Rëndohet fatura e koncesioneve, 70 milionë USD do paguani në 2018

Koncesionet me Partneritet Publik Privat po rëndojnë gjithnjë e më shumë faturën, që duhet të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. Për vitin 2018, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet ose 70 milionë euro. Kjo shumë është 30 për qind më e lartë se e vitit të kaluar, ku fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore të këtij viti u përllogarit me 7.1 miliardë lekë.
Këtë vit, financohen 12 koncesione nga 8 koncesione që ishin llogaritur për financim këtë vit.
Koncesionet e reja, janë ndërtimi i rrugës së “Arbrit”, koncesioni i mirëmbajtjes në rrugën e “Kombit”, ndërtimi i inceneratorit të Tiranës dhe ndërtimi i shkollave në Bashkinë e Tiranës.
Vlera më e madhe e financimeve do të shkojë për koncesionet në sektorin e shëndetësinë me 3.9 miliardë lekë ose 42 për qind e krejt vlerës totale të financimit për koncesionet më 2018.
Nga koncesionet e shëndetësisë vlera më e madhe e financimit për vitin 2018 shkon për koncesionin e sterilizimit me rreth 1.5 miliardë lekë. Më tej, financimet më të mëdha i merr koncesioni i shërbimeve laboratorike me mbi 880 milionë lekë dhe ai Check-Up me mbi 876 milionë lekë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të startojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë Tiranë (bashkëfinancim) sipas detajeve të dhëna në Tabelën 12 të mëposhtme:
Pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2018, përbëjnë rreth 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2017.

“Monitor”

Artikulli paraprakThellohet kriza, 15 kompani italiane largohen nga Shqipëria
Artikulli tjetërShoqata e Bashkive kundër qeverisë për taksën e pronës