Resursi më i çmuar lufta e të dhënave

“The Economist”

Një rafineri nafte është një katedrale industriale, një vend pushteti, dramash dhe anësh të errëta: kullat e fraksionimit janë çatitë me majë gotike të saj, gazet e djegshme vetratat plot ngjyra të saj, era dehëse e hidrokarbureve aroma e saj. Në të kundërt, një qendër të dhënash është pak spektakolare: është një fabrikat i ulët dhe i hirtë që shtihet sa të ha syri pa dritare, pa dekorime. E megjithatë strukturat e saj kanë shumë pika të përbashkëta. Mbi të gjitha, tubat. Në rafineri shërbejnë për të grumbulluar benzinë, propan dhe nënprodukte të tjera të naftës. Në qendrat e të dhënave transportojnë ajrin për ftohjen e dhjetëra mijëra kompjuterëve që nxjerrin vlerë–modele, parashikime dhe përpunime të tjera–nga informacionet bruto. Edhe roli i tyre është njëlloj: të prodhojnë lëndë të para themelore për ekonominë botërore. Pa elementët e naftës, automobilat, plastikat dhe pjesa më e madhe e ilaçeve nuk do të ekzistonin. Informacionet e nxjerra nga qendrat e të dhënave ushqejnë në fakt shërbimet online dhe botën reale gjithnjë e më shumë të ndërlidhur. Për shekullin tonë, të dhënat janë ajo që nafta ka qenë për ‘900: një motor rritjeje dhe ndryshimi. Flukset e të dhënave kanë krijuar infrastruktura të reja, kompani të reja, monopole të rinj, një politikë të re dhe sidomos një ekonomi të re. Të dhënat dixhitale nuk ngjajnë me asnjë resurs të së kaluarës: nxirret, rafinohen, vlerësohen, blihen dhe shiten në mënyra të ndryshme. Ndryshojnë rregullat e tregjeve dhe u imponojnë ndryshime autoriteteve. Mbi pronësinë dhe mbi shfrytëzimin e të dhënave do të bëhen beteja të pafundme. Nga ana tjetër, posti në lojë është shumë i madh. Kompania kërkimore e tregut IDC parashikon që në 2025 “universi dixhital” (të dhënat që çdo vit krijohen dhe kopjohen) do të arrijë 180 zetabajt (180 e pasuar nga 21 zero). Për t’i bërë të kalojnë të gjitha nëpërmjet një lidhjeje me të shpejtë do të duheshin më shumë se 450 vjet. Për të shpejtuar transferimin e të dhënave në qendrat e saj të përpunimit, Amazon përdor kamionë të ngarkuar me memorie me një kapacitet prej 100 petabajt (vetëm 15 zero). Për t’i përtypur të gjitha, kompanitë nguten që të ndërtojnë rafineri të dhënash: sipas “Wall Street Journal”, në 2016 Amazon, Alphabet (kompania mëmë e Google) dhe Microsoft kanë shpenzuar thuajse 32 miliardë dollarë, 22% më shumë se një vit më parë.

Analizë në kohë reale

Edhe cilësia e të dhënave ka ndryshuar. Nuk janë më përmbledhje të thjeshta dhe informacione të tjera personale si mosha, seksi dhe të ardhurat. Ekonomia e re bazohet sidomos mbi analizën në kohë reale e flukseve të shpejta të të dhënave që shpesh nuk janë të strukturuara: milionat e fotove dhe të videove të gjeneruara nga përdoruesit e rrjeteve sociale, informacionet e prodhuara nga tramet teksa shkojnë në punë, të dhënat e ndjesorëve të vendosura në motorin e një avioni. Nga trenat me turbina eolike, tek skuqëset e bukëve, të gjitha aparate dhe terminale që gjenerojnë të dhëna. Bota do të pushtohet nga ndjesorët: kudo që do të shkojmë do të lëmë një gjurmë dixhitale, edhe pa qenë të lidhur me internet. Siç thotë Paul Sonderegger, përgjegjës i strategjisë për big data në prodhuesin e softuerëve Oracle, “të dhënat do të jenë ekstrenaliteti suprem: çdo gjë që bëjmë do të prodhojë të dhëna”. Por aspekti më i rëndësishëm është se vlera e tyre po rritet.
Në fillim Facebook dhe Google i përdornin të dhënat mbi përdoruesit për ta drejtuar më mirë publicitetin. Kurse gjatë viteve të fundit kanë zbuluar se të dhënat mund t’i transformojnë në një shumëfishtësi shërbimet inteligjence artificiale potencialisht fitimprurëse, midis të cilave përkthimi, njohja faciale dhe vlerësimi i tipareve të personalitetit mbi bazën e asaj që një përdorues shkruan. Secili prej këtyre shërbimeve mund t’u rishitet kompanive të tjera. Edhe pse sinjalet e ekonomisë së të dhënave janë kudo, konturet e saj po ravijëzohen vetëm tani. Ekzistojnë shumëkombëshet e mëdha, një numër në rritje “kërkuesish të naftës” guximtarë dhe një numër kompanishë të vogla që provojnë të sigurojnë një fetë të tortës. Të gjithë duan të shfrytëzojnë një motor shumë të fuqishëm ekonomik të quajtur “efekt data – network”: përdoren të dhënat për të tërhequr përdorues të rinj, që nga ana e tyre gjenerojnë të dhëna të reja, që ndihmojnë të përmirësohen shërbimet, që tërheqin përdorues të tjerë. Operatorët e mëdhenj tërhiqen nga vendburimet më të pasura. Sa më shumë përdoruesit botojnë komente, bëjnë like apo ndërveprojnë në Facebook, aq më shumë kompania e Mark Zuckerberg mëson gjëra të tjera mbi këta përdorues dhe arrin t’i drejtojë më mirë reklamat publicitare. Në të njëjtën mënyrë, sa më shumë njerëz kërkojnë në Google, aq më shumë përmirësohen rezultatet e kërkimeve. Këto kompani kërkojnë vazhdimisht puse të rinj informacioni.
Facebook ua jep për testim disa prej algoritmeve të tij përdoruesve, për shembull kur karikojnë apo bëjnë tagg fotot e miqve. Ja pse kompjuterët e tij sot arrijnë të njohin qindra milionë persona me një saktësi prej 98%. Mazhordomi dixhital i Google, që quhet Assistant, sa më shumë përdoret, aq më shumë bëhet i zoti në realizimin e detyrave të caktuara dhe në përgjigjen e pyetjeve. Uber është i famshëm për shërbimet e transportit privat, por nëse kompania sot ka një vlerë që shkon në 68 miliardë dollarë, kjo është edhe pse ka basenin më të madh të të dhënave mbi ofertën (shoferët) dhe mbi kërkesën (pasagjerët) e sektorit. I njëjti diskutim vlen për Tesla, që për shumë njerëz është thjesht një kompani që prodhon makina elektrike luksi. Në të vërtetë, makinat e saj përmbajnë male me të dhëna që i mundësojnë kompanisë t’i optimizojë algoritmet e saj të vozitjes automatike dhe, për pasojë, të azhornojë softuerin. Në 2016, Tesla ka grumbulluar të dhëna për makinat që kanë bërë më shumë se 2 miliardë kilometra. Startup-et që bazohen mbi shfrytëzimin e të dhënave janë “kërkuesit e naftës” e ekonomisë së re: shkojnë në gjueti të vendburimeve, i shfrytëzojnë dhe i transformojnë në shërbime të reja, nga analiza e radiografive dhe të TAC-ve në llogaritjen se ku të sprucohet herbicidi në terrenet bujqësore. Izraeliania Nexar ka shpikur një mënyrë inteligjente për të shfrytëzuar shoferët si burim të dhënash: aplikacioni i saj i transformon smartfonët në minitelekamera që “kapin” filmimet e spostimeve të tyre mbi bazën e gjesteve që përsërisin më shpesh. Nëse pjesa më e madhe e shoferëve i shtypin frenat në të njëjtën pikë, kjo do të thotë se në rrugë ka ndonjë gropë apo ndonjë pengesë tjetër. Shoferët shpërblehen për përdorimin e aplikacionit me një telekamerë që instalohet në kroskot dhe një seri shërbimesh, midis të cilëve një relacion i detajuar mbi një incident eventual. Qëllimi i Nexar është të ofrojë shërbime që i ndihmojnë shoferët të shmangin incidentet, për shembull, duke sinjalizuar gropat apo makinat që ndalen prapa kthesave të rrezikshme.
Edhe kompanitë joteknologjike kërkojnë që t’u afrohen puseve dixhitalë. Për shembull, General Electric ka krijuar një “sistem operativ për internetin industrial” të quajtur Predix, që ndihmon klientët të kontrollojnë makineritë e tyre. Predix është edhe një sistem grumbullimi të dhënash: mbledh informacione mbi makineritë me të cilat është lidhur, i kryqëzon me të dhëna të tjera dhe krijon një seri algoritmesh që kontribuojnë për të përmirësuar funksionimin e një centrali elektrik apo të kuptojnë se kur të bëjnë mirëmbjajtjen e motorit të një avioni përpara se të pësojë difekt. Siç ndodh në tregun e naftës, shumëkombëshet e mëdha e të dhënave i absorbojnë vazhdimisht kompanitë më të vogla, por ka një aspekt të ekonomisë së të dhënave që do t’u tingëllonte i çuditshëm operatorëve të arit të zi. Nafta është malli më shumë i shkëmbyeshëm në botë për nga vlera. Kurse shkëmbimi tregtar i të dhënave praktikisht nuk ekziston. Jemi shumë larg nga skenari që shumë kishin në mendje kur të dhënat konsideroheshin një “lloj i ri mallrash me vlerë”, siç i quajti një raport i vitit 2011 i Ëorld Economic Forum. Ky përkufizim sugjeronte se ekonomia e të dhënave do të bazohej mbi një seri tregjesh të lulëzuara me bit dhe byte. Kurse aktualisht ngjan me një seri silosësh të pavarur. “Kostot transkombëtare” të tregjeve–kërkimi i informacionit, hapja e traktativave tregtare, respektimi i kontratave – e bëjnë më të thjeshtë dhe më efikas këtë aktivitet. Shumë shpesh është më shumë fitimprurëse të gjenerosh e të përdorësh të dhënat në kompani sesa t’i blesh në një treg të hapur. Pavarësisht bollëkut, të dhënat nuk janë një mall si nafta: çdo luks informacionesh është i ndryshëm, për shembull në termat e punktualitetit apo të plotësisë potenciale. Kjo mungesë “ndërkëmbyeshmërie”, siç quhet na zhargonin ekonomik, e bën të komplikuar për blerësit që të identifikojnë një seri specifike të dhënash dhe të përcaktojnë një çmim: vlera e çdo serie është e vështirë për t’u krahasuar me të dhëna të tjera. Shkëmbimi tregtar është i shkurajuar, pasi palët kanë frikë të dyja që të rilidhen. Hulumtuesit sapo kanë nisur të zhvillojnë metodologji për të përcaktuar çmimet.
Një prej pionerëve të kësaj fushe është Jim Short nga University of California, San Diego. Short studion rastet në të cilat u është vendosur një vlerë ekonomike e një serie të dhënash. Një ka të bëjë me Caesars Entertainment, një operator online lojërash fati që ka falimentuar në 2015. Është përcaktuar se malli me vlerë më të madhe i tij, i vlerësuar në 1 miliard dollarë, ishte databaza e 45 milionë klientëve të 17 viteve të mëparshme. Vështirësia në përcaktimin e çmimit është një prej motiveve më të rëndësishëm për të cilat shpesh një kompani e konsideron më të thjeshtë të blejë një tjetër, edhe pse është e interesuar sidomos për të dhënat. Kështu ka ndodhur edhe në 2015, kur IBM-ja ka shpenzuar 2 miliardë dollarë për të blerë Weather Company dhe vënë dorë mbi malet e të dhënave metereologjike dhe mbi infrastrukturat e nevojshme për t’i grumbulluar.
Një tjetër praktikë janë marrëveshjet mbi modelin e shkëmbimit: pjesë të shërbimit shëndetësor kombëtar britanik dhe të DeepMind, degës së Inteligjencës Artificiale të Alphabet, shkëmbejnë të dhëna anonime për pacientët që të nxjerrin indikacione mjekësore. Fakti që informacioni dixhital, në ndryshim nga nafta, është edhe “joantagonist”, në kuptimin që mund të kopjohet e përdoret nga më shumë se një person (ose algoritëm) në radhë, krijon komplikacione të mëtejshme: nënkupton se të dhënat mund të përdoren lehtësisht për qëllime të ndryshme nga ato të dakordësuarat. Kjo krijon konfuzion të mëtejshëm mbi pronësinë e të dhënave: në rastin e një automobili që drejtohet vetë mund t’i përkasin shtëpisë prodhuese, furnizuesit të ndjesorëve apo pasagjerit. “Shitja e të dhënave është e mërzitshme”, thotë Alexander Linden nga kompania kërkimore Gartner. Për pasojë, më të shumtën e herëve marrëveshjet tregtare mbi të dhënat janë bilaterale dhe ad hoc. Nuk është një aktivitet për ata me zemër të dobët: kontratat mbi të dhënat shpesh janë të formuara nga dhjetëra faqe të shkruara me gjuhë të dendur ligjore, me formula që specifikojnë përdorimet e lejuara dhe modalitetet e mbrojtjes së informacioneve.
Në rastin e të dhënave personale, problemi është akoma edhe më kompleks. “Një treg ndërkombëtar i informacioneve i rregulluar mund të mundësojë shitblerjen e të dhënave personale, duke u dhënë shitësit të drejtën që të vendosë sesa informacione të divulgojë”, shkruante Kenneth Laudon nga New York University, në një artikull influent të 1996 me titull “Markets and Privacy”. Shumë më vonë, World Economic Forum ka propozuar idenë e një llogarie bankare ku të dhënat e një personi duhet të “qëndrojnë në mënyrë që të mund të kontrollohen, menaxhohen, shkëmbehen dhe kontabilizohen”. Është një ide e rafinuar, por deri më tani as një treg, as “llogari bankare” të të dhënave nuk janë materializuar akoma. Është problemi i kundërt me atë të të dhënave të grumbulluara nga kompanitë: privatët i japin shumë lehtësisht të dhënat e tyre personale në shkëmbim të shërbimeve falas. Marrëveshjet e shkëmbimit janë bërë norma për këtë rast, thotë Glen Weyl, ekonomist nga Microsoft Research. Pas plasjes së flluskës së internetit në fillimin e viteve 2000, kompanitë kërkonin me dëshpërim një mënyrë për të bërë para.
Grumbullimi i të dhënave për të drejtuar publicitetin ishte zgjidhja më e shpejtë. Vetëm kohët e fundit kompanitë e kanë kuptuar se të dhënat mund të transformohen në një larmi të pafundme shërbimesh inteligjence artificiale. Nëse shkëmbimi midis të dhënave dhe shërbimeve falas është i padrejtë ose jo, varet mbi të gjitha nga çfarë është që u jep vlerë këtyre shërbimeve: janë të dhënat apo algoritmet që i përpunojnë? Të dhënat, thekson Hal Varian, Kryeekonomist i Google, janë subjekte ndaj ligjit të “rendimenteve të shkallës në ulje”: në praktikë çdo e dhënë shtesë prodhon gjithnjë e më pak vlerë dhe, përtej një pragu të caktuar, të mbledhësh të tjera nuk shton asgjë. Gjëja më e rëndësishme, shpjegon Varian, është cilësia e algoritmeve që përpunojnë të dhënat dhe talentin, të cilat disponon një kompani për t’i zhvilluar. Sukesi i Google “është një çështje recete, jo përbërësish”. Ndoshta kjo ishte e vërtetë të fillimet e kërkimeve online, por nuk është më në botën e re dhe të ndritshme të inteligjencës artificiale. Algoritmet mësojnë gjithnjë e më shumë nga vetëvetja: sa më të shumtë e më të azhornuar të jenë të dhënat që marrin, aq më mirë është. Dhe në realitet rendimentet marxhinalë e të dhënave rriten me shumëfishimin e aplikacioneve, thotë Weyl. Kur një kompani si Uber ka grumbulluar aq të dhëna sa për të ofruar një shërbim (për shembull, informacione mbi trafikun në kohë reale), shtimi i të dhënave të tjera nuk e ndryshon shumë situatën. Por nëse vazhdon të akumulojë të dhëna, në një moment të caktuar mund të jetë në gjendje të ofrojë shërbime të reja, si planifikimi i rrugëtimit. Këto debate, ashtu si mungesa e një tregtimi i të dhënave, mund të përfaqësojnë një lloj “faze maturimi” të sektorit. Në industrinë e naftës janë dashur dekada përpara se të shfaqeshin tregjet funksionuese. Paradoksalisht, qe Standard Oil, monopoli i krijuar nga John D. Rockefeller u bë në fund të ‘800, për të përshpejtuar procesin, duke kontribuar në zhvillimin e teknologjisë dhe të standardeve që kanë bërë të mundur të shkëmbehet resursi i ri në treg.

Pafuqi e kuptuar

Ekzistojnë prej kohësh tregje për të dhënat personale me vlerë të lartë apo më të lehta për t’u standardizuar. Të ashtuquajturit ndërmjetës të të dhënave i shkëmbejnë rëndom këto lloj informacionesh. Në sektorë të tjerë fillojnë të lindin tregje apo surrogatot e tyre. Oracle po hap një lloj burse dixhitale në të cilën klientët e tij do të mund të shesin të dhënat, t’i kombinojnë me seritë e siguruara nga Oracle dhe të nxjerrin informacione. Kompani të tjera kërkojnë që të përfshijnë më shumë konsumatorët. Citizenme u mundëson përdoruesve që t’i grumbullojnë të gjitha të dhënat e tyre online në një mjedis të vetën dixhital dhe të fitojë një shumë të vogël nëqoftëse i ndajnë me markat tregtare. Datacoup shet informacione të nxjerra nga të dhënat personale dhe u shpërndan pjesë të të ardhurave përdoruesve. Deri më tani asnjë prej këtyre zgjidhjeve nuk ka pasur sukses dhe ato që përqendrohen mbi të dhënat personale rrezikojnë që të mos ecin kurrë. Në gjendjen aktuale, konsumatorët dhe kolosët e internetit janë të lidhur në një përqafim të bezdisshëm. Përdoruesit nuk e dinë sesa vlejnë të dhënat e tyre dhe nuk duan që të përballen me bezdinë që t’u duhet t’i menaxhojnë, thotë Alessandro Acquisti nga Carnegie Mellon University. Por po demonstrojnë edhe simptomat e të ashtuquajturit learned helplessness, pafuqishmëri e mësuar: termat dhe kushtet e shërbimit shpesh janë të papenetrueshme dhe përdoruesit nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse t’i pranojnë (aplikacionet për smartfonët mbyllen menjëherë nëse nuk klikohet mbi “Accept”). Nga ana e tyre, kompanitë online janë bërë të varura nga droga e të dhënave dhe nuk kanë asnjë interes që ta modifikojnë paktin me përdoruesit. Të paguarit për të dhënat dhe zhvillimi i sistemeve të kushtueshme për të kapur transaksionet do ta bënte rafinimin e të dhënave shumë më pak fitimprurës. Të dhënat nuk do të ishin resursi i vetëm i rëndësishëm që nuk është shkëmbyer universalisht në treg: le të mendojmë për frekuencat radio dhe të drejtat mbi ujin. Por tek të dhënat ka një probabilitet më të madh mosrealizimesh, thekson Weyl. Nëse informacioni dixhital nuk ka çmim, atëhere do të jetë e pamundur që të krijojë të dhëna me vlerë. Dhe nëse të dhënat qëndrojnë të mbyllura nëpër silosë, atëherë do të jetë e pamundur që t’u nxirret vlerë. Rafineritë e big data nuk kanë monopolin e novatorizmit; kompani të tjera mund të gjenden në një pozicion më të mirë për të kuptuar sesi të shfrytëzohen informacionet.

Si Standard Oil

Problemet e tregjeve të të dhënave rrezikojnë ta bëjnë edhe më të vështirë zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara politike. Kryesoret janë tri: konkurrenca, privatësia dhe barazia. Më urgjentja ka mundësi që të jetë lufta kundër monopoleve. Në 1911 Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e copëtoi Standard Oil, që në atë kohë kontrollonte rreth 90% të rafinimit të naftës në vend. Në librin e tij “Move Fast and Break Things”, Jonathan Taplin nga University of Southern California, apelon për një masë të ngjashme për Google dhe kompani të tjera. Por një ilaç kaq radikal nuk do ta zgjidhte problemin. Një copëtim do të ishte tejet traumatik dhe do ta ngadalësonte rinovimin dhe, ka shumë të ngjarë, një Google i ri do të kthehej shumë shpejt të kishte sërish një rol dominues. Pavarësisht gjithçkaje, shtohen apelet për zgjidhje. Sipas Ariel Ezrachi nga “Oxford University”, kompanitë e mëdha teknologjike kanë shumë pushtet. Duke qenë se disponojnë të dhëna më të shumta e më të azhornuara se të tjerët, janë në gjendje të identifikojnë në afate shumë shkurtër konkurrentët potencialisht të rrezikshëm. Falë resurseve të tyre të pafundme financiare mund të blejnë startup-et që kërcënojnë dominin e tyre të tregut dhe mund të manipulojnë tregjet, për shembull duke vepruar në mënyrë të tillë që algoritmet e tyre të reagojnë më shpejt kur konkurrenca kërkon që të fitojë klientë duke ulur çmimet. “Dora e padukshme po bëhet një dorë dixhitale”, thotë Ezrachi. Autoritetet antitrust duhet t’i rafinojnë instrumentat e tyre për erën dixhitale. Komisioni Europian nuk e ka penguar shkrirjen e Facebook me WhatsApp. Brukseli ka pranuar se të dy kompanitë menaxhonin më shumë se 2/3 e shërbimeve më të mëdha të mesazhistikës me tekst, por ka shtuar se në treg ka shumë të tjerë. Veç kësaj, operacioni nuk do ta zgjeronte databazën e Facebook, pasi WhatsApp nuk mbledh informacione të detajuara mbi përdoruesit e tij. Problemi është se Facebook po blinte një rival potencial. WhatsApp ka ndërtuar një rrjet alternativ lidhjesh midis miqsh. Facebook është impenjuar që të mos i bashkoje përdoruesit e tij me ato të WhatsApp, por në 2016 ka filluar ta bëjë, duke e shtrënguar Komisionin që të kërcënojë sanksione. Frustrimi për rastin e Facebook shpjegon se pse disa vende europiane kanë filluar tashmë t’i modifikojnë ligjet për konkurrencën. Në Gjermani, Parlamenti po diskuton një ligj që do t’i mundësonte Antitrustit gjerman që të ndërhynte në rastet ku është në lojë akumulimi i të dhënave. Është hapur tashmë një investigim lidhur me Facebook dhe mbi abuzimin e supozuar të pozicionit dominues të lidhur me imponimin e disa zgjedhjeve të caktuara për privatësinë. Një rregull i mirë i përgjithshëm për autoritetet antitrust është që të jenë të zgjuara sa kompanitë që kontrollojnë. Në një dokument të botuar kohët e fundit, Ezrachi dhe kolegu Maurice Stucke u kanë propozuar autoriteteve antitrust që të zhvillojnë “inkubatorë me bashkëpunim të heshtur”. Për të zbuluar nëse algoritmet e përcaktimit të çmimeve manipulojnë tregjet apo mos janë fare në bashkëpunim, autoritetet duhet të bëjnë simulime në kompjuterët e tyre.

Ndarje e detyrueshme

Një ide tjetër është të promovohen alternativa ndaj centralizimit të të dhënave. Qeveritë mund ta cedojnë një pjesë të të dhënave që grumbullojnë, duke krijuar mundësi për sipërmarrjet më të vogla ose të mbështesin “kooperativat e të dhënave”. Në Zvicër, platforma Midata grumbullon të dhënat mbi shëndetin e pacientëve, që vendosin nëse duan t’i vënë në dispozicion për projekte kërkimore. Për disa lloje themelore të dhënash, ndarja deri mund të bëhet e detyrueshme. Ben Thompson, kurator i newsletter Stratechery, ka propozuar detyrimin për rrjetet kryesore sociale që t’u japin akses të lirë në grafëve të tyre socialë, grafikstët që përfaqësojnë raportet midis përdoruesve. Instagram, shërbimi për ndarjen e fotove i blerë nga Facebook, është ngritur duke importuar përdoruesve listën e ndjekësve të tyre në Twitter. “Rrjetet sociale nuk e mundësojnë më prej kohësh dhe kjo e pengon akoma më shumë konkurrencën”, vëren Thompson. Ndarja e detyrueshme e të dhënave nuk është një gjë aq e pazakontë: për shembull, në Gjermani sigurimet janë të detyruara që të japin kolektivisht një seri statistikash, midis të cilave ato lidhur me incidentet automobilistike, që operatorët më të vegjël nuk do të ishin në gjendje t’i hartonin vetë. Rregullimi i ri i përgjithshëm mbi mbrojtjen e të dhënave i Bashkimit Europian, që do të hyjë në fuqi në majin e 2018, u imponon shërbimeve online që ta bëjnë më të lehtë për klientët që t’i transferojnë të dhënat e tyre personale në kompani të tjera. Por “portabiliteti i të dhënave” dhe ndarja nxjerrin në dritë problemin e dytë të madh politik: tensionin midis tregjeve të të dhënave dhe privatësisë. Nëse të dhënat personalet shiten apo ndahen, ato fare mirë mund edhe të divulgohen. Për ta reduktuar këtë rrezik, Bashkimi Europian dëshiron të forcojë kontrollin e privatëve mbi të dhënat e tyre: kompanitë duhet të kenë konsensusin eksplicit të klientëve për përdorim që kanë ndërmend t’u bëjnë të dhënave të tyre personale. Gjobat në rast shkeljesh janë të kripura: deri në 4% të të ardhurave apo deri në 20 milionë euro. Do të jetë e vështirë që të respektoheshin këto rregulla në një botë ku flukset e të dhënave përzihen dhe kryqëzohen midis tyre. Ekziston edhe një tjetër kontradiktë potenciale midis një ruajtjeje më të rreptë të të dhënave dhe një konkurrence më të madhe: jo vetëm kompanitë e mëdha kanë mjete superiore për t’u përshtatur rregullimeve të kushtueshme mbi privatësinë, por do të përfundojnë edhe me pasjen e një kontrolli më të madh të të dhënave. Me kalimin e kohës një teknologji e re, që shkon përtej një garancie të thjeshtë e të brishtë anonimati, mund t’i zgjidhë këto tensione. Startup-i Bitmark shfrytëzon të njëjtën teknologji të blockchain, atë në themel të monedhës elektronike bitcoin, për të gjetur aksesin tek të dhënat. Por do të jenë të nevojshme edhe risi në fushën normative, vëren Viktor Mayer-Schönberger, Docent në “Oxford University”: duhet rregulluar jo vetëm grumbullimi i të dhënave, por edhe përdorimi i tyre. Ashtu si kompanitë ushqimore kanë ndalimin që të përdorin ingredientë të caktuar, edhe kompanitë online duhet të kenë ndalimin e përdorimit e të dhënave të caktuara apo që t’i përdorin në mënyrë që t’u shkaktojnë dëm të tretëve. Një masë e ngjashme thekson Mayer-Schönberger, do ta spostonte përgjegjësinë drejt subjekteve që mbledhin dhe përdorin të dhënat, të vënë kështu përpara përgjegjësisë për mënyrën me të cilën menaxhojnë informacionet në vend që të kufizohemi e t’u kërkojmë konsensusin individual. Një normativë e përqendruar mbi përdorimin do të ishte po aq e vështirë për t’u respektuar nga rregullat e njoftimit dhe konsensusit që disiplinojnë sot mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave. Dhe ka mundësi që do ta rëndonte atë që për dikë është çështja e tretë e madhe e pazgjidhur e ekonomisë së të dhënave në formën aktuale të saj: disa sigurojnë më shumë përfitime se të tjerët, si në nivel social, ashtu edhe në atë gjeografik.
Të paktën për sa u përket të dhënave personale, modeli aktual është në thelb i pambështetshëm. Dora-dorës që vlera e të dhënave rritet dhe që ekonomia rreth të dhënave bëhet më e rëndësishme, rafineritë e informacioneve dixhitale fusin në xhep të gjitha fitimet. Privatët, që gjenerojnë të dhënat, mund të tërhiqen përpara një shkëmbimi jo të drejtë që vlerëson vetëm aksesin falas në shërbimet. I pari që e ka nënvizuar këtë aspekt ka qenë Jaron Lanier, nga Microsoft Research, në librin e tij “Who Owns The Future?”, i botuar në 2014. Weyl, që bashkëpunon me Lanier dhe po shkruan një libër mbi rrugët e reja të ekonomisë liberale bashkë me Eric Posner nga Chicago University, propozon një tjetër version të kësaj teze: në analizë të fundit, shërbimet e inteligjencës artificiale nuk prodhohen nga algoritmet, por nga njerëzit që gjenerojnë lëndën e parë. “Të dhënat janë krah pune”, thotë Weyl, që po punon për një sistem që mat vlerën e kontributit individual të të dhënave, me objektiv garantimin e një shkëmbimi më të drejtë. Problemi, thotë Weyl, është të kuptojnë njerëzit se të dhënat e tyre kanë një vlerë dhe se kanë të drejtë për kompensim. “Ekziston nevoja e një lëvizjeje për punën dixhitale”, thotë ai. Do të jetë akoma më e vështirë të binden siren servers (serverët sirenë) – siç i quan Lanier kolosët e të dhënave, duke aluduar për sirenat e Uliksit – që të ndryshohen zakone, duke parë se të gjithë kanë për të fituar nga statuskuoja. Një shpërndarje gjeografike më e drejtë e vlerës së nxjerrë nga të dhënat rrezikon që të jetë një objektiv akoma edhe më i vështirë për t’u arritur. Aktualisht, pothuajse të gjitha rafineritë e mëdha e të dhënave ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose janë të kontrolluara nga kompani amerikane. Në të ardhmen edhe kjo situatë do të bëhet e papërballueshme. Përplasjet e kaluara midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës lidhur me privatësinë janë vetëm një antipastë e asaj që mund të ndodhë në të ardhmen. Kina po studion projektligje që do t’u imponojnë kompanive që të ruajnë në serverët e ndodhur në territorin kombëtar të gjitha të “dhënat kritike” e mbledhura. Akoma askush nuk e vret mendjen për një luftë lidhur me të dhënat, por ekonomia e të dhënave ka të njëjtin potencial konfliktualiteti.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakPasojat e 25 qershorit po ndihen çdo ditë
Artikulli tjetërUDB: Shërbimi shumë sekret i Jugosllavisë