Rama kandidon sërish trafikantë droge e prostitutash, denoncimi në Itali për Artur Bushin

Shkrimi i publikuar nga Varesse news: Artur Bushi, pjesë e kartelit të drogës
Të rinj, të edukuar dhe të mirintegruar në territorin e Galaratës. Pra, “djem të mirë”, të paktën kështu thoshin komshinjtë e shtëpisë në “Monte Leone”, lagjen periferike të Morixhias, se ata nuk kishin vënë re asgjë. Nuk kishin vënë re as që ata djemtë e mirë të derës ngjitur ruanin dhe paketonin drogë të importuar nga Holanda, e destinuar për t’u shitur më pas në gjithë Italinë.

Bledar Debrova, shefi i të ashtuquajturës “Debli”, 34 vjeç, Ndriçim Hindraliu, i quajtur “Çimi”, 30 vjeç, Bujar Hasani i quajtur “Polpeta”, 26 vjeç, Roland Abesci, i quajtur Landi, i vitit 1964, Artur Bushi, i quajtur “Turi”, 34 vjeç, Besim Kadiu dhe Erjon Tarja, i quajtur Eri, 27 vjeç.

Një bandë e tërë dhe e vërtetë me role të mirëpërcaktuara, që për komandandin e Policisë së Shtetit në Galaratë, Franco Novati, i cili bashkë me Prokurorinë e Busto Arsizio kanë ndjekur hetimet, kanë përmendur qendrime tipike të “mafies sonë”: hierarki, organizim, kohezion, të lidhur me familjen dhe traditat.

Prej muajsh forcat e Komisariatit të Galaratës i ishin vënë pas këtij grupi. Gjithçka nisi nga operacionet e kontrollit të territorit, ku kohët e fundit ishin arrestuar disa trafikantë me kombësi shqiptare që furnizonin tregun e Galaratës.

Nga këto hetime dolën të dhëna të reja, të cilat, janë përgjime ambientale telefonike me anë të të cilave forcat e policisë arritën të rindërtonin lëvizjet dhe organizimin e grupit duke arritur deri në ndalimet dhe arrestimet për importim dhe trafikim kokaine, arrestime të lajmëruara këtë mëngjes nga prokurori Francesco Dettori dhe komandandi Franco Novati.

Një herë në katër muaj, pjesëtarë të grupit merrnin avionin dhe fluturonin për Amsterdam. Ata niseshin dhe zbrisnin në rajone të ndryshme, duke mbërritur më pas në mënyrë të ndarë në kryeqytetin holandez. Aty priteshin nga bashkëkombas të tyre, me të cilët zgjidhnin drogën, paguanin dhe ktheheshin me duart bosh.

Kokaina vinte përmes korrierëve dhe futej në apartamentin e Galaratës, ku hapej dhe paketohej për shitje. Një trafik i mirorganizuar dhe shumë fitimprurës, i cili mund të gjeneronte edhe 1 milion euro; Bledar Debrova, shefi, nga Elbasani, qyteti i tij i origjinës ishte pronar i pasurive të patundshme dhe ishte duke hapur një aktivitet të ri, biznes hotelerie.

Precedentët ishin të vegjël, dikush për shfrytëzim prostitucioni, dikush për emigrim të paligjshëm, por askush për drogë. Ndonjë krisje e vogël për ndonjë bast, por asgjë më shumë; ndonjë tjetër kishte edhe një punë të rregullt. Dy u arrestuan në flagrancë, pesë të tjerët u ndaluan nga Policia Gjyqësore.

Për shefin dhe dy prej të tjerëve ndalimi u bë në Spitalin e Galaratës: Bledar Debrova, i cili rezulton i martuar me një italiane me origjinë nga Napoli vuan në fakt nga diabeti, ndërsa dy të tjerët kishin shkuar për t’i bërë vizitë. Nga përgjimet, pa të cilat operacioni nuk mund të ishte kryer, doli se ai telefononte çdo ditë nënën e tij në Shqipëri, i shqetësuar për shëndetin e saj.

Pjesë nga shkrimi i Birn:
Banda e trafikut të kokainës, ku bënte pjesë Artur Bushi, sot Kryetar i Bashkisë së Krujës, importonte kokainë nga Holanda në Itali. Para se të bëhej deputet më 2013, policia italiane e arrestoi Bushin më 11 qershor 2010 në qytezën e Gallaratës. Ai ishte i dyshuar si pjesë e një organizate kriminale, të njohur si banda e Morriggia-s. Franco Novati, një ish-komandant policie në Gallarate, i cili drejtoi hetimin, i tha BIRN se kjo bandë importonte kokainë nga Holanda në Itali.

“Kur ne i vumë nëntë prej tyre nën përgjim, ata folën për “pjesë këmbimi”, por ne e dinim se kjo qe fjala në kod për kokainën”, rikujtoi ai. Novati tha se, kokaina vinte nga Amsterdami përmes korrierëve dhe shitej me shumicë te bosët vendorë në Breshia, Modena, Luka dhe Piaçenza.

“Ne ndërhymë në transportin e fundit të 10 apo 11 kileve të kokainës nga Holanda dhe arrestuam bandën”, shtoi ai. “Ai (Artur Bushi) qe pranë bosit të bandës Morrigia”, shtoi ish-shefi i policisë, aktualisht në pension. Aktiviteti i këtij karteli droge e shpërndante drogën në të gjithë Italinë, ndërsa si epiqendër të vetën ka pasur zonën e Galaratës në Itali ku bëhej paketimi i drogës.

Operacioni për arrestimin e deputetit të sotëm të Ramës është ndërmarrë nga prokurori Francesco Dettori dhe komandandi Franco Novati.

Artikulli paraprak“Zgjidhja” e Kokëdhimës braktis zgjedhjet: Nuk i lemë në baltë ata që protestojnë
Artikulli tjetër“Bashkimi Europian është perandori”