Rama-Roshi, 3 milionë euro për zhvillimin turistik

Aferës korruptive për Karpenin, Edi Rama i parapriu me një fond prej 3 milionë eurosh që do i jepte Elvis Rroshit, (po respektojmë etikën, pasi ky është emri zyrtar që mban si kryetar) në maj të këtij viti, i cili sipas tij do e shndërronte lumin e Leshniqes që kalon mes përmes Karpenit, në një lumë të lundrueshëm turistik. Ky përrua derdhet pikërisht atje ku do të ndërtohet porti. Por duke lënë pas aferën korruptive dhe shumën stratosferike për një përrua fshati, lind pyetja përse Edi Rama kërkon ta shndërrojë në lumë të lundrueshëm këtë përrua, kur ka ndërmend të ndërtojë port?! Kujt kërkon t’i bëjë përshtypje! Ndoshta përgjigjen e keni mes rreshtave të arsyetimit të “historianit” Elvis Rroshi, kur fliste se përse duhej zgjeruar kanali i Leshniqes. “Ndryshe Kavaja, ku në dy përrenj ndodh i gjithë drenazhimi i qytetit. Dhe pikërisht nga ky fakt fiziko-gjeografik në vitet e para të shtetit shqiptar Kavaja radhitej si një nga pretendentet për kryeqytetin e vendit, në mos kryeqytetin brilant të Shqipërisë. Pozita qendrore, afërsia me detin, kushtet klimatike ideale dhe drenazhimi i përronjve të tij, janë vlera të pakundërshtueshme dhe të evidentuara historikisht. Në këto territore kemi të bëjmë me disa fakte historike të një rëndësie të veçantë botërore. Beteja e Durrachium ku kulmin e saj e ka pikërisht në afërsi të përroit. Rrallë herë në historinë e botës gjigantë të ndodhen njëkohësisht në të njëjtin vend për disa muaj. Gaio Jul Qezari, Pompeu i madh, Mark Antonio etj., këtu në Kavajë për të ndarë fatet e botës. Po bëj një paralelizëm me Francën, ku beteja e Jul Qezarit me Galet në Alesio është shumë e ngjashme me betejën e Durrachium. Këtë e vërteton vetë interesimi i Napoleon Bonapartit të tretë, i cili emëron të njëjtin historian (Herzog) për Durrësin dhe për Alesia dhe ku betejën e Alesias e vendosi si fillimi i historisë franceze. Ndërtimi i Fushë Museut të Alesias i realizuar më 2012 nga arkitekti i famshëm Bernard Tchumi, sot është i vizituar më shumë se 200 mijë turistë në vit. Këtu buzë Leshniqes në periudhën e madhe të koncentrimit të turistëve, të pretendojmë me të drejtë një fushë muze ose CASTRUM QERRET për avenimentet historiko-shkencore dhe për atraksion real të turistëve në pikun e tyre 8, 9, 10 korrik të çdo viti”, e mbyll relacionin e tij historiani i Bashkisë Kavajë.

Artikulli paraprakKriza e tregut të reklamave në media
Artikulli tjetërPort apo resort në Karpen, si po grabiten 1700 hektarë?