Rama kriminalizon KQZ me mandatin e Prengës

KQZ nuk është lejuar dje nga Rama që të votojë për heqjen e mandatit të vrasësit Prenga. Kërkesa është bërë nga Prokuroria, e cila dy herë radhazi ka kërkuar heqjen e mandatit të deputetit Prenga. Përmes një debati të gjatë në KQZ, kryetari i këtij komsioni në varësi direkte nga Rama nuk ka lejuar që të bëhet votimi për Prengën. Tre anëtarët e opozitës në KQZ kanë kërkuar që të hidhej në votë kërkesa e Prokurorisë, por Biba nuk e ka lejuar. Skema është e tillë. Rama ka gjetur një zgjidhje tjetër për Prengën. Deputeti vrasës ka dhënë dje dorëheqjen tek kryetari i Parlamentit. Miratimi i dorëheqjes e largon vërtet Prengën nga Parlamenti, por nuk e identifikon atë si subjekt të ligjit të dekriminalizimit sikurse kërkon Prokuroria. Përmes këtij vendimi Rama synon që të amnistojë Prengën për krimet e tij dhe në të njëjtën kohë të bëjë të pavlefshëm ligjin e dekriminalizimit. Kjo nënkupton se Prenga nuk do të largohet për krimet e kryera, por vetëm se ka dhënë dorëheqjen. Në këtë mënyrë Prenga kërkon t’i shpëtojë ligjit të dekriminalizimit me besimin dhe premtimin e dhënë nga Rama se ai do të jetë sërish në listën e deputetëve në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo vetëm si pasojë e bllokimit të KQZ për të zbatuar vendimin e Prokurorisë për dekriminalizimin.  Dje, me anë të një letre drejtuar kreut të Kuvendit Meta, Prenga deklaroi se heq dorë nga mandati dhe shpjegon arsyet e këtij vendimi. “Për qetësinë time dhe të familjes sime heq dorë, sot dhe gjithmonë, nga mandati që zgjedhësit e mi dhe Kushtetuta më kanë ngarkuar”, shkruante ndër të tjera Armando Prenga në letër. Përmes këtij akti Prenga nuk do të mund të bëhet subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Me urdhër të Ramës, KQZ nisi një betejë të ashpër me Prokurorinë teksa refuzonte pranimin e kërkesës së organit të akuzës për ti hequr atij mandatin e deputetit. Sipas të dhënave të Prokurorisë, ndaj Prengës rëndon një dënim i formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë, si dhe faktin që rezulton me precedentë penalë në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar i organit të akuzës me autoritetet italiane. Por për KQZ nuk mjaftojnë të dhënat e Prokurorisë, ndaj dhe ajo ka vendosur të kërkojë informacione shtesë. Reagimi i Prokurorisë erdhi pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shtyrjen e vendimit për heqjen e mandatit të deputetit të PS-së, Armando Prenga me pretendimin se nuk kishte prova të mjaftueshme. “Armando Prenga nuk ka respektuar kërkesat e ligjit për plotësimin e të dhënave, duke mos deklaruar, më së pari, një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Kurbinit, si edhe precedentët penalë në Itali”, deklaron Prokuroria e Përgjithshme përmes një njoftimi për shtyp. Më tej Prokuroria vijon: “Sipas vendimit të Kuvendit nr. 17/2016, mosplotësimi i të dhënave ‘….passjell përjashtimin e menjëhershëm nga funksioni publik….’. Pra, vetëm duke u mbështetur në faktin që ka një vendim penal të padeklaruar (të Gjykatës së Kurbinit), deputetit duhet t’i ndërpritet mandati”. Sipas Prokurorisë afati ligjor i KQZ për të shqyrtuar vendimin e Prokurorisë është brenda 10 ditëve nga vendimmarrja e Prokurorisë. Meqë Prokuroria e Përgjithshme ka marrë vendim për konstatimin e ndërprerjes së mandatit të deputetit Prenga në dt. 15.02.2017 atëherë KQZ duhej të merrte vendim, por refuzoi qëllimisht për të pritur Prengën të dorëhiqej, në mënyrë që ai të shpëtonte nga prekja e ligjit të dekriminalizimit.
Prenga është zgjedhur dy herë deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës. Ai asnjëherë nuk ka folur në Parlament, megjithatë është i njohur për opinionin publik. Jo për ndihmën ndaj atyre që votuan, as për të mira publike, por për dhunën që ka shkaktuar në Parlament dhe jashtë tij. Në dy raste ai dhunoi fizikisht kolegët e opozitës. Një herë ndaj Edi Palokës dhe rasti i dytë dhe më i bujshëm, kur goditi me rripin e pantallonave deputetin demokrat Gent Strazimiri. Të dy ngjarjet ndodhën në ambientet e Parlamentit. Gjithmonë ai ka qenë i akuzuar nga opozita si i përfshirë në ngjarje kriminale dhe probleme me drejtësinë, që me kalimin e kohës do të vërtetoheshin dhe ligjërisht. Në shtator të 2015, Armando Prenga u arrestua nga policia për shkak të një konflikti me armë me fisin Çali. Ai u akuzua nga Prokuroria se ka plagosur njërin prej pjesëtarëve të këtij fisi. Me vendim të Gjykatës së Lartë, u lirua. Fshehurazi medias dhe kolegëve, Armando Prenga iu bind urdhrit të Ramës shkoi në Parlament dhe mori pjesë në votimin e një prej ligjeve që shoqëronin reformën në drejtësi, duke shmangur njëkohësisht dhe humbjen e mandatit pasi prej 6 muajsh nuk ishte i pranishëm në seancat plenare.

Krimet që Rama i amnistoi Prengës

Ish deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga rezulton se ka mbajtur disa emra të rreme në Itali. Siç konfirmohet nga dokumenti i policisë italiane, deputeti socialist, ka përdorur identitete të ndryshme si: Ardian Ndoka, Mond Gjoni, Don Gjoni dhe Arjan Ndoci. Gjithashtu sipas dokumentit të policisë italiane, Prenga ka precedentë penalë të mëparshëm si grabitje, falsifikim dokumentesh dhe krim prone. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar t’i ndërpritet mandati deputetit të Kuvendit, Armando Prenga, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. “Të dhënat janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Në dosjet e drejtësisë italiane, Prenga rezulton person me precedentë të rrezikshëm si i përfshirë në trafik droge e prostitucion, si dhe vepra të tjera penale. Bëhet e ditur se deputeti Armando Prenga në Itali kishte ndryshuar identitetin për shkak të problemeve me drejtësinë. Por ai gjeti strehë tek Rama dhe grupi i deputetëve socialistë. Pas futjes në Parlament, Rama e përdori Prengën për të ushtruar dhunë ndaj deputetëve të opozitës. Por nga ana tjetër, Prenga njihet edhe për vepra të tjera penale në Shqipëri. Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste Armando Prenga është arrestuar mëngjesin e 5 shtatorit 2015, nën akuzën e “Plagosjes së rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosje serioze për vrasje”.

Artikulli paraprakKush e vrau vëllain e Kim Jong Un?
Artikulli tjetërBerisha: Dorëzimi i mandatit nga Prenga poshtërim për ligjin