Real Madridi i vendos afat Lopeteguit, dy trajnerë të tjerë në listën e Perez

Situata te Real Madridi nuk është aspak e mirë. Këmbanat e një krize të mundshme janë më të forta se kurrë, të paktën në vitet e fundit, që kanë qenë të suksesshëm nën drejtimin e Zinedine Zidane. Kampionët e Europës në fuqi po përjetojnë një periudhë të errët, të cilën nuk po e ftillon dot trajneri Julen Lopetegui.
Siç raportohet nga “AS”, gazeta e përditshme spanjolle, e cila ka qenë gjithmonë e afërt me “Merengues”, është vendosur tashmë një afat kohor për Lopetegui, sa mund të ketë besimin e drejtuesve të klubit. Flitet për “votëbesim” deri ditën e “El Clasico”-s kundër Barcelonës, më 28 tetor. Dështimi në atë ndeshje, nëse jo më përpara, do të thotë se nuk ka më shpëtim për ish-trajnerin e Spanjës.
Në kryeqytetin spanjoll tashmë qarkullojnë edhe emrat e zëvendësuesve të mundshëm për Lopetegui. Rruga më e lehtë është ajo që të çon te Santiago Solari, trajneri aktual i ekipit B të Real Madridit, që do të ishte një zgjidhje shumë e përshtatshme për presidentin Florentino Perez, në aspektin ekonomik. Dukshëm ndryshe me profilin e Antonio Contes, i cili konsiderohet me nivelin e duhur për stolin e “Los Bolancos” dhe është aktualisht pa ekip.
Në verë, ish-trajneri i Chelsea ka qenë i lidhur me Real Madridin, por i kishte “frikësuar” drejtuesit me ndikimin e tij në dhomat e zhveshjes (mënyra autoritare e drejtimit, metodat e punës e kështu me radhë). Real Madrid ka 409 minuta lojë pa shënuar gol, në mes La Liga-s dhe Ligës së Kampionëve, duke qenë në vendin e katërt të kampionatit spanjoll.

Artikulli paraprakValdano: Ndihet mungesa e Ronaldos, asnjë lojtar i Realit nuk ka….
Artikulli tjetërZëri i Amerikës: Xhisiela ka pranuar se është detyruar të tërhiqet për shkak të frikës