Kriza e tregut të reklamave në media

Ornela Liperi

Shikuesit e lexuesit sa vijnë e po bëhen më kërkues dhe përzgjedhës. Media online e ka bërë shumë të lehtë përhapjen e informacionit brenda pak sekondash, duke konkurruar fort shtypin e shkruar, por edhe televizionet informative. Teknologjia ka shtuar alternativat edhe për shikuesit, që përveçse kanë mundësi të ndryshojnë kanalin, mund të zhvendosin vëmendjen në internet, YouTube, kanalet dixhitale, Netflix dhe të shohin filmat e fundit e zgjedhje të tjera pa fund.
Në këtë evolucion të shpejtë, televizionet e gazetat gjenden përballë kufizimeve për të reaguar e për t’u përshtatur. Tregu i reklamave, burimi kryesor i të ardhurave të tyre, vijon të mbetet i frenuar prej disa vitesh radhazi. Shumë kompani po shkurtojnë buxhetet e marketingut, të parat që preken në kohë krize. Shpresat e televizioneve kanë mbetur te kompanitë e telekomunikacionit dhe bankat, që kanë dhe buxhetet më të mëdha në dispozicion për marketing e reklama, ndërsa reklamuesit e rinj numërohen me pikatore.
Gjithsesi, televizionet e mëdha po arrijnë të rezistojnë dhe të marrin pjesën kryesore të tortës së buxheteve të reklamuesve.
Për vitin 2015, xhiro e tre televizioneve kryesore në vend (“Top Channel”, “Klan”, “Vizion Plus”) u rrit me 8.1%, pas tkurrjes po me 8% një vit më parë, sipas të dhënave nga bilancet e tyre. Në 2015-ën u zhvilluan zgjedhjet lokale dhe gjithmonë në periudha elektorale, të ardhurat e televizioneve kanë tendencë rritjeje. Por, ndonëse kanë ruajtur të ardhurat, televizionet kanë sakrifikuar fitimet. Këto të fundit ranë me gati 30% për tre televizionet në fjalë.
Për vitin 2016, të dhënat parapake nga monitorimet e kohës së reklamave për 11-mujorin, nga Idra Media, tregojnë për një rritje të lehtë të kohës së reklamimit për 8 televizionet kryesore në vend. Frenimi i buxheteve të marketingut të bizneseve duket se ka prekur dhe televizionet informative, që ishin në lulëzim deri pak kohë më parë.
Krizën po e vuan më së shumti media e shkruar, ku pjesa më e madhe e gazetave kanë parë rënie të të ardhurave dhe fitimeve në 2015-ën, ndërsa të dhënat e monitorimeve të 11-mujorit 2016 tregojnë rënie drastike të sipërfaqes së reklamave.
Reklamat jashtë dyerve (outdoor) kanë vijuar për të dytin vit radhazi me rënie, të thellë për disa, duke u prekur më shumë nga shkurtimi i buxheteve të marketingut të kompanive.
Pas një rritjeje në 2014-ën, edhe radiot kryesore kanë parë një reduktim të të ardhurave në vitin 2015.
Në ndjekje të një tendence globale, i vetmi segment që po kalon ditë të mira është ai i reklamave online, që po i gëzohet rritjes së numrit të përdoruesve online dhe po përfiton, duke joshur klientët – reklamuesit, që janë të dëshpëruar të maksimizojnë koston e arritjes së një klienti potencial – me tarifat që ende mbeten të ulëta. Të dhënat e monitorimeve nga Idra Research flasin për një rritje me 40% të sipërfaqes së reklamuar në mediat online dhe 70% në vlerë për 11-mujorin 2016.

Tregu i reklamave rritet lehtë me 3%

Në total, tregu i reklamave në vend në vitin 2015 vlerësohet të ketë arritur në rreth 38 milionë euro, nga rreth 37 milionë euro që ishte vitin e mëparshëm, me rritje të lehtë me rreth 3%, i udhëhequr nga përmirësimi i të ardhurave të televizioneve dhe rritjes së fortë të online, ndonëse nga nivele të ulëta.
“Monitor” e ka bërë vlerësimin e tregut të reklamave për 2015, duke u nisur nga tregues direkt të matur nga disa drejtime:
-të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
-shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.
-monitorimet në bazë të numrit të spoteve të transmetuara në mediat televizive dhe reklamave në shtypin e shkruar, sipas të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media, kanë shërbyer për të vlerësuar tendencën për vitin 2016.

Televizioni

-Nga të ardhurat e deklaruara në bilanc nga televizionet kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e televizioneve ishin 29-30 milionë euro, në vitin 2015, me një rritje prej rreth 7% me bazë vjetore, duke e marrë veten pas tkurrjes së një viti më parë. Ky përmirësim erdhi dhe nga fakti që 2015-ta ishte një vit me zgjedhje lokale, i shoqëruar me shpenzime të bashkive për spote publicitare. Edhe kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit rritën buxhetet e marketingut në 2015-ën, duke u dhënë një dorë televizioneve. Shikueshmëria e lartë e telenovelave turke ka qenë një tjetër magnet për reklamuesit që kapim një audiencë të ndjeshme me një kosto relativisht të ulët. “Vizion Plus” dhe “Klan” i kanë dhënë hapësira dhe orare në ‘prime time’ në programacion këtyre telenevoleva, ndërsa “Top Channel” vijon t’i rezistojë, duke u përqendruar te prodhimet e veta.

Shtypi i shkruar

-Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 2.7 milionë euro në vitin 2015, me një rënie vjetore prej rreth 10%, në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga mediat kryesore në vend dhe monitorimeve nga Idra Media. Përveç Panorama Grup dhe Unipress (Shekulli), gazetat e tjera kanë deklaruar rënie dyshifrore të të ardhurave.

Internet

-Reklamat në faqet kryesore të internetit në vend vlerësohen në rritje të shpejtë, ndonëse mbeten ende të ulëta, duke arritur në 1.7 milionë euro në 2015-ën, sipas të dhënave nga monitorimet e Idra Media. Të dhënat e 11-mujorit 2016 të Idra Medi flasin për një zgjerim të fortë të këtij tregu me rreth 70% në vlerë, duke qenë segmenti me rritjen më të shpejtë.
Kompanitë e telekomunikacioneve (operatorët celularë plus Albtelecom) mbeten reklamuesit më të mëdhenj në vend, me një buxhet total për shpenzime publiciteti prej rreth 20 milionë eurosh në vitin 2015, sipas të dhënave të nxjerra nga bilancet e tyre, me një rritje të lehtë prej 0.6% në krahasim me 2014-ën, si rrjedhojë e zgjerimit të buxhetit të operatorëve të mëdhenj. Buxheti i bankave është rreth 9.4 milionë euro.

Televizionet, rënie e ndjeshme e fitimeve

Pasi panë një rënie të të ardhurave në 2014-ën, televizionet kryesore në vend kanë arritur të rikuperojnë një vit më pas, të ndihmuara nga zgjedhjet lokale, por dhe nga rritja e buxheteve të dy reklamuesve më të mëdhenj në vend, Vodafone dhe Telecom Albania. Edhe vetë televizionet kanë shtuar përpjekjet, duke bërë oferta më tërheqëse për bizneset dhe duke investuar në pasurimin e programacionit.
Por, rritja e të ardhurave nuk i ka ndihmuar aspak televizionet kryesore, që në pjesën më të madhe kanë parë një rënie të ndjeshme të fitimeve për të dytin vit radhazi, duke qenë larg niveleve të vitit të mbarë 2013.

op Channel

“Top Channel” mbetet televizioni më i madh në vend sipas të ardhurave, me një xhiro të deklaruar prej 1.65 miliardë lekësh (gati 12 mln euro), me një rritje të lehtë prej 2% në 2015-ën, që vjen pas tkurrjes prej gati 8% në vitin e mëparshëm. Numri i sekondave reklamë të transmetuara në 2015 shënoi një rritje me 6%, sipas të dhënave nga Idra Media (shih grafikun: Televizionet kryesore, sipas sekondave të reklamave të transmetuara, 2015). Teksa të ardhurat janë rritur lehtë, shpenzimet janë zgjeruar me ritme më të shpejta, duke bërë që fitimi pothuajse të përgjysmohet në 9 milionë nga 14 milionë lekë në 2014ë-n, duke qenë shumë larg niveleve prej rreth 141 milionë lekësh në 2013-ën. Norma e fitimit në 2015-ën ishte minimale, më pak se 1%.

TV Klan

Televizioni i dytë më i madh në vend nga të ardhurat është “TV Klan”, me një qarkullim vjetor prej 997 milionë lekësh në 2015-ën, me një rritje prej 17% në raport me një vit më parë, duke pasur performancën më të mirë nga të gjithë televizionet për tërheqjen e më shumë reklamave. Eptan Lohja, drejtor i marketingut të “Tv Klan” tha se rritja e shikueshmërisë dhe larmishmëria e programacionit kanë ndihmuar në shtimin e të ardhurave nga reklamat, ndërsa tendenca vijon të jetë pozitive.
Të ardhurat u rritën pavarësisht se sekondat e reklamave të transmetuara ranë me 15% për të njëjtën periudhë, sipas të dhënave nga Idra Media.
Edhe “Klan” nuk i ka shpëtuar tendencës së rënies së fitimeve. Në vitin 2014, “TV Klan” rezultoi me një fitim prej 118 milionë lekësh (normë fitimi 12%), nga 175 milionë lekë vitin e mëparshëm. Rritja e shpenzimeve të personelit dhe shpenzimeve të tjera operative janë arsyet kryesore të përkeqësimit të treguesit të përfitueshmërisë. Ndërsa në 2013-ën, ai renditej ndër 100 kompanitë me fitime më të larta, me 303 milionë lekë.

Vizion Plus

I treti televizion më i madh në vend, sipas të ardhurave, është “Vizion Plus”, që ka parë rritje të të ardhurave me 14%, në 472 milionë lekë. Edhe sekondat e reklamave të transmetuara janë zgjeruar me 11.3%, sipas të dhënave të Idra Media.
Ndryshe nga dy televizionet e mëdha, “Vizion Plus” ka shënuar një rritje të fitimeve nga 3.2 në 8.8 milionë lekë në 2015-ën. Megjithatë, ato janë shumë më poshtë nivelit prej rreth 23 milionë lekësh në 2013-ën. Norma e fitimit në 2015-ën ishte vetëm 1.9%.
Jerina Lalaj, drejtoreshë e shitjeve dhe marketingut në “Vizion Plus” e konfirmon tendencën në rritje të reklamave edhe për 2016-n, duke përmendur disa nga arsyet si “riorganizimi i programacionit, spektakli “Tu Si Que Vales” këtë vit ka qenë me pjesëmarrje dhe numra të jashtëzakonshëm. “Al Pazar” vazhdon të jetë spektakël i preferuar i publikut. “Apartamenti 2XL” mbizotëron ndjeshëm të martave me humorin atipik. Janë shtuar 2 telenovela turke në fashën e pasdites me produksione të famshme njëra e zhanrit dramë dhe tjetra e zhanrit komedi”.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërRama-Roshi, 3 milionë euro për zhvillimin turistik