Investimet e huaja direkte, OKB: Shqipëria keq me taksat

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që “vuan” për incentivën e taksa në funksion të rritjes së investimeve të huaja direkte. Një analizë e fundit e Konferences se Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Tregtisë dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, të titulluar “Vlerësimi i Politikave të Investimeve në Europën Juglindore” jep detaje. Në seksionin që ndalet vetëm tek “Taksimi” thuhet se në raport me vendet e tjera ne kemi sistem taksash më penalizues në nivel. Në këtë kontekst raporti i referohet vendimit të qeverisë për të rritur tatimfitimin në 15 për qind nga 10 për qind që ishte në vitin 2013 si dhe pjesës së taksimit më të lartë të dividentit.
Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia, Kosova të gjitha kanë ose një situatë mesatare ose më favorizuese sesa Shqipëria.
Tek treguesit e tjerë ku merren parasysh kompleksiteti i sistemit, Shqipëria ka regjistruar një situatë pozitive ashtu sikurse ka ndodhur me marrëveshjet e shmangies së tatimit të dyfishtë me vende të ndryshme. Ankesat dhe masat kundër evitimit cilësohen në një nivel të pranueshëm, por që ka vend për përmirësim. Vendet me situatën më pozitive janë Serbia dhe Maqedonia, të cilat kanë në total nga pesë tregues, katër prej tyre në nivelin më të mirë. Më keq paraqitet pjesa e Bosnjë-Hercegovinës.
Përtej problematikës me mungesën e incentivave në taksa, Shqipëria do të vijojë të përfitojë nga marrëveshjet e të kaluarës të lidhura me projekte madhore si TAP apo kaskada e Devollit. Deri në vitin 2016, Investimet e Huaja Direkte rezultojnë me një vlerë 983 milionë euro, ndërsa objektivi është që ato të arrijnë 2.2 miliardë euro.
Në rajon udhëheq Serbia, e cila në fund të vitit 2016 regjistroi një vlerë të IHD-ve prej 2.08 miliardë euro, ndërsa targeti i saj është për të paktën 2.5 miliardë euro deri në vitin 2020. Por ndërsa objektivat i vendosin vetë vendet, tendencat që janë shfaqur në tregje për përthithjen e investimeve tregojnë se Shqipëria ka konkurrencë agresive për aq kohë sa interesi ka qenë në industrinë automotive, e cila nuk ka preferuar vendin tonë si dhe manifakturë. Në këtë kontekst sektorët mbi të cilët mund të bazohet lufta e Shqipërisë është turizëm, infrastrukturë dhe energji.

Artikulli paraprak45.2% e të ardhurave të shqiptarëve për ushqim
Artikulli tjetërRaporti i BB: Shqipëria e 125-ta në botë për taksat e larta