Reagime në Bosnje për dënimin e Ratko Mlladiçit

Nëna të burrave dhe djemve të masakruar gjatë gjenocidit në Srebrenicë ndoqën sot, dënimin me burgim të përjetshëm të gjeneralit serb të Bosnjes, Ratko Mlladiç, nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Të ndjekim disa prej tyre:
Familjarë që humbën të dashurit e tyre në masakrën e Srebrenicës thanë se, nuk mund të gjendet një dënim i përshtatshëm për ish-komandantin serb të Bosnjes Ratko Mlladiç, i cili sot u dënua me burgim të përjetshëm, nën akuzat për gjenocid në Luftën e Bosnjes, por ata shtuan se drejtësia u vu në vend.
Vasva Smajloviç 74 vjeçe, e cila humbi burrin dhe dhëndërrin në masakrën e Srebrenicës, tha se asnjë dënim për Mlladiçin nuk do ta lehtësonte dhimbjen e saj.
Ajo tha mes lotësh, ndërsa ndiqte transmetimin e drejtpërdrejtë të vendimit për dënimin e Malldiçit, se ka humbur më shumë se 50 anëtarë të familjes së zgjeruar në masakër.
“Çfarëdo vendime të merrej, vuajtja jonë mbetet njëlloj. Nuk di nëse vendimi për burgim të përjetshëm do të më bënte të ndjehem më mirë,- tha Vasva.
Por kunata e saj tha se me këtë vendim, u vu në vend drejtësia.
Bida Smajloviç, e cila e pa për herë të fundit të shoqin në korrik të vitit 1995, kur vraponte nëpër pyll, ndërsa përpiqej të largohej nga Srebrenica, tha se nuk ka asgjë që të mund ta kompensojë dhimbjen e saj. Eshtrat e të shoqit u gjetën më vonë në një varr masiv dhe u varrosën në vitin 2005.
“Ata që ikën nuk kthehen më. Mlladiçi nuk do të ndjente asgjë, për çdo dënim. Ai nuk e ndjen dhimbjen tonë. Por të paktën u vu në vend drejtësia”, thotë ajo.
Burrat dhe familjarët e grave boshnjake u vranë kur forcat serbe të Bosnjes, nën komandën e gjeneralit Mlladiç, morën kontrollin e rajonit të Srebrenicës që ishte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara, në 11 korrik të vitit 1995.
Ata i ndanë gratë nga burrat dhe masakruan rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë brenda vetëm disa ditësh. Kjo ishte masakra më e madhe në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
“Problemi është me atë që ndodh pas vendimit. Deri tani nuk kemi parë që komuniteti ndërkombëtar të veprojë. Madje edhe pas vendimit të Gjykatës së krijuar për ndëshkimin e krimeve në ish-Jugosllavi, dënimet e kësaj gjykate nuk janë respektuar”, thotë ish-kryetari i Bashkisë së Mitrovicës, Camil Durakoviç, i mbijetuar i masakrës.
Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë e shpalli fajtor Ratko Mlladiçin për 10 akuza për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të rregullores së luftës, mes tyre edhe për gjenocid në Srebrenicë.
Ai u shpall i pafajshëm për akuzat e gjenocidit në 6 distrikte të tjera.
Por ndërsa gratë myslimane ndiqnin transmetimin e seancës për dënimin e Ratko Mlladiçit nga shtëpitë e tyre dhe nga qendra e memorialeve për viktimat e masakrës në Potocar, në Srebrenicë dhe në qytetin pranë Bratunac, u panë fotografi të Malldiçit dhe disa parulla ku shkruhej: “Ti je heroi ynë”.
Në Srebrenicë serbët e pyetur, nuk deshën të komentonin për dënimin.
Serbët e Bosnjes e shohin Ratko Mlladiçin si heroin dhe mbrojtësin e tyre. Polarizimi i thellë mes tyre dhe fqinjëve myslimanë boshnjakë lidhur me temën e luftës, tregon se procesi i pajtimit në Bosnje ka qenë tepër i ngadalshëm.

Artikulli paraprakMinistri i Indisë thotë se kanceri shkaktohet nga mëkatet
Artikulli tjetërKinë, hetime për korrupsion ndaj ish-zyrtarit kryesor të internetit