Zëri i Amerikës: Xhisiela ka pranuar se është detyruar të tërhiqet për shkak të frikës

Në Shqipëri një sasi tritoli shpërtheu në mesnatë në Fushë Krujë, në oborrin e shtëpisë ku banon Xhisiela Maloku, vajza 25 vjeçare, ish e dashura e Rexhep Rrajës, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili u arrestua javën e shkuar nën akuzën e përndjekjes ndaj të resë.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për një sasi të vogël tritoli, nga shpërthimi i së cilës nuk ka patur, siç njoftoi policia, as dëme materiale. Të paktën 9 persona janë shoqëruar për ngjarjen.
Xhisiela Maloku, tha për gazetarët se ajo ndodhej në banesë në momentin e shpërthimit dhe se të gjithë ishin frikësuar.
Ajo drejtoi gishtin e akuzave ndaj opozitës e cila ‘po bën lojë politike’, duke deklaruar sërish se nuk ndjehet e kërcënuar nga familja Rraja. Maloku shpjegoi se kishte refuzuar deri më tani mbrojtjen nga policia, dhe se pas ngjarjes së mbrëmshme do ta pranonte atë.
Vajza 25 vjeçare, bëri kallëzim ndaj ish të dashurit Rraja në muajin korrik,duke e tërhequr më pas. Megjithatë çështja i kaloi prokurorisë. Maloku i ishte drejtuar disa herë policisë, duke akuzuar Rrajën, me të cilin kishte patur një marrëdhënie të gjatë dashurie, për kërcënime dhe dhunë ndaj saj. Në deklarimet e saj ajo ka pranuar se është detyruar të tërhiqet për shkak të frikës që kishte nga hakmarrja e djalit.
Episodi që çoi në arrestimin e të riut Rraja, lidhet me dhunën që ai kishte ushtruar ndaj Malokut në një dhomë hoteli. Por në dy intervista, vajza mohoi që ndaj saj të ishte ushtruar dhunë, duke deklaruar se ajo e kishte bërë gjithçka nga xhelozia dhe se kallëzimi i saj kishte qenë i rremë. Por në të vërtetë, pohimet e saj duket se konfirmuan pikërisht frikën që ajo ka nga i riu, sepse përtej përshkrimeve apo deklaratave, akti i ekspertizës ligjore nuk lë shteg për dyshime. Ky akt tregon se ajo ka patur shenja dhunë në shpatulla dhe djegie me cigare në kofshë.
Është pikërisht ekspertiza mjeko-ligjore ajo që ka mbajtur në pranga Rexhep Rrajën, sikundër dhe një përgjim i kryer më 29 Shtator, gjatë ballafaqimit mes dy të rinjve në Prokurori, ku sërish Rraja ka kërcënuar vajzën.
Artikull i botuar nga Zeri Amerikës/Shqip

Artikulli paraprakReal Madridi i vendos afat Lopeteguit, dy trajnerë të tjerë në listën e Perez
Artikulli tjetërDëshmia e të arrestuarit për vrasjen në Bllok: “… askush të mos lëvizë!, dhe më pas nxorrën armët”