Nis mbyllja e call center-ave, 30 kompani pezullojnë punën

Ligji italian që synon të rikthejë brenda vendit industrinë call center ka dhënë efektet e para në Shqipëri, duke pezulluar aktivitetin e rreth 30 kompanive. “Mbi 2 apo 3 mijë vende pune kanë qenë nga call center që kanë qëndruar mbi 5 vjet në Shqipëri, të cilat kanë patur një kontratë ekskluzive me një multinacionale italiane, që për shkak të ligjit ka frikë se penalizohet dhe ka pezulluar dhënien e shërbimit për t’u ofruar nga kompani që janë të regjistruara në Shqipëri”, deklaron Genti Drenova, nga Shoqata e Call Center-ave. Vlera e gjobës për shkelësit e ligjit është 50 mijë euro. Por disa kompani po përpiqen t’i përshtaten ndryshimeve ligjore për të mbijetuar.  “Nga momenti që jemi të detyruar të themi ‘flasim nga Tirana’, ligji thotë se kur klienti kërkon të merret nga Italia apo brenda BE-së jemi të detyruar t’i kalojmë telefonatën një operatori me nënshtetësi italiane. Kjo ka një kosto sepse duhet të kesh një zyrë në Itali apo brenda komunitetit. Nëse e ke në Rumani apo Bullgari mund të operosh pa problem”, thotë Denis Sina, administrator i një kompanie call center. Paralelisht me këtë, përfaqësuesit e biznesit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë shqiptare. Një nga pikat kryesore është subvencionimi i trajnimeve. “Të paktën për një periudhë të caktuar të kishim një subvencionim të kostos së sigurimeve shoqërore, që është shumë e lartë. 25 mijë punonjës mund të jetë shifër e ulët në krahasim me tregun e punës, por janë punonjësit më sensitivë, studentë që jo vetëm rriten në karrierë, por mbështesin studimet dhe familjet e tyre”, thotë Drenova. Vetëm në Shqipëri llogariten nga tatimet të ketë 25 mijë të punësuar në sektorin e call center nga 804 kompani. Dekadën e fundit, Shqipëria ka qenë një magnet për të nënkontraktuar shërbimet e call center nga Italia për shkak të pagave shumë më të ulëta se në Itali dhe njohjes së mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë. Në të kundërt, Italia pa një reduktim të vendeve të punës në këtë sektor. Çdo vend i ri pune i hapur në Shqipëri ishte një punonjës më pak në Itali. Vetëm në dhjetor të vitit të kaluar, Almaviva, operatori më i madh italian i call center mbylli degën e Romës, duke pushuar nga puna rreth 1700 punonjës. Punonjësit e saj kanë protestuar vazhdimisht dhe qeveria italiane është detyruar të subvencionojë humbjen e vendeve të punës, për shkak të ndjeshmërisë të madhe që ka marrë kjo çështje. Italianët që punojnë në call center janë rreth 80,000, nga të cilët rreth 30 mijë te Almaviva. Mësohet se kompania ka shfaqur interes dhe për Shqipërinë në fillim të vitit të kaluar, teksa ka parë si zgjidhje të vetme zhvendosjen e aktivitetit në një vend të rajonit. “Monitor” ka mësuar se ajo ka zhvilluar një analizë risku për gjithë rajonin, ku Shqipëria kishte avantazh të dukshëm, si për gjuhën ashtu dhe për koston e ulët të fuqisë punëtore. Nuk dihet pse Almaviva vendosi të mos hynte në tregun shqiptar, teksa tani qartazi është një prej lobuesve kryesorë që kontratat e call center të kthehen sërish në Itali, duke rrezikuar mijëra vende pune në Shqipëri. Në prill hyn në fuqi ligji i ri i delokalizimit në Itali, i miratuar nga qeveria italiane në dhjetor të vitit të kaluar, që tenton të forcojë masat ndaj fenomenit “dumping” në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtjen e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimin e punonjësve etj. Për shembull, mosinformimi i vendit nga bëhet thirrja shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve “jo të rregullta”. Edhe Këshilli shqiptar i Investimeve, në një raport të fundit për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe mundësitë për investime në sektorin e shërbimeve të kontraktuara (BPO) pranoi se, “Italia ka investime ekzistuese në vend, përqendruar në call center, por për shkak të pasigurisë së krijuar nga ndryshimi i ligjit për call center atje, ka pasur një ngrirje/tkurrje të sektorit”.

Artikulli paraprakRama rrit pensionet me 2 mijë lekë ndërsa drejtorëve të tij pagën me 200 mijë lekë
Artikulli tjetërKosovë, punëtorët “pa letra” vërshojnë tregun e punës