Remitancat në Kosovë përdoren për mbijetesë

Mbi gjysmë miliard euro llogariten remitancat në Kosovë. Por, këto para, sipas ekspertëve, kryesisht janë destinuar për mbijetesën e familjeve dhe shumë pak për investime në biznes. Remitancat sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, vende nga të cilat dërgohen 35.1 për qind, përkatësisht 24 për qind të totalit. Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismail Kastrati, në një prononcim për Radion Europa e Lirë, thotë se dërgesat e emigrantëve kanë ndikuar në zbutjen e varfërisë dhe në mirëqenien e familjeve në Kosovë, vite me radhë. Megjithatë, tani sipas tij, është koha që t’iu ndërrohet orientimi këtyre mjeteve. “Remitancat janë një faktor i rëndësishëm për përmirësimin e gjendjes sociale dhe të konsumit në Kosovë, por ne duhet të bëjmë përpjekje që remitancat të marrin një karakter tjetër, karakterin zhvillimor. Remitancat do të duhej të shërbenin më shumë për investime, sesa për një gjendje të mbijetesës ekonomike apo sociale”, thekson Kastrati. Që këto mjete të diasporës të orientohen në investime në sektorë të ndryshëm ekonomikë, autoritetet e vendit, thekson Kastrati, duhet të krijojnë një ambient të favorshëm biznesor. “Për këtë, qeveria e Kosovës duhet të ketë një rol të rëndësishëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit me diasporën ekonomikisht më të fuqishme dhe përmes krijimit të një ambienti më të favorshëm biznesor brenda Kosovës”, shton Kastrati. Gjatë vitit të kaluar, përfaqësues të bizneseve të Kosovës thanë se kanë zhvilluar takime me diasporën e Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Europa e Lirë thotë se edhe diaspora është e interesuar që këtyre mjeteve t’iu ndërrohet orientimi, por se duhet të krijohen kushte për ata investitorë potencialë. “Gjithë ato mjete që ne i marrim nga diaspora pothuajse mbi 90 për qind shkojnë në konsum e ai konsum i dedikohet pothuajse më shumë se 50 për qind të importit të produkteve nga Serbia, dhe kapitali i diasporës po shkon në Serbi e ky është një shqetësim i madh i diasporës që ata e kishin ngritur në një Forum ekonomik në Austri”, ka bërë të ditur Shahini. Të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës tregojnë se Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë, me 14 për qind. Emigrantët kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës vite më parë patën shprehur interesim për të krijuar fonde të veçanta zhvillimore, por deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete. Nga ekspertë të fushës ishte vlerësuar që marrëdhënia me diasporën kosovare të kalojë nga një marrëdhënie e solidaritetit në një marrëdhënie të ekonomisë të tregut, ku emigrantët do të investojnë fondet e tyre, Kosova duhet të bëhet një vend ku sundon ligji, ku zhvillohet luftë e ashpër kundër korrupsionit dhe ku mbizotëron një mjedis i favorshëm për biznes.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKosova, kreditë e këqija u ulën në 5.1%