Arrestohen 51 policë në Kosovë për korrupsion

Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti, tha të hënën se 59 zyrtarë të policisë, nga të cilët 35 shqiptarë, 23 të komunitetit serb dhe një boshnjak, janë marrë në pyetje “në cilësinë e të dyshuarve dhe ndaj tyre është kërkuar edhe masa e pezullimit nga puna”, për, siç tha, “shpërdorim detyre”.
Në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës thuhet se të gjithëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe për ta do të vendos prokuroria.
Kryeshefi i Inspektoratit Policor, Hilmi Mehmeti, tha se në mesin e të ndaluarve janë 20 zyrtarë policorë nga pjesa jugore dhe 15 të tjerë nga pjesa veriore e Mitrovicës, kurse një pjesë e të ndaluarve janë policë të njësitit për kontroll të autostradave.
Sipas tij, Prokuroria e Mitrovicës dhe ajo e Prizrenit kanë nisur hetimet prej më shumë se katër muajsh, pas “njoftimeve të qytetarëve se zyrtarët policorë kanë marrë ryshfet”.
Ndërkohë, në kumtesën e saj, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se “Inspektorati Policor i Kosovës do të paraqes në Prokuroritë kompetente kallëzime penale ndaj 59 zyrtarëve policorë për veprën penale Keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar për marrje ryshfeti”.
Gjithashtu thuhet se IPK “do të paraqes kallëzim penal edhe ndaj 30 qytetarëve për veprën penale dhënie e ryshfetit”.
Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përshendet aksionin e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe organeve tjera shtetërore.
Në një komunikatë për media të Zyrës e Kryeministrit thuhet se “duke mos dashur që të ndikojë në asnjë formë në punën e organeve kompetente kushtetuese dhe ligjore, Qeveria e Kosovës vlerëson se këto veprime ligjore janë dëshmi e përkushtimit të pakompromis të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”
Qeveria e Kosovës, thuhet ndër të tjera në komunikatë, konsideron se veprimet e ndërmarra nga Inspektorati Policor dhe organet tjera shtetërore ndaj zyrtarëve të Policisë nuk e zbehin besimin e qytetarëve te Policia, përkundrazi dëshmojnë profesionalizmin dhe përkushtimin e plotë të saj për luftimin e dukurive negative dhe ruajtjen e integritetit të Policisë së Kosovës.

Aksion i Policisë në Kosovë, ndalohen zyrtarë të policisë

Një operacion në shkallë të gjerë i Policisë së Kosovës, që ka ndaluar një numër të zyrtarëve të policisë, është shtrirë në disa rajone të Kosovës, ka bërë të ditur Inspektorati i Policisë.
Një numër i policëve në rajonin e Mitrovicës, në veri dhe jug të vendit, janë ndaluar dhe po merren në pyetje për, siç thuhet, “dyshime për shpërdorim të detyrës zyrtare”.
Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë ndalimin e policëve të Kosovës dhe ka shtuar se i “mbetet prokurorit të shtetit të vendos për masat e mëtejme ndaj zyrtarëve policorë”.
“Janë disa zyrtarë policorë të cilët janë ndaluar. [Janë] të disa drejtorive rajonale dhe jo vetëm nga veriu dhe jugu i Mitrovicës”, tha Beka, por nuk ka saktësuar numrin e policëve të ndaluar.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka bërë të ditur përmes një komunikate se “pas një hetimi disa mujor po zhvillon një operacion të gjerë lidhur me këtë hetim”. Inspektorati ka njoftuar se në kuadër të këtij hetimi të ndaluarit janë ftuar për intervistim.

Artikulli paraprakVuçiç: Avionë lufte nga Rusia
Artikulli tjetërRama e pranon, 66% e pensionistëve nuk paguajnë dot rritjen e çmimit të energjisë