Ramos i ndryshon fjalët për incidentin e kartonit të verdhë

Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, ka thënë se ai nuk e kishte bërë ndërhyrjen me qëllim për t’u ndëshkuar me karton të verdhë, në ndeshjen kundër Ajaxit. Kjo deklaratë e spanjollit vjen vetëm pak orë pasi ai tha se e kishte bërë këtë gjë qëllimisht.
Ramosi do të mungojë në ndeshjen kthyese kundër Ajaxit, në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, pasi u ndëshkua me karton të verdhë në fitoren kontroverse të Real Madridit me rezultat 2:1, transmeton Gazeta Express.
Në ndeshjen e tij të 100-të për Real Madridin, Ramosi u ndëshkua me karton të verdhë pak para fundit të ndeshjes, duke u siguruar kështu se do të mund të luajë në ndeshjet e çerekfinales, nëse arrijnë të kualifikohen nga kjo fazë.
Pas ndeshjes, Ramosi kishte ngjallur shumë debat, pasi që kishte thënë se e kishte bërë qëllimisht ndërhyrjen.
“Duke e parë rezultatin e ndeshjes, do të gënjeja nëse do them se nuk e bëra qëllimisht [ndërhyrjen për t’u ndëshkuar]. Nuk e bëra për ta nënvlerësuar kundërshtarin ose pse mendova se e kemi siguruar kualifikimin, mirëpo në futboll duhet të marrësh vendime të vështira”, ka thënë Ramosi.
Megjithatë, spanjolli i ndryshoi fjalët e tij, vetëm disa orë më vonë, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.
“Dua ta bëj të qartë se kjo më lëndon mua më shumë se të tjerët, nuk u ndëshkova me qëllim, ashtu siç nuk e bëra as kundër Romës në ndeshjen e kaluar të Ligës së Kampionëve. Do ta mbështes skuadrën nga tribuna, si një tifoz me idenë që do të kualifikohemi në çerekfinale”.
Kampioni në fuqi evropian dhe botëror nuk e kishte pasur aspak të lehtë ta siguronte këtë fitore kundër Ajaxit, në Holandë, mirëpo arritën ta fitojnë ndeshjen me rezultat 2:1, falë golave të shënuar nga Karim Benzema dhe Marco Asensios.
Golin e vetëm për Ajaxin e kishte shënuar Hakim Ziyech, ndërsa më herët gjyqtari e kishte marrë një vendim kontrovers për ta anuluar golin e shënuar Nicolas Tagliafico, i cili kishte shënuar kur rezultati ishte ende 0:0.

Artikulli paraprakBojë mbi fytyrën e të pafytyrit!
Artikulli tjetërLopetegui e thyen heshtjen pas një viti turbulent: S’flija, s’e dija ku isha!…