Rama në rrebeshin e kritikave të Trump

Presidenti amerikan Trump ka qenë i ashpër dje në Samitin e Aleancës së Atlantikut në Bruksel me ato vende që nuk përmbushin detyrimet që kanë ndaj Aleancës. Kritika kanë shkuar indirekt edhe për Ramën, i cili refuzon të përmbushë kuotën e financimit për NATO-n që është e detyrueshme për Aleancën.
Në takimin e tij të parë me udhëheqësit e vendeve të aleancës së NATO-s Presidenti Trump, kërkoi nga aleatët që të shtojnë kontributin e tyre për buxhetin e aleancës, duke i quajtur shpenzimet e mbrojtjes të NATO-s të pamjaftueshme. 23 nga 28 vendet e aleancës, tha ai, nuk paguajnë kuotat e tyre të plota. Presidenti po ashtu theksoi se, lufta kundër terrorizmit duhet të jetë një përparësi e aleancës.
Presidenti amerikan Donald Trump e përdori fjalimin e tij të inaugurimit të selisë së re të NATO-s për t’u kujtuar vendeve anëtare të aleancës se duhet të përmbushin detyrimet financiare ndaj aleancës.
“E ardhmja e NATO-s duhet të përfshijë një fokus të madh tek terrorizmi dhe imigracioni, si dhe kërcënimet nga Rusia në kufijtë jugorë dhe lindorë të aleancës. Këto shqetësime të thella janë të njëjtat arsye përse kam qenë shumë i drejtpërdrejtë me sekretarin Stoltenberg dhe anëtarë të aleancës, duke thënë se anëtarët e NATO-s duhet të kontribuojnë më në fund në përmbushjen e detyrimeve të tyre financiare”.
Presidenti Trump u tha udhëheqësve të NATO-s sot në Bruksel se, Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalin kurrë luftën kundër terrorizmit, duke e quajtur sulmin e Mançesterit të rëndë dhe barbar.
“Sulmi i fundit në Mançestër në Britani demonstron thellësinë e së keqes me të cilën përballemi nga terrorizmi. Vajza të vogla të pafajshme dhe shumë të tjerë u vranë në mënyrë të tmerrshme dhe u plagosën rëndë, ndërsa po ndiqnin një koncert. Jetë të mrekullueshme me potencial të madh, u ndanë nga familjet e tyre përgjithmonë. Ishte një sulm barbar dhe i rëndë mbi civilizimin tonë”, tha Presidenti.
Më pas, gjatë daljes në një fotografi me drejtuesit e NATO-s, kryeministrja e Britanisë, Theresa May diskutoi me Presidentin Trump shqetësimet e saj lidhur me daljen e informacioneve të hetimeve në median amerikane rreth shpërthimit me bombë në Mançester, tha një zëdhënës i zonjës May.
Zonja May u tha gazetarëve më herët se, partneriteti i fortë i sigurisë dhe mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë është ndërtuar mbi besimin dhe pjesë e këtij besimi është njohja se zbulimi mund të ndajë informacionet në mënyrë konfidenciale”.
Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump thotë se “daljet e dyshuara të informacionit nga agjencitë qeveritare janë thellësisht shqetësuese”, duke shtuar: “Unë i kërkoj Departamentit të Drejtësisë dhe agjencive të tjera përkatëse që të fillojnë një rishikim të plotë të kësaj çështjeje dhe nëse është e përshtatshme, fajtori duhet të ndiqet penalisht, duke zbatuar plotësisht ligjin”.
Sipas medias, policia që po punon për ngjarjen në Mançester, e që është “tejet e zemëruar rreth rrjedhjes së informacionit në shtyp”, ka ndërprerë shkëmbimin e informacioneve me homologët amerikanë.
Agjencia e lajmeve “Reuters”, citoi burime të kenë thënë se, ndalimi i ndarjes së informacioneve të policisë me Shtetet e Bashkuara rreth sulmit, do të vazhdojë të jetë në fuqi derisa të merret garanci nga Uashingtoni se nuk do të ketë dalje të tjera informacionesh.
Disa media amerikane njoftuan emrin e autorit të sulmit, duke ia atribuar informacionin zyrtarëve amerikanë, para se kjo të lejohej nga zyrtarët britanikë. Gazeta “The Neë York” më pas publikoi fotografi nga sulmi, të cilat nuk ishin lejuar ende zyrtarisht të publikoheshin.

Artikulli paraprakDurrës, trafikantët hedhin drogën në det
Artikulli tjetërVrasja në Vlorë, makina që u përdor në vrasje ishte vjedhur në Durrës