Ministrat teknikë përplasen me Ramën

Me afrimin e datës së zgjedhjeve, Rama po shfaqet gjithnjë e më shumë në panik. Pas evidentimit dhe dërgimit për ndjekje penale të një numri të lartë punonjësit të tij, të cilët janë bërë pjesë e fushatës zgjedhore në shkelje me urdhrin e Task Forcës së ngritur për zgjedhjet, Rama ka dhënë një urdhër ku u kërkon vartësve të tij të mos zbatojnë asnjë urdhër nga ministrat teknikë. Ai ka urdhëruar sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit që të mos zbatojë urdhrat e ministres Karabina që kanë të bëjnë me pezullimet e drejtorëve të arsimit për shkak të angazhimit të kundraligjshëm në fushatë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Mirela Karabina ka kërkuar dje, pezullimin e menjëhershëm nga puna të drejtores së Drejtorisë Arsimore Rajonale Vlorë, znj. Albana Hodaj dhe i ka dërguar edhe një paralajmërim për mosbashkëpunim, sekretarit të Përgjithshëm të MAS, Plarent Ndrecës. MAS njoftoi se, “pezullimi i drejtueses së DAR Vlorë ka ardhur si pasojë e kundërshtimit për të zbatuar veprimtarinë dhe përgjegjësitë institucionale të titullarit të institucionit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 473, datë 01.06.2017, ‘Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017’. Sjellja dhe veprimet e znj. Hodaj, përveç se në shkelje të plotë të etikës institucionale, janë në kundërshtim të plotë me përcaktimet ligjore dhe përgjegjësitë e detyrave të nëpunësve të administratës publike, të shfaqura jo vetëm në këtë takim pune të titullarit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por edhe në drejtori të tjera rajonale të arsimit është konstatuar, janë të imponuara nëpërmjet presionit të ushtuar mbi ta nga ana e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, z. Plarent Ndreca. Ndërkohë denoncimeve të përcjella nga ana e ministrit të Arsimit dhe Sportit pranë organeve të Prokurorisë në rrethe, në përputhje me masat e përcaktuara në vendimin Nr. 473, datë 01.06.2017, sipërcituar, sekretari i Përgjithshëm jo vetëm që nuk ka qenë bashkëpunues në këtë proces, por vijon të pengojë, duke ushtruar presion konstant në administratën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”.

Artikulli paraprakAmbientalistët e konsiderojnë fitore ndalimin e ndërtimit të digave në Vjosë
Artikulli tjetërBanorët e Bushatit: Socialistët po ndajnë para për zgjedhje