Mosbesimi i thellë mes Moskës dhe Perëndimit

Alexandra Sitenko

Marrëdhëniet ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë janë sot në pikën e tyre më të ulët që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Është e rëndësishme që në këtë fenomen të fokusohemi jo tek balanca e pushtetit, por tek mungesa akute e besimit të ndërsjellë që ka gjeneruar fronte gjithmonë e më të egra nga të dy palët. Dmitri Trenin kohët e fundit e ka përshkruar gjendjen e marrëdhënieve aktuale përmes pyetjes se si mund të shmanget një luftë e nxehtë.
Në të njëjtën kohë dhe pavarësisht retorikës tepër provokuese nga të dy krahët, lufta ka shumë pak gjasa të shpërthejë. Edhe pse Rusia vazhdon të konsiderohet si “kërcënim për stabilitetin dhe rendin” dhe akuzohet për “sjellje keqdashëse dhe të rrezikshme”, kjo bëhet kryesisht për të rritur kapitalin politik ndaj kundërpërgjigjeve të egra që synohen të ndërmerren. Nëse kërkohet vërtet një strategji fituese për të menaxhuar Rusinë, kjo do të ishte përmbajtja.

Rikthimi i strategjisë së përmbajtjes
Strategjia e përmbajtjes konsiston në qëllimin për ta bërë Rusinë të kuptojë se Perëndimi është një front i unifikuar dhe që do të kundërshtojë bindshëm ambiciet e politikës së fortë të Rusisë. Ivo Daalder kohët e fundit ka folur në “Financial Times” për një strategji të re përmbajtjeje kundër Rusisë, ku deklaronte se: “tani, njëlloj si në të shkuarën, mbajtja e Rusisë nën kontroll duhet të jetë një strategji afatgjatë, e nxitur më tej nga paraqitja e forcës perëndimore dhe dobësisë ruse. Bërthama e pushtetit tonë është uniteti perëndimor. Kjo ishte arsyeja përse liderët e NATO-s vendosën të kundërpërgjigjeshin ndaj invazionit rus në Ukrainë”.
Kjo strategji e përgjithshme u ndoq përmes politikës së sanksioneve të vazhdueshme. Vetëm në rast se Rusia shfaqet e gatshme për dialog, gjë që deri tani nuk e ka bërë, atëherë perëndimor duhet të jetë gjithashtu i gatshëm të bëjë lëshime me të. Megjithatë, sipas shenjave të kohëve të fundit, duket se Rusia nuk është aspak e interesuar të zgjasë një dorë miqësore. Në këtë rast, mund të mendohet se parakushti i normalizimit të marrëdhënieve me Perëndimin do të ishte dorëzimi nga ana e Rusisë.
Shtylla e kësaj strategjie është të pritet derisa Moska të shfaqë një ndryshim të sjelljes së saj dhe nëse nuk e bën këtë vullnetarisht, do të duhet të ndihmohet nga strategjia e përmbajtjes që konsiston në demonstrimin e pushtetit ushtarak dhe politikës së sanksioneve. Megjithatë, Philipp Breedlove, ish-komandant suprem i forcave të NATO-s në Europë, mendon se vektori politik i drejtuar kundër Rusisë nuk është aspak premtues.
Sipas ish-komandantit, pushteti ushtarak nuk duhet të jetë mjeti i parë i përdorur. Nevojitet patjetër zhvillimi i një dialogu produktiv, i cili të fokusohet në rindërtimin gradual të besimit të humbur ndërmjet palëve. Në fakt, sipas fjalëve të Jonathamn Marcus, “pa nivelin më bazik të besimit dhe mirëkuptimit, çdo dialog ngrihet mbi themele të lëkundshme. Në asnjë moment nuk u parashikua që gjërat që shkonin në këtë mënyrë. Fundi i Luftës së Ftohtë do të duhet të shënonte fillimin e një epoke të re mirëkuptimi dhe besimi”.
Kjo do të thotë se hapi i parë i normalizimit të marrëdhënieve duhet të jetë rivendosja e besimit, pa të cilin nuk mund të zhvillohet asnjë përpjekje tjetër diplomatike. Problemi i vetëm është që strategjia e përmbajtjes së Perëndimit, me trupat e NATO-s të dërguara në Europën Lindore dhe me regjimin e ashpër të sanksioneve, nuk kontribuon aspak në ndërtimin e mirëbesimit, por gjeneron vetëm të kundërtën. Edhe sikur Perëndimi të përpiqej të fitonte më shumë besim, do të duhej t’i adresohej, jo vetëm presidentit Putin dhe elitës politike, por edhe shoqërisë së gjerë ruse, pasi vetë Putini është produkt i kësaj të fundit.
“Nuk jemi duke negociuar më me Rusinë e Putinit, por me Putinin e Rusisë”, ka thënë Dmitri Trenin pak muaj më parë. Përmes kësaj fraze ai kërkon të tregojë se diskuri politik i Putinit që ka të bëjë me përballjen dhe përshkrimin e Perëndimit si kundërshtar i Rusisë, ka prekur nervat më të ndjeshme dhe më receptive të shoqërisë ruse.
Kështu, ndryshimi i kësaj bindjeje dhe një riafrim i mundshëm mund të priten vetëm pasi një pjesë e mirë e shoqërisë ruse ta distancojë veten nga mosbesimi i thellë që ndjen për Perëndimin. Problemi është se, duke qenë se ky mosbesim ka rezultuar i drejtë në shumë episode të historisë ruse dhe është rrënjosur thellësisht në kulturën shoqërore, nevojitet shumë kohë dhe durim për ta tjetërsuar atë.

Nga buron mosbesimi i Rusisë
Në një artikull të publikuar kohët e fundit nga Vladislav Inozemcev në lidhje me llojin psikik të një kombi histerik, autori thekson se paranojës të shtuar dhe izolimit të mëpasshëm me botën e jashtme, si fenomene që mund të shpjegojnë rastin e Rusisë. Ai e lidh këtë mendësi me frikën nga bota e jashtme, bazuar në bindjen e krijuar për pamundësinë e shtetit për të konkurruar në mënyrë të barabartë me aktorët globalë në tregun ekonomik nga njëra anë dhe mungesën e alternativës inovative politike dhe modelit shoqëror nga ana tjetër.
Kjo ndjenjë inferioriteti prodhon mllef dhe dëshirë për t’u izoluar. Bota e jashtme perceptohet si armiqësore, një mendësi që diskuton prej kohësh sjelljen politike të brendshme dhe të jashtme të Rusisë. Artikulli ofron edhe një qasje të mirë psikologjike për mënyrën se si duhet trajtuar çështja e Rusisë. As argumentet ekonomike dhe as ato politike nuk mund të shpjegojnë politikën ruse në rast se nuk merret në konsideratë aspekti psikologjik. Nëse do të ishte e mundur që Rusia të nxirrej jashtë flluskës së saj të mosbesimit, atëherë bashkëpunimi me Perëndimin do të ishte i mundur, diçka tepër e vështirë për t’u arritur për shkak të natyrës historike të këtij fenomeni.
Në librin e tij “Hakmarrja e Gjeografisë”, reporteri amerikan Robert Kaplan e lidh fenomenin e mosbesimit të shoqërisë ruse me historinë dhe gjeografinë e vendit. Territori i zgjeruar dhe aksesi i lehtë tokësor e ka bërë Rusinë të dobët përballë sulmeve ushtarake të së shkuarës.
Ndryshe nga Franca dhe Britania e Madhe që janë përballur me armiqtë e tyre përtej detit, rusëve u është dashur të luftojnë me ta brenda territorit rus, ndaj që në fillimet e historisë së tyre, kanë mësuar si të jenë vigjilentë dhe të shqetësuar. Me pak fjalë, mund të themi se pasiguria dhe mosbesimi është pjesë e trashëgimisë kulturore ruse.
Natyrisht ky është një këndvështrim i pamjaftueshëm dhe elementi historik jep një tjetër perspektivë akoma më interesante. Nëse analizojmë historinë sovjetike, zbulojmë menjëherë terrorin politik dhe social të viteve 1930 e më tej, sulmin e Gjermanisë së Hitlerit më 22 qershor 1941 dhe periudhën e gjatë të Luftës së Ftohtë që kanë kontribuar të gjitha në krijimin e ndjesisë së antagonizmit ndërmjet Rusisë Sovjetike dhe Perëndimit.
Kështu, shoqëria ruse mësoi si të ishte gjithmonë e gatshme gjatë periudhës sovjetike dhe si të mos i besonte askujt, qoftë brenda apo jashtë vendit. Kujdesi, tensioni dhe mosbesimi u kthyen në norma shoqërore. Sipas Jeoffrey Hosking, mosbesimi i përgjithshëm shoqëror nuk zhduket lehtë, kështu që fenomeni i nivelit të ulët të besimit vazhdoi edhe gjatë Rusisë postsovjetike.
Gjatë viteve 1990, u bë një përpjekje e shkurtër për të vendosur një marrëdhënie mirëbesimi ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, e cila nuk zgjati shumë dhe filloi të shpërbëhej nga viti 1999 e më tej, duke qenë gjithnjë e më shumë shtete të ish-bllokut lindor filluan të anëtarësoheshin në NATO dhe më pas në Bashkimin Europian. Këto evente kontribuan në rritjen e mëtejshme të dyshimit dhe në Rusinë kronikisht dyshuese, u krijua ndjesia e “rrethimit” nga vendet armiqësore.
Vladimir Putin ishte kreu i parë i shtetit që shfaqi shenja të një vullneti për bashkëpunim me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe premtoi mbështetje nga ana e vendit të tij. Por historia goditi sërish dhe në vitin 2003 Gjeorgjia, Ukraina dhe Kirgistani u përfshinë në valën e revolucioneve me ngjyra që u mbështetën fuqimisht dhe në mënyrë solidare nga ana e Perëndimit. Baza tepër e lëkundur e besimit që ishte krijuar filloi sërish të gërryej dhe u shkatërrua plotësisht në vitin 2008 pas luftës ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Më shumë mirëkuptim, më pak veprim
Kjo kornizë e shkurtër historike është e mjaftueshme për të demostruar se praktikisht nuk ka ekzistuar kurrë një marrëdhënie e bazuar në mirëbesimin reciprok ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Kjo është arsyeja përse situata e sotme nuk mund të fokusohet në idenë e rivendosjes së besimit, por në heqjen e themeleve të para, ose të gurit të parë të themeleve të besimit. Nëse kërkojmë që bashkëpunimi të rivendoset, qoftë në të ardhmen e afërt apo atë të largët, nevojitet një transformim i plotë i marrëdhënies.
Për të arritur këtë, Perëndimi duhet të jetë pala që shfaq më shumë mirëkuptim të tipareve të veçanta të psikologjisë ruse të theksuara më lart, si dhe të zhvillimit të saj social dhe kulturor që ndikon sot në politikën e jashtme ruse. Bashkëpunimi i ardhshëm duhet të bazohet në ndërgjegjësimin e plotë për këto veçanti dhe duhen marrë në konsideratë interesat e Rusisë. Në këtë kontekst, “miqësia” e parashikuar ndërmjet Putinit dhe presidentit Trump mund të jetë hapi i parë drejt arritjes së këtij qëllimi. Edhe pse ata janë të dy liderë që kanë shfaqur mosbesim kundrejt botës së jashtme, ndoshta ky është tipari që mund t’i shtyjë ata të tregohen të matur për hapat që do të ndjekin drejt bashkëpunimit me njëri-tjetrin.
Nëse Rusia është e interesuar të bashkëpunojë, duhet të shfaqë edhe respekt për vlerat perëndimore dhe të aderojë në arkitekturën ligjore dhe të sigurisë europiane, duke krijuar njëkohësisht edhe një koncept të ri për rolin e saj në Europë. Nga ana e tij, Perëndimi do të duhet medoemos ta pranojë Rusinë si pjesëmarrëse dhe bashkëprojektuese të Europës.
Në këtë rast, mund të merret në konsideratë një marrëveshje e re ndërkombëtare bazuar në Aktin e Helsinkit dhe Kartën e Parisit. Në tërësi, Rusia dhe Perëndimi duhet të kërkojnë të arrijnë një mirëkuptim më të mirë për veçantitë kulturore dhe sociale të secilës palë dhe duhet të synojnë të aplikojnë më pak forcë për të ndërtuar gradualisht një bazë të qëndrueshme marrëdhënieje, duke ofruar kështu vullnet të përbashkët politik dhe një vizion të qartë drejt bashkëpunimit.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakFMN: Ulni borxhin në 60%, masa shtesë për kreditë e këqija
Artikulli tjetërRumania humbi 33 miliardë dollarë në vit nga korrupsioni