Reagon Rama: Ika nga Samiti sepse nuk më priste dot helikopteri privat

Dy ditë pas skandalit me dëbimin e tij nga fotoja zyrtare e Samitit të Adriatikut në Podgoricë, ndonëse jo zyrtarisht Rama ka reaguar përmes “Top Channel”, duke justifikuar mospraninë e tij në foton ku mes liderëve të Ballkanit dhe zv.presidentit amerikan Pence mungonte vetëm ai.
Në vështirësi për të gjetur një justifikim të qenësishëm, Rama ka përdorur një sajesë që e nxjerr atë po aq qesharak sa vetë paraqitja e tij fyese në Samit.
Por, sipas “Top Channel” burime nga Kryeministria kanë sqaruar se, Rama nuk mori pjesë në foton familjare për shkak se gjithçka filloi me vonesë. “Kryeministri Edi Rama udhëtoi për në Podgoricë me helikopter. Aeroporti i Podgoricës ishte i mbyllur për arsye sigurie të fluturimit të Mike Pence dhe rihapej në orën 19.00 pasi të nisej zv.presidenti amerikan”, tha një burim zyrtar.
“Helikopterët tanë nuk udhëtojnë natën, ndaj i vetmi korridor ajror që delegacioni të nisej ishte ora 16.00. Sipas planit fillestar, në këtë orar duhet të kishin mbaruar të gjitha aktivitetet e Samitit, përfshirë dhe fotoja familjare. Por Samiti filloi me vonesë e gjithçka u shty, edhe fotoja familjare”, thonë burime pranë Kryeministrisë.
Pra, sipas reagimit të Kryeministrisë, që sigurisht është hartuar nga vetë Rama, kryeministri shqiptar e ka pasur me nxitim qëndrimin e tij në Samitin e Podgoricës ku ishte i pranishëm zv.presidenti amerikan Pence, pasi helikopteri i tij nuk e priste dot derisa të mbaronte punimet Samiti. Një justifikim qesharak dhe tallës që dëshmon se sa seriozisht i merr Rama gafa të tilla të rënda që cenojnë rëndë imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve më strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për të përforcuar nxitimin e Kryeministrit Rama, të cilin nuk e priste dot helikopteri i tij privat, “Top Channel” vijon kronikën ndërsa shton: “Në këto kushte, Kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin kokë me kokë me zv.presidentin Pence dhe u përshëndet me të dhe të gjithë liderët e rajonit, më pas ai u nis më përpara për shkak të detajeve të udhëtimit”.
Sipas këtyre pretendimeve, zv.presidenti amerikan ka qenë në dispozicion të Ramës, për ta pritur në takim kokë më kokë atë, menjëherë pasi kryeministri shqiptar më pas u përshëndet shpejt e shpejt me liderët e rajonit për të nxituar drejt helikopterit të tij privat.

Artikulli paraprakJanë vetëm 24 zjarrfikëse për 15 vatra zjarri
Artikulli tjetërTenori lë Shqipërinë: Atdheun e ka kapur prej fyti një kastë krimi