpara se edhe vetë ajo të arrestohej nën akuzat e Agjencisë Kombëtare Antikorrupsion për korrupsion. Ajo pretendon se rënia e saj ishte orkestruar nga Shërbimi i Inteligjencës së Brendshme, pas refuzimeve të saj në mënyrë të vazhdueshme për të ndjekur penalisht individë të caktuar.
Kjo përpjekje e lartë antikorrupsion po shihet si një përkrahje e fortë e lirive të çdo qytetari dhe si llogaridhënie e detyruar publike.
Ka shumë arsye, të cilat të bëjnë të mendosh se sistemi i drejtësisë penale në Rumani nuk po funksionon në përputhje me standardet demokratike. Shtimi i numrit të çështjeve korruptive të sjella nga Agjencia Kombëtare Antikorrupsion të përforcojnë bindjen se ky sistem po shkon drejt përkeqësimit. Ekziston rreziku që Rumania të mos avancojë në luftën politike ndaj çështjeve të korrupsionit, vetëm në rast se arrihet një konsensus kombëtar. Reformat janë të nevojshme për të përmirësuar transparencën, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimin e pavarësinë së gjyqësorit dhe për të hequr ndikimin e fshehtë të zyrtarëve të inteligjencës në vendimet e gjyqësorit. Një sistem që do të ishte më i drejtë, do të gëzonte nga ana tjetër legjitimitet më të madh dhe do të kishte rezultate më efikase për të gjithë. Hapi më i rëndësishëm në këtë drejtim do të ishte pranimi i integritetit nga partitë politike të një procesi reformues antikorrupsion dhe të mos përpiqeshin më për t’i mbrojtur anëtarët e tyre nga ndjekja penale. Në atmosferën e polarizuar të javës së kaluar, një zgjidhje e tillë duket si një shpresë e largët.

Artikulli paraprakMosbesimi i thellë mes Moskës dhe Perëndimit
Artikulli tjetërAfera 6 milionë euro që varros 1500 vjet histori!