Rëndohet bilanci, mbyten dy pushues të tjerë në det

Rëndohet bilanci i mbytjeve në det. Dy pushues humbën jetën dje në plazhin e Divjakës dhe Velipojës. Një 12-vjeçare humbi jetën teksa u fut në det në plazhin e Divjakës, ku kishte shkuar bashkë me familjen për pushime. Burime nga policia bëjnë me dije se e mitura kishte hyrë në det bashkë me kushërirën 11-vjeçare, kur një dallgë i ka rrëmbyer të dyja.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16:00, në plazhin e Divjakës, kur shtetasja G.A, 12 vjeçe, banuese në fshatin Krykuq, Divjakë, duke u larë në det bashkë me kushërirën e vet, shtetasen M.L, 11 vjeçe, banuese në fshatin Mizë, Divjakë, është marrë nga rryma. Ajo u nxor e vdekur në breg, kurse kushërira arriti të shpëtonte.
Bëhet e ditur se, vajzave i erdhi në ndihmë një djalë 15-vjeçar, duke rrezikuar jetën e tij. Sipas policisë, shtetasi A.M, 15 vjeç ishte i pari që hyri në det për të ndihmuar vajzat që i rrëmbeu dallga dhe rrezikoi seriozisht jetën. Ndonëse për t’i nxjerrë në breg, i erdhën në ndihmë edhe të tjerë pushues, 15-vjeçari arriti i pari tek to.
Pasi ka nxjerrë vajzat në breg, edhe djali 15-vjeçar është transportuar në spital, pasi gjendja e tij shëndetësore nuk ishte mjaft e mirë. Burime policore thonë se djali kishte pirë shumë ujë gjatë momenteve që përpiqej të shpëtonte dy kushërirat.
Po ditën e djeshme, një tjetër pushues nga Kosova u mbyt në Velipojë. Policia bëri të ditur se është mbytur në det shtetasi B.A. 76 vjeç, banor i Prishtinës. Policia tha se, ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 14.08.2017, rreth orës 11:30, në plazh në Velipojë ka mbetur në det shtetasi B.A, 76 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. “Pasi është nxjerr nga uji, ju dha ndihma mjekësore në Qendrën Shëndetësore Velipojë, por në ora 12:05 ka ndërruar jetë. Po kryhen veprimet me grup hetimor për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tre ditë më parë, humbi jetën një pushues në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Kalaja” në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Policia bën me dije se 52-vjeçari me iniciale L.B nga Patosi ishte duke u larë në det kur kërkoi ndihmë. Pushues të rastit e nxorrën nga deti pas thirrjeve të tij. Në vendngjarje mbërriti edhe ambulanca, e cila i dha ndihmën e parë 52-vjeçarit. Por, fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.
Turizmi është kthyer në një rrezik vdekje për pushuesit. Çdo ditë po mbyten njerëz të lënë në mëshirë të fatit. Sipas statistikave, deri tani kanë humbur jetën 19 pushues në brigjet tona. Qeveria harxhon miliona me broshurat e promovimit dhe bën llogje në ekrane, ndërsa nuk merr asnjë masë për sigurinë e jetës së njerëzve. Janë jetë njerëzish që ikin çdo ditë në kushtet e turizmit që ofron kjo qeveri.
Mungesa e rojeve të plazhit dhe ndihmës së parë është kthyer vdekjeprurëse për shumë pushues. Në disa raste kanë qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi, për shkak se kullat e vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë. Vazhdimisht është ngritur shqetësimi nga qytetarët se mungojnë rojet e plazhit që do ta bënin bregdetin më të sigurtë dhe më me pak incidente.
R.POLISI

Artikulli paraprakIrritohen turistët, Thethi më keq se Jugu me çmimet
Artikulli tjetërSaga e rrugës së “Arbrit”, Ministria anulon dhe rishpall koncesionin