Rama, u “grabit” shqiptarëve 40 milionë euro nga kursimet

Kursimet në monedhën e përbashkët, që shqiptarët kanë vendosur në banka ishin 3.6 miliardë euro në fund të muajit prill apo gati 50% të totalit të depozitave në vend, sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, shkruan “Monitor”.
Por, të konvertuara në lekë, këto kursime sot vlejnë të paktën 3.4% më pak, si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros në tregun vendas gjatë vitit të fundit. Dje një euro këmbehej me rreth 134 lekë, ndërsa një vit më parë këmbehej në kuotën e 138.5 lekëve. Vetëm nga ky zhvlerësim, humbja e depozituesve nëse depozitat do të konvertoheshin në lekë, llogaritet në 5.3 miliardë lekë apo rreth 40 milionë euro.
Vitet e fundit depozitat në valutë janë rritur me shpejtësi, teksa depozitat në lekë ranë, si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare që uli normat e interesit të kursimeve në lekë në nivele minimale rekord (për depozitat njëvjeçare kthimi është më pak se 1%). Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë kaluan për herë të parë ato në lekë, për të arritur në rreth 52% të totalit në fund të prillit 2017. Euro është monedhë e preferuar kursimi, edhe pse interesat e saj janë tepër të ulëta.
Bankierët pohojnë se kursimtarët shqiptarë kanë mungesë besimi te monedha vendase dhe kjo i nxit të mbajnë kursime në lekë. “Personalisht nuk e ndaj këtë përqasje, pasi gjithnjë duhet të kemi parasysh që, nëse nuk i mbani kursimet në monedhën vendase, shumë shpejt do të ekspozoheni nga rreziku i kursit të këmbimit; shqiptarët duhet të kuptojnë që 2-3 vitet e fundit, leku është vlerësuar në mënyrë konstante kundrejt euros dhe dollarit, duke nënkuptuar se shqiptarët që i mbajnë kursimet e tyre në euro, kanë humbur tashmë para”, ka pohuar më herët për Monitor, z. Silvio Pedrazzi, drejtor i Përgjithshëm ekzekutiv i Intesa Sanpaolo. “Pavarësisht nga normat më të larta të ofruara për lekun, ne përballemi me vështirësi, kur përpiqemi të ndajmë me konsumatorët mundësinë për të mbajtur kursimet e tyre në monedhën vendase, edhe kur u tregojmë atyre vlerësimin e qëndrueshëm të lekut kundrejt euros. Mendoj se këto reagime janë ‘psikologjike’ dhe ndoshta kanë të bëjnë me disa përvoja të këqija nga e kaluara; në këto raste mund të jetë mjaft e vështirë për të ndryshuar mentalitetin e njerëzve dhe ka nevojë për një program koherent të edukimit financiar. Shoqata shqiptare e Bankave, që prej shumë vitesh është veçanërisht aktive në këtë fushë, por duhet një kohë e gjatë për të arritur rezultatet e pritura”, shton z. Pedrazzi.
Shqipëria vlerësohet se ka një nivel të lartë euroizimi, çka ka nxitur Bankën e Shqipërisë që pak muaj më parë të deklarojë një plan për të ulur nivelin e përdorimit të euros në vend, duke marrë masa që do të dekurajonin përdorimin e monedhës së përbashkët si mjet blerjeje apo kursimi.
Kjo rendje drejt euros në fakt nuk është vetëm një sjellje shqiptare. Një studim i bankierëve zviceranë dhe austriakë, Martin Brown dhe Helmut Stix, titulluar “Euroizimi i depozitave të bankave në Europën Lindore”, thotë se preferencat e ekonomive familjare për depozitat në euro janë pjesërisht të nxitura nga mosbesimi i tyre në stabilitetin e monedhës së tyre të brendshme, gjë që lidhet me vlerësimin e tyre të politikave dhe institucioneve aktuale. Ata konfirmojnë se mbajtja e depozitave në valutë të huaj është bërë një “zakon” në rajon.
Euro aktualisht në Shqipëri këmbehet poshtë nivelit të 134 lekëve, duke qenë në nivelin më të ulët që nga shtatori i vitit 2009.

Euro arrin rekordin më të ulët 133.6 lekë

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditës së djeshme, duke zbritur në 133.64 lekë, 0.15 lekë më pak se një ditë më parë.
Rënia e fortë e ditës së djeshme është ndihmuar dhe nga nënçmimi i euros në bursat ndërkombëtare. Një euro dje u këmbye me 1.118 USD, me një rënie prej 0.29% në krahasim me ditën e mëparshme. Rezultati i papritur i zgjedhjeve në Britani, ku konservatorët nuk dolën me një shumicë cilësuese, ka çuar në një rënie të paundit, por dhe euros gjatë ditës së djeshme, si rrjedhojë e pasigurive që lidhen me procesin e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian. Rezultati ka shtuar frikën se kriza politike mund të shtyjë dhe të krijojë konfuzion në bisedimet për daljen nga BE, që duhet të fillojnë në më pak se dy javë dhe paundi ra me 2% ndaj dollarit, ndërsa euro zbriti në 1.118 USD.
Dollari ka shënuar rritje gjatë ditës së djeshme, duke u këmbyer me 119.4 lekë, me rritje 0.39 lekë në krahasim me një ditë më parë, duke reflektuar forcimin e tij në bursa.
Pavarësisht se euro ra gjatë ditës së djeshme në bursa, ajo vijon të mbetet afër nivelit më të lartë të 6 muajve. Në Shqipëri sjellja ka qenë tërësisht e ndryshme.
Në tregun vendas kjo është java e tretë radhazi kur euro po njeh vetëm humbje (vetëm një ditë që nga data 19 maj euro ka shënuar një rritje fare të lehtë, në gjithë periudhën tjetër është nënçmuar). Në nivelin e 133.6 lekëve, euro ka arritur një rekord të ri të ulët të 9 viteve të fundit, që nga shtatori i vitit 2009. Një vit më parë euro këmbehej në kuotën e 138.5 lekëve.
Ekspertët e tregut pohojnë se oferta e lartë për valutë dhe kërkesa e dobët për lekë janë arsyet kryesore të këtij nënçmimi të euros në tregun e brendshëm. Ata presin që të paktën deri në mbarim të zgjedhjeve euro të vijojë të jetë e dobët, pasi një pjesë e shpenzimeve të fushatës po bëhen në valutë. Më pas do të forcohen efektet sezonale, ku prurjet nga turizmi dhe të ardhurat nga emigrantët, që intensifikohen në gusht, tradicionalisht kanë sjellë një forcim të lekut në muajt e verës.

Monitor

Artikulli paraprakShqipëria po plaket
Artikulli tjetërEnergjia, mijëra burgosje e vetëvrasje në epokën Rama