Rama sfidon drejtuesen e “Top Channel”

Dy ish-drejtues të televizionit “Top Channel”, të cilët janë shkarkuar pak kohë më parë, janë paraqitur dje në Radio Televizionin Shtetëror.
Enkelejd Joti, ish-drejtor i Përgjithshëm në “TCH”, pritet të marrë një post drejtues në RTSH, ndërsa Bledar Zaganjori, ish-kryeredaktor në “TCH”, ka nisur punë në RTSH si drejtor Informacioni.
Të dy u larguan nga “TCH” pas polemikave dhe ndarjeve që lindën mes pronarëve të këtij televizioni, ndërsa një betejë gjyqësore është në proces mes aksionerëve.
Një burim i rezervuar e informoi “HashtagAL” se, transferimi në RTSH i Jotit dhe Zaganjorit është bërë me urdhër të Kryeministrit Edi Rama.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi ka firmosur emërimet.
Njerëz pranë Kryeministrit flasin edhe për një plan të Ramës për ta bërë Enkelejd Jotin ministër të Kulturës, por këto janë ende informacione të pasitura.
Joti ka vizituar disa herë muajin e fundit ambientet e RTSH-së.
Duket se Kryeministri ka ndjerë detyrime ndaj Jotit dhe Zaganjorit, për përkushtimin që ata mund të kenë treguar gjatë kohës kur punonin në “TCH”.
Z. Rama tregoi edhe një herë se është tepër i vëmendshëm në ndërtimin, kultivimin dhe ruajtjen e rrjetit të vet në media, Rama ushtron ende influencë të padiskutueshme mbi dy televizionet kombëtare (“TCH” dhe “TV Klan”), të cilat zënë rreth 70 për qind të audiencës.
Ndërsa televizionin shtetëror, ai duket se ka vendosur ta përdorë si magazinë ku sistemon ndonjë problem të dalë gjatë rrugës.
Rama ka sot nën kontroll instrumentet më të mëdha të informimit në vend, por jo vetëm.
Nëpërmjet një rrjeti OJF-sh të mbështetura prej tij dhe një rrjeti artistësh dhe arkitektësh, të cilët Rama i ka ushqyer prej vitesh me bienale dhe aktivitete, ai ka arritur të promovojë veten ndërkombëtarisht si një lider që po ndryshon fytyrën e Tiranës dhe të vendit.
Jashtë kufijve të Shqipërisë dihet shumë pak mbi korrupsionin, kriminalitetin dhe problemet e rënda të Ramës dhe qeverisë së tij, për shkak se Kryeministri ka punuar fort me ndërtimin e një imazhi të rremë prej artisti bohem, siç i intereson atij.
Vetëm në muajin e fundit disa media ndërkombëtare e kanë përmendur atë në disa shkrime ku përshkruhej si artist modern, por në median ndërkombëtare nuk gjen dot sikur një shkrim të vetëm të shkruar në anglisht ku njoftohet afera e fundit e Ramës për shtyrjen me 10 vite e koncesionit të Bulqizës.

Artikulli paraprakBasha pret nënkampionin e botës në karate
Artikulli tjetërTahiri takohet me Shullazin, garanci për lirimin pas 4 muajsh