Thellohet kriza, 15 kompani italiane largohen nga Shqipëria

Largimi masiv i investitorëve të huaj nga Shqipëria nuk ndalet. Ata janë duke deklaruar mbylljen e aktiviteve të tyre, ndërsa kanë caktuar nga një administrator për të përfunduar likuidimet finale. Nga kompani konsulence, firma tregtare, fasonë, te lojërat e fatit apo call center-at. Janë të paktën 15 kompani italiane që kanë mbyllur aktivitetin gjatë vitit 2017. “Scan” ka zbardhur kërkesat e bëra nga vetë subjektet për likuidimin apo prishjen e kompanive, ku njëherësh ftojnë kreditorët e mundshëm të paraqesin pretendimet.
Numri më i madh i kompanive italiane që kanë mbyllur aktivitetin operojnë në fushën e konsulencës dhe të tregtisë. Disa prej kompanive operojnë në fushën e teknologjisë mjekësore dhe atë të mbrojtjes nga zjarri. Disa të tjera operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme dhe atë të fasonëve. Ndërkohë që mes tyre gjendet edhe një kompani lojërash fati. Nuk mungojnë as kompanitë call center, të cilat, nga fundi i vitit të shkuar, gjenden në pozitë të vështirë për shkak të ashpërsimit të legjislacionit italian për këtë sektor.
Secilës prej shoqërive i është caktuar një administrator për të mbikëqyrur procedurat e likuidimit, me qëllim shqyrtimin e çdo pretendimi të mundshëm nga ana e kreditorëve. Ndërkohë që, pronarët apo ortakët e disa prej tyre, kanë zgjedhur të zbatojnë vetë procedurat e mbylljes së aktivitetit. Italia është shteti me numrin më të madh të kompanive që operojnë në vendin tonë. Sipas INSTAT, aktualisht Shqipëria numëron mbi 2.660 biznese me kapital italian, pjesa më e madhe e të cilave operon në fushën e shërbimeve.
Banka Botërore sapo ka publikuar raportin global të konkurrueshmërisë së investimeve 2017-2018, ku fokusi vihet pikërisht te ekonomitë në zhvillim, mes të cilave edhe Shqipëria. Raporti i Bankës Botërore vjen pjesërisht në formën e një ankete dhe evidenton elementët kyç që çojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në tregjet në zhvillim.
Banka Botërore arrin në përfundimin se, për investitorët e huaj, kriteret kyç që ata vlerësojnë janë: stabiliteti politik, kushtet makroekonomike, klima e biznesit dhe rregullatorët. Të gjitha këto elemente janë jo pak të lakuar edhe në vendin tonë, sidomos klima politike dhe rregullatorët. Me rregullatorë, Banka Botërore i referohet jo vetëm autoriteteve mbikëqyrëse, por edhe legjislacionit në tërësi që përfshin edhe ndryshimet e shpeshta fiskale. Ndryshimet e shpeshta në skemën dhe normat e taksimit janë një ndër elementët që vlerësohet më së shumti nga investitorët e huaj.
“Raporti global i konkurrueshmërisë së investimeve shkon përtej vlerësimit të trendeve, por eksploron në thellësi investimet e huaja direkte dhe motorët e tyre. Për më tepër, ofron rekomandime praktike dhe të arsyeshme për vendet në zhvillim që të sigurojnë eficencën maksimale nga investitorët e huaj”, deklaroi një prej hartuesve të këtij raporti. Praktikisht, Banka Botërore evidenton se, dy faktorët kyç që ndikojnë në vendimet e investitorëve janë: stabiliteti politik dhe ambienti ligjor së bashku me rregullatorët. Raporti flet edhe për mënyrën sesi impaktohet biznesi vendas nga investimet e huaja. Në Shqipëri evidentohet fakti se, mes biznesit të madh dhe pjesës tjetër të sipërmarrjes në vend ka një hendek të madh.

 

Artikulli paraprakZhgënjimi i Evertonit, ruajti numrin 19 për Diego Costën
Artikulli tjetërRëndohet fatura e koncesioneve, 70 milionë USD do paguani në 2018