Rama rrit pensionet me 2 mijë lekë ndërsa drejtorëve të tij pagën me 200 mijë lekë

Rritja e pagave dhe pensioneve nga ana e Këshillit të Ministrave u cilësua nga ekspertë të financave si një tallje apo mos më keq pa asnjë shtesë reale pasi ajo rritje minimale që për pensionet varion nga 2 mijë lekë të vjetra deri në 7 mijë lekë të vjetra as nuk përputhet me rritjen e çmimeve, taksave, si dhe kostot e jetesës. E njëjta gjë vlen të theksohet edhe për buxhetorët. Por nuk qëndron e njëjta situatë për këshilltarët apo drejtorët e afërt me Kryeministrin. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, Rama ka rritur nivelin e pagave të njerëzve të tij më të ngushtë në Kryeministri dhe Ministrinë e Finanacave me një vlerë prej 200 mijë lekësh, një shtesë që për pjesën më dërrmuese të familjeve shqiptare është e barabartë me një rrogë mujore.
Me vendim të Këshillit të Ministrave janë rritur pagat për administratën në Kryeministri, ministri dhe disa institucione të tjera shtetërore. Sipas “opinion.al” ajo ç’ka vihet re në VKM e datës 8 mars është se disa pozicione në Kryeministri dhe në Ministrinë e Financave janë vlerësuar më shumë financiarisht me një motivacion jo bindës dhe diskriminues për punonjësit e tjerë. Kësisoj mund të shihni se si Rama ka vendosur që sekretari i Përgjithshëm në Kryeministri, drejtori i Ligjeve dhe drejtori i Antikorrupsionit përfitojnë rritje me 200 mijë lekë (të vjetra) mbi pagën mujore. Po kështu edhe në Ministrinë e Financave pozicionet: Sekretari i Përgjithshëm dhe disa drejtorë apo zëdhënësi kanë përfituar rritje page me 200 mijë lekë. Siç shihet qartë në VKM e miratuar 3 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit, janë rritur pagat për punonjësit e Kryeministrisë dhe ministrive, por nuk ka asnjë rritje page për punonjësit e shtetit në Presidencë dhe Kryesinë e Kuvendit.
Në VKM datë 8 mars 2017 “Për miratimin e strukturës dhe niveleve të pagave të nëpunësve”, thuhet se propozimi është bërë nga ministritë që drejtohen nga Harito dhe Ahmetaj. Në pikën 4 të VKM shkruhet se, “rritja e pagave bëhet për natyrë të veçantë të punës…”, pa specifikuar se cila është e veçanta që bëjnë këta punonjës që përfitojnë rritje page. Në VKM inxhinierët elektronikë që kanë në dorë të dhënat informatike të institucioneve paga u rritet nga 50 deri në 150 mijë lekë (të vjetra) në muaj sipas pozicionit. Ndërsa më pas renditen pozicionet e tjera si jurist apo ekonomist të dikastereve, të cilës përfitojnë nga 100 mijë lekë rritje rroge.

Vendi me pagën mesatare më të ulët

Në Shqipëri paga mesatare bruto është 357 euro në muaj duke qenë më e ulëta në Ballkan. I vetmi vend në rajon ku paga mesatare është e krahasueshme rezulton Kosova me 360 euro në muaj, ndërsa në të gjitha vendet e tjera rrogat janë dukshëm më të larta. Më konkretisht, në Bosnje paga mesatare është 425 euro, në Serbi një punëtor merr 500 euro në muaj, ndërsa në Maqedoni dhe Mal të Zi paga mesatare mujore është respektivisht 530 euro dhe 739 euro.
Por edhe këto janë rrogat bruto, pa llogaritur taksat dhe sigurimet. Nëse llogarit dhe këto të fundit, rezulton se edhe pse fitojnë më pak nga të gjithë fqinjët e tyre, shqiptarët taksohen më shumë, çka bën që në xhepin e tyre të mbeten akoma më pak të ardhura. Sipas të dhënave, për një pagë 357 euro një punëtor në Shqipëri duhet të paguajë 21.9 për qind të rrogës në shtet, nga të cilat 16.7 për qind si kontribut për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, ndërsa 5.2 për qind si tatim mbi pagën. Kjo bën që paga mujore neto, që një punonjës çon në shtëpi të katandiset në vetëm 278 euro.
Përveç Serbisë, e cila po kalon një krizë të thellë financiare, në të gjitha vendet e tjera barra tatimore dhe kontributet janë më të ulëta. Në Bosnje, një punëtor paguan 20.5 për qind taksa dhe kontribute mbi rrogën. Në Mal të Zi 19 për qind, ndërsa në Maqedoni vetëm 10 për qind. Në të gjitha vendet fqinje të rajonit, punëtorët jo vetëm që fitojnë më shumë se sa shqiptarët, por paguajnë edhe më pak taksa dhe sigurime në shtet. Kjo bën që në xhepat e tyre të mbeten më shumë para, një fat që qytetarët shqiptarë nuk e kanë.

Artikulli paraprakBiznesi në kolaps, 250 milionë USD taksa të papaguara për vitin 2016
Artikulli tjetërNis mbyllja e call center-ave, 30 kompani pezullojnë punën