Republikanët shumicë në të dy dhomat e Kongresit

Disa javë më parë, kur anketat tregonin se Hillary Clinton kishte një epërsi të madhe në garën presidenciale, demokratët ishin të bindur se do të merrnin kontrollin e Senatit. Madje më optimistët mendonin që demokratët kishin mundësinë të merrnin edhe kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Por rezultatet e zgjedhjeve të së martës e treguan qartë jo vetëm humbjen e kandidates demokrate për president, Hillary Clinton, por edhe fitoren e republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit. Të martën u mbajtën zgjedhje për 34 nga 100 ulëset në Senatin amerikan dhe 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve. Me dy gara ende të pavendosura, republikanët do të kenë 51 ulëse në Senat, ndaj 47 ulëseve që kanë demokratët.
Republikanët do të ruajnë shumicën edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, por me një epërsi më të vogël se më parë. Ruajtja e shumicës në të dyja dhomat e Kongresit është e rëndësishme, pasi ato përcaktojnë axhendën legjislative dhe kryesojnë komisionet e fushave të ndryshme.

Artikulli paraprakClinton frymëzim për vajzat
Artikulli tjetërKremlini, kontakte me fushatën e Trump