Krimet e Rënda sekuestrojnë resortin e Balilit

 

Gjykata e Krimeve të Rënda miraton kërkesën për sekuestrim të pasurisë së familjes së Klement Balilit ish-kreut të Transporteve në Sarandë të dyshuar si trafikant droge. Gjykata e Krimeve të Rënda miraton sekuestron për resortin turistik “Sanata Quaranta” dhe disa prona të kësaj familjeje. “ReportTv” ka mësuar se, sekuestro preventive për mostjetërsimin e këtyre pronave është bërë me miratim të Gjykatës dhe ndër pronat janë troje, dyqane, shtëpi private, disa apartamente në qytetin e Sarandës dhe resorti “Santa Quaranta’’. Klement Balili është person në kërkim për llogari të drejtësisë greke dhe asaj shqiptare dhe i dyshuar si personi që drejtonte një grup kriminal të trafikut të drogës në Ballkan drejt Europës. Vetë ai e mohoi këtë akuzë në të vetmen dalje publike pak ditë pas urdhër arrestit grek dhe nga ajo ditë është zhdukur, duke ju fshehur policisë.

Lidhjet e Balilit me Tahirin dhe Habilajt

Habilajt ishin kumbarët e lidhjes së Klement Balilit me ish-ministrin Tahiri. Grupi i Habilajve ka pasur lidhje me rrjetin e Klement Balilit, një tjetër organizatë e famshme për trafikun e drogës nëpërmjet rrugëve detare e tokësore, në shumë vende të BE-së. Mediat italiane shkruanin në maj të vitit 2016, pak ditë pas arrestimit të 15 personave, kapjes së 700 kg drogë në Greqi dhe zhdukjes së Balilit, që po kërkohej nga grekët dhe DEA si kreu i bandës.
“Corriere Della Sera” raportonte se rrjeti i Balilit shtrihej deri në Itali. Vetë Balili, thuhet në shkrim, është parë shpeshherë në Milano. Por aktiviteti i tij dyshohet se shkonte edhe në Siçili, një zonë ku tregun e kanabisit shqiptar e zotëronin Habilajt, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në shkrimet e mediave fqinje citohen edhe deklaratat e opozitës, që kishte denoncuar më parë si Habilajt ashtu edhe Balilin, këtë të fundit, si një familje të pozicionuar fort në politikën dhe ekonominë shqiptare. “Balili ka lidhje me zyrtarë shtetërorë (përfshirë drejtues të policisë) dhe raporte direkte me “kushërinjtë” e ministrit të Brendshëm, të njohur si vëllezërit Habilaj, me të cilët bashkëpunon në trafikun e narkotikëve. Përmes tyre, Klement Balili ka arritur të krijojë kontak direkt me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri”, një deklaratë kjo e Arben Ristanit, që citohet nga shtypi italian në dosjen për Balilin.

Artikulli paraprakElbasani po helmohet, banorët japin alarmin
Artikulli tjetërRaporti i BERZH: Shqipëria po keqqeveriset