Rama qëllohet me vezë në Shkodër: Ik o plehër kimike

Kryeministri Rama është pritur me protesta dhe është goditur me vezë në Shkodër. Siç ndodhi dy ditë më parë në Elbasan, edhe gjatë vizitës së djeshme në Shkodër, kreu i qeverisë u prit me revoltë nga studentët. Studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër kërkuan largimin e tij nga qeveria dhe krijimin e një qeverie teknike. Studentët mbanin pankarta në duar, ku shkruhej: “Rama ik!”, “Qeveri teknike”, “Rama, o plehrë kimike”. Përveç thirrjeve ndaj kreut të qeverisë për t’u larguar për t’i hapur rrugën qeverisë teknike, nuk kanë munguar as goditjet me vezë.
Përpara takimit me pedagogët e Universitetit të Shkodrës, të rinjtë e Forumit Rinor të PD, i kanë kujtuar Ramës të kthejë sytë nga protesta e opozitës përpara Kryeministrisë që ka hyrë në ditën e saj të 12-të dhe të mos harrojë kërkesën kryesore: Largimin e tij dhe krijimin e qeverisë teknike. Është dashur ndërhyrja e Policisë për të larguar protestuesit dhe lejuar Ramën të hyjë në universitet. Rama është mbrojtur nga Policia dhe nga Garda e Republikës, që kanë ndaluar me forcë disa dhjetëra protestues që po e prisnin tek hyrja e godinës.
Kreu i FRPD-së në Shkodër, Arvin Bushati, u shpreh se, studentët kërkojnë largimin e kryeministrit Rama për shkak të korrupsionit dhe dështimit të Reformës në Arsim. Ai deklaroi se, pati një konfrontim me policinë dhe ata nuk u lejuan që t’i afrohen rektoratit të universitetit, ku kaloi kryeministri.
Protesta e studentëve të Shkodrës kundër Ramës është përshëndetur nga ish-kryeministri Berisha. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se: Studentët e Shkodrës e presin Ramën siç e meriton. Rama sot me 950 policë dhe gardistë shkoi me makinë të blinduar për takim me FRESSH-istë në Universitetin e Shkodrës. Tek hyrja e Universitetit, ai u prit siç e meritonte me protesta nga studentët që mbanin pankarta “Rama ik”, shkruan Berisha.
Edhe në Elbasan, Rama u prit me protesta nga studentët, ku ai kishte shkuar për një leksion me pedagogët e studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Një grup studentësh i kanë zënë rrugën kryeministrit në hyrje të Universitetit, duke i kërkuar dorëheqjen. Protestuesit mbanin në duar pankarta me sloganet “Rama jep dorëheqjen”, “Reforma në Arsim është e dështuar” etj.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar qindra forca të policisë dhe Gardës, duke ushtruar presion tek studentët protestues, duke mos i lejuar që të protestonin. Në kohën kur kryeministri i shoqëruar nga eskorta e tij hyri në ambientet e brendshme të universitetit, studentët kanë hedhur sërish parulla kundër tij. Garda dhe policia kanë rrethuar Universitetin e Elbasanit, ndërsa në tarracat e pallateve janë vendosur disa snajpera. Universiteti ka qëndruar i rrethuar derisa Rama ka mbaruar fjalën e tij.
Ligji për Arsimin e Lartë hartuar dhe miratuar nga Qeveria Rama vazhdon të kundërshtohet me forcë nga gjimnazistët dhe studentët. Prej disa muajsh, studentët e universiteteve të Tiranës dhe të rretheve, janë ngritur kundër Reformës në Arsimin e Lartë. Studentët kundërshtojnë mënyrën si do të bëhet financimi dhe se me draftin e ri vihet shenja e barazimit mes Universitetit Publik dhe atij privat. “Ky ligj e sheh studentin jo si një përfitues të dijes si e mirë publike, por si një element pothuajse jashtë sistemit të Arsimit të Lartë”, u shprehën studentët vetëm disa ditë pas miratimit të draftit përfundimtar për ndryshimet në Arsimin e Lartë.
Gjithashtu, studentët janë kundër një reforme që rrit tarifat e studimit. Të rinjtë janë kundër marrjes së kredive në momentin kur ata pranohen në Universitet. Po kështu, studentët kundërshtojnë reformën, që i shikon ata si klientë dhe jo si e ardhmja e vendit. Të mbështetur dhe nga pedagogët, studentët janë kundër dhe bordit të administrimit, ku 3 anëtarë do të emërohen nga Ministria e Arsimit.

Rama mashtron për “Kafen e Madhe”, Ademi: Fondet i kanë shkuar Roshit?!

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar ndaj mashtrimeve të kryeministrit Rama për rikonstruksionin e “Kafes së Madhe”, sipas të cilit, “Bashkia Shkodër nuk i jep leje firmës ndërtuese për nisjen e punimeve”. Në një reagim të saj, Ademi deklaron se, për “Kafen e Madhe” nuk është paraqitur asnjë firmë ndërtuese për të marrë leje dhe pyet Ramën se mos vallë paratë i kanë shkuar Bashkisë së Kavajës?
“Dikush t’i thotë Edi Ramës se e kanë informuar gabim! Dikush ta pyesë mos fondet për “Kafen e Madhe” i kanë shkuar Bashkisë së Kavajës?
Për të qenë transparent dhe të vërtetë me publikun, bëj me dije se në lidhje me projektin për “Kafen e Madhe” Bashkia Shkodër ka marrë vetëm një njoftim nga Ministria e Kulturës për miratimin e kërkesës mbi azhornimin e projektit “Kafja e Madhe Shkodër”. Gjithnjë për të qenë transparent publikoj të vetmin komunikim që kemi pasur nga Ministria e Kulturës.
Hapi i radhës është që subjekti të aplikojë për leje. Në Bashkinë Shkodër nuk ka mbërritur asnjë aplikim për leje.
Bashkia Shkodër dhe të gjithë qytetarët e Shkodrës mirëpresin çdo investim për “Kafen e Madhe”, që në Shkodër është një simbol. Bashkia Shkodër është e gatshme të japë lejen për këtë investim.
Rama po na thotë që, Bashkia nuk jep leje, ndërkohë që ai nuk ka aplikuar për leje! Mirëse të vini për të marrë lejen!”, shkruan Ademi në reagimin e saj.

R.POLISI

Artikulli paraprakKokëdhima: Mafia e drogës tek zgjedhjet dhe në qeveri
Artikulli tjetërRepublika e krimit do të mundet