“Qyteza” gjigante e Juventusit

Katër fusha gjigante, zyra, hotele, shkollë, qendër shëndetësore, palestër, pishinë… të gjitha në një vend. Është qendra e re stërvitore e Juventusit, që po ndërtohet vetëm 500 metra larg stadiumit bardhezi. “Qyteza” gjigante dalëngadalë po merr formë dhe pritet të jetë gati brenda fundit të vitit të ardhshëm. Përveç skuadrave të të vegjëlve, një rëndësi e veçantë i është kushtuar skuadrës B, projekt për të cilin klubi torinez vazhdimisht ka nxitur federatën italiane të futbollit.
E ndërsa kampionati i ekipeve të dyta pritet të bëhet realitet brenda 2-3 sezoneve të ardhshme, Juventusi po përgatit terrenin, duke krijuar mjedise të veçanta për kampionët e së ardhmes, pa u përzier në punën e tyre nga ekipi i parë, por duke shkelur të njëjtën tokë e thithur të njëjtën ajër si kampionët e mëdhenj.
E pagëzuar me inicialet JTC (Juventus Training Center), qendra ultramoderne do të ketë terrene stërvitore për të gjitha ekipet, zyrat e stafit teknik dhe mjekësor, salla për të parë video, qendra masazhi e terapie si dhe një pishinë që do të shërbejë jo vetëm për kryerjen e ushtrimeve tipike rehabilituese, por edhe për stërvitje në ujë.
Në palestrën me pajisjet më të fundit do të vendoset një faqe gjigante xhami që sheh direkt nga “Juventus Stadium”, aty ku ëndrrat e shumë lojtarëve aktualë e të ardhshëm pritet të bëhen realitet…

Artikulli paraprakBeckenbauer sërish në telashe për miliona euro
Artikulli tjetërMisteri i merkatos