Raporti i BERZH: Shqipëria po keqqeveriset

Shqipëria ka performuar nën mesataren e rajonit dhe vendeve të tjera në tranzicion në gjashtë komponentët që vlerësojnë reformat për zhvillim, sipas Raportit të Tranzicionit për 2017-2018 që publikoi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në një vlerësim nga 1 tek 10, ku nota më e lartë shpreh vlerësim të mirë, Shqipëria ka marrë dobët në mirëqeverisjen. BERZH ka vlerësuar me rreth 4 pikë shërbimet e qeverisë. Ky vlerësim ishte poshtë mesatares së vendeve të Europës Juglindore dhe mesatares së vendeve në Tranzicion.
Vendi ynë mori gjithashtu vlerësim të dobët edhe në politikat e konkurrencës së drejtë në tregje dhe fleksibilitetit të reformave, duke u vlerësuar më pak se mesatarja pesë pikë.
Shqipëria ka marrë vlerësim më pak se 5, për reformat në çështjet e integrimit në BE, në mbrojtjen e klimës dhe gjithëpërfshirjes.
Vendet ku investon Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë nevojë për një model të ri rritjeje për t’i ndihmuar ata të kalojnë në një epokë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen, thuhet në raportin më të fundit vjetor të BERZH.
Raporti i tranzicionit vë në dukje se rritja ekonomike në vendet me të ardhura të mesme ku bën pjesë edhe Shqipëria ka mbetur mbrapa asaj që vihet re në tregje të ngjashme. Kurthi i të ardhurave të mesme po i mban vendet mbrapa për të kaluar një nivel më lart.
BERZH rekomandon që modeli i ri duhet të fokusohet në tri fusha kyçe: Përmirësimi i produktivitetit të kompanive, investimet në infrastrukturë dhe respektimi i mjedisit.
Në parathënien e tij, për Raportin e tranzicionit, Shefi Ekonomist i BERZH, Sergei Guriev, nuk nënvlerëson sfidat me të cilat ballafaqohen ekonomitë në tranzicion në përpjekjen e tyre për të mbështetur rritjen. “Nuk ka asnjë plumb argjendi, asnjë zgjidhje madhështore”, thotë ai.
Por profesori Guriev sheh optimizëm në sfond. “Duke forcuar institucionet, duke mbështetur inovacionin, duke integruar kompanitë e tyre në ekonominë globale dhe duke investuar në infrastrukturë të qëndrueshme, vendet e rajonit të BERZH do të jenë në gjendje të përfundojnë kalimin e tyre në ekonomi të tregut të qëndrueshëm”, tha ai.
Raporti bën një sërë rekomandimesh politike dhe thotë se hartuesit e politikave duhet të përqendrohen në krijimin e një loje të njëtrajtshme që ndihmon bizneset e reja inovative të rriten.
Ai gjithashtu thotë se, autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje tregjeve fleksibël të punës dhe kapitalit, si dhe të hartojnë politika më të mira të konkurrencës për të lehtësuar rishpërndarjen e burimeve.
Përveç kësaj, qeveritë mund të ndihmojnë firmat dhe industritë të përmirësojnë performancën e tyre, duke mbështetur integrimin e tyre në zinxhirët e vlerave globale, thotë raporti.

BERZH inkurajon investimet në infrastrukturë

Duke theksuar rëndësinë e rrjeteve efektive të infrastrukturës, raporti thotë se shumica e ekonomive në rajonin e BERZH-it kanë nevojë për shpenzime të mëdha për të ruajtur, për të përmirësuar dhe për të zgjeruar infrastrukturën e tyre për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të ndihmuar nivelet e të ardhurave të konvergojnë me ato të ekonomive të përparuara. Nevojat e përgjithshme të infrastrukturës në 1.9 trilionë euro për pesë vitet e ardhshme.
BERZH merr si shembull Turqinë, ku përmirësimi i rrjetit rrugor të vendit pati ndikim të madh pozitiv në tregtinë e brendshme midis provincave. “Kjo dëshmi nga Turqia ofron një pasqyrë të re mbi përfitimet e konsiderueshme që përmirësimet në integrimin e tregut mund të kenë për punësim dhe zhvillim në rajonet më të izoluara”, thuhet në raport.
Raporti i tranzicionit sheh gjithashtu një lidhje të fortë midis mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes ekonomike.

Të fundit edhe për dijen, e 78-ta në botë ndër 131 shtete

Shqipëria nuk është aspak në pozita të favorshme në drejtim të dijes. “Indeksi Global i Dijes” e rendit vendin tonë të 78-tin në botë, ndër 131 vende. Ky indeks përpilohet nga programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD), UNESCO dhe një fondacion privat. Ky është edicioni i parë i publikimit. Indeksi i përgjithshëm përpilohet mbi bazën e 6 kritereve kyçe, të cilat më pas zbërthehen në rreth 150 nënindikatorë të tjerë. Gjashtë fushat kryesore janë: arsimi parauniversitar, arsimi i lartë, kërkimi dhe zhvillimi, trajnimi dhe arsimi teknik, informacioni dhe teknologjia e telekomunikimit si dhe ekonomia.
Në indeks përfshihet dhe një indikator i 7-të, ambienti i përgjithshëm, që e rendit vendin tonë të 61-tin në botë. Performancën më të mirë, ndër indikatorët kyç, Shqipëria e regjistron në atë të arsimit parauniversitar, ku renditet e 62-ta në botë, dhe performancën më të dobët në drejtim të kërkimit dhe zhvillimit, ku renditet vetëm e 119-ta në botë. Vetëm në atë të trajnimit dhe të arsimit parauniversitar, Shqipëria është mbi mesataren globale.
Në indeksin e përgjithshëm të dijes, Shqipëria grumbullon vetëm 43 pikë, nga 47 që është mesatarja globale. Në indikatorin që i referohet ekonomisë ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 87-të në botë. Në krahasim me Europën, Shqipëria është vendi i fundit në absolut, me pikët më të ulëta dhe renditjen më të dobët.

Artikulli paraprakKrimet e Rënda sekuestrojnë resortin e Balilit
Artikulli tjetërNeymar xhindoset me gazetarët!