Raporti i BB: Shqipëria e 125-ta në botë për taksat e larta

Shqipëria është e 125-ta në botë ndër 190 ekonomi të ndryshme për pagesën e taksave, thuhet në raportin e publikuar ditën e martë nga Banka Botërore dhe nga rrjeti prestigjioz Pwc në raportin me titull “Pagesa e Taksave 2018”.
Në krahasim me një vit më parë ndërkohë, Shqipëria ka bërë hapa prapa, si në renditje, ashtu edhe në pikëzim. Në raportin e kaluar, vendi ynë renditej në pozicionin e 97-të në botë, ndër 189 ekonomi të ndryshme të botës, në indeksimin e parë dhe në të 125-in në një tjetër indeksim, por në të dyja rastet, me një pikëzim më të lartë se ky vit.
Përkeqësimi i Shqipërisë në këtë renditje vjen kryesisht si pasojë e rritjes së barrës së taksave për biznesin, nga 36.5% vjet, në 37.3% këtë vit. Në këtë drejtim, Shqipëria është bindshëm larg mesatares rajonale, që fiksohet në 33.4%.
Raporti, që është një ndër dy kryesorët që Banka Botërore publikon çdo vit, së bashku me “Doing Business”, veç renditjes, ofron një panoramë thuajse të plotë të taksave në një ekonomi të caktuar. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet si një ndër vendet me burokracitë më të komplikuara në drejtim të taksave, dhe për këtë mjafton të shohim se sa orë i duhen biznesit për të kryer procedurat.
Në të gjithë rajonin ndërkohë, pra të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, Shqipëria është vetëm e parafundit, me plot 35 taksa për të paguar, si dhe vendi i dytë pas Bosnje Hercegovinës me 5 taksa mbi fitimin. Në krahasim me rajonin, Shqipëria është jo vetëm ndër vendi me taksat më të larta, pas Serbisë, por edhe vendi me procedurat dhe numrin më të madh të taksave.

 

Artikulli paraprakInvestimet e huaja direkte, OKB: Shqipëria keq me taksat
Artikulli tjetërRaporti: Ekonomia shqiptare me rrezikshmëri të lartë