Rama e pranon, 66% e pensionistëve nuk paguajnë dot rritjen e çmimit të energjisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zbuluar gënjeshtrën e Edi Ramës për faljen e kamatëvonesave të energjisë elektrike.
Kryedemokrati thotë se më 2014 Kryeministri deklaroi që 98% e pensionistëve paguajnë rregullisht energjinë elektrike, ndërsa sot tha se mbi 66 mijë pensionistë nuk e përballojnë dot faturën e dritave.
“Edi Rama më në fund pranon dëmin e madh që u bëri shqiptarëve në nevojë me terrorin 3-vjeçar ndaj të varfërve që nuk paguanin dot dritat. Ai sot lajmëroi se do të falë kamatëvonesat, që është më minimalja që i kemi kërkuar të gjithë prej të paktën dy vitesh. Kjo është gjë e mirë për shumë familje në nevojë, sidomos tani që çmimi i dritave është rritur dhe fuqia blerëse e çdo familjeje shqiptare ka rënë.
Fatkeqësisht, falja vjen tepër vonë për Qamil Zelën që u vetëvra si pasojë e burgosjes së padrejtë për dritat e papaguara, për Arif Dodën dhe Llazar Nasin që u vetëvranë nga depresioni pasi OSHEE i shkëputi dritat, për Barbulla Pepën që vdiq nga i ftohti pasi OSHEE i shkëputi për 2 muaj energjinë në mes të acarit dhe për mijëra të tjerë që kaluan drama dhe tronditje psikologjike nga dhuna shtetërore ndaj tyre për më shumë se tre vjet.
Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës faktit se po afrojnë zgjedhjet dhe tani që Edi Rama ka nevojë për votat e njerëzve do të përpiqet t’u hedhë edhe atyre ndonjë qokë të vogël, pasi tre vjet në pushtet ka menduar vetëm për pasuritë e tij dhe klientëve të tij duke grabitur paratë e qytetarëve.
Falja e detyroi Kryeministrin që të nxjerrë veten gënjeshtar: në nëntor 2014 ai pati deklaruar se 98 për qind e pensionistëve dhe 93 për qind e personave me aftësi të kufizuar e paguanin rregullisht energjinë elektrike. Sot ai u detyrua të pranojë se janë të paktën 67 mijë familje pensionistësh që nuk përballojnë dot pagesat në kohë, të energjisë dhe janë gjobitur me kamatëvonesa. Megjithatë më mirë vonë se kurrë”, shkruan në Facebook kryetari i PD, Lulzim Basha.
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se OSHEE do të falë kamatëvonesat e energjisë elektrike për mbi 66 mijë pensionistë.

Artikulli paraprakArrestohen 51 policë në Kosovë për korrupsion
Artikulli tjetër20 mijë lekë mbifaturim në muaj për çdo familje