Qeveria teknike, teknokracia përgjigje për krizën

Eleni QIRICI

Teknokracia është sistemi qeverisës dhe administrativ, i cili bazohet në autoritetin e dorëzuar tek teknicienë profesionistë, një formë qeverisëse e zbatuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që pas Luftës së Parë Botërore.
Është një formë qeverisjeje që bazohet në besimin e plotë se, progresi apo përparimi i aftësive/veçorive profesionale në të gjithë sektorët jetikë të vendit, shkencës dhe teknologjisë, bën që sistemi aktual i instaluar politik – shoqëror – ekonomik qeverisës të konsiderohet i vjetëruar. Në rastin tonë, ndoshta edhe i degraduar në disa drejtime specifike.
Teknokracia pra është në thelb një sistem politik dhe ekonomik që bazohet në aplikimin e drejtë dhe pa devijime të ligjit, mes profesionalizmit, ekspertizës dhe formës kategorike në vendimmarrje, udhëhequr nga qëllimi i ligjit dhe jo nga pasojat që sjell zbatimi i tij.
Është pra një sistem qeverisës politik apo ekonomik, në të cilin vendimet merren nga specialistë, profesionistë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre, duke qenë të bazuar kryesisht mbi të dhënat korrente dhe mbi objektivat e vendosur me konsensus politik, mes një marrëveshje me pëlqimin e të gjitha palëve, duke marrë më pak parasysh faktorin njeri.
Teknokraci do të thotë qeverisje mes vetive dhe aftësive profesionale, në një kuadër strikt formash, rregullash, veprimesh, ndërhyrjesh, në ndryshim nga qeverisja mes koncepteve, pikëpamjeve, si për shembull:
– Diktatura (qeverisja mes pikëpamjeve të një individi);
– Aristokracia (qeverisja mes pikëpamjeve të klasës më të lartë);
– Plutokracia (qeverisja mes pikëpamjeve të më të pasurve); apo
– Demokracia (qeverisja mes pikëpamjeve të të gjithëve).
Demokracia, ndonëse është sistemi më i shumëpranuar, më i pëlqyeri dhe i votuari, më humani dhe progresivi, në momente të caktuara na vërteton se është sistem i cënueshëm. Teksa përballemi me një fenomen të tillë, një prej formave që rehabiliton sistemin, është krijimi i Qeverisë teknike.
Jemi në rastin tipik, Demokracia sot në Shqipëri është e cënuar. Demokracia është e mbërthyer nga një krizë e thellë politike, sociale dhe ekonomike, ndaj dhe ka të nevojshme më shumë se kurrë, krijimin e një Qeverie teknike, drejtimin mes saj, për një periudhë të caktuar kohore, në shërbim të rikthimit në mirëfunksionim të demokracisë së cënuar, deri dhe në rrezik legjitimiteti, me pasoja mbi banorët e këtij vendi, si dhe mbi vetë shtetin.
Një vend i kapur, pushtuar, mbërthyer, ndoshta në rrezik zaptimi nga ekonomia e nëndheshme e bazuar tek:
*narko-kultivimi dhe narko trafiku;
*konçesionet e pakontrolluara, të pastudiura përsa i përket vazhdimësisë, qëndrueshmërisë, efektivitetit dhe efiçiencës së tyre, që duhet të kenë objektiv fundor, jo thjesht dhe vetëm fitimet e konçensionarit, por duhet të kenë objektiv përfitimet direkte dhe indirekte që burojnë prej tyre tek nënshtetasit shqiptarë dhe vetë shtetit shqiptar;
*korrupsioni në administratën publike që ndikon direkt në të ardhurat e çdo nënshtetasi shqiptar dhe përkeqësimin e nivelit të jetesës së çdokujt dhe,
*kriminalizimi i ligjvënësit dhe ligjzbatuesit,
janë sirena e alarmit për çdo politikan të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, për t’i mëshuar faktit të krijimit sa më shpejt të një Qeverie teknike.
Qeveria teknike nuk është momenti i shpëtimit, por i kthesës përfundimtare për të zhbërë keqfunksionimin e sistemit dhe fillimin e instalimit të mirëfunksionimit të mekanizmit “shtet” në drejtim vertikal dhe horizontal të hierarkisë së pushteteve të ndërvarur, mes ekspertizës dhe profesionalizmit, me busull ligjin ekzistues dhe zbatimin e tij rigoroz për këdo, për kudo, për çfarëdo, gjatë gjithë kohës.
Shqipëria sot, mendoj se nuk ka nevojë për zgjedhje më shumë, sesa ka nevojë për Qeveri teknike.
Ia vlen të bëjmë zgjedhje nën pushtetin dhe hijen e narkotrafikut fillimisht? Apo ia vlen të krijojmë një Qeveri teknike që do i vendosë barrierë narkotrafikut për të mos ndërhyrë në proçesin zgjedhor, duke i blerë, duke i tjetërsuar, duke i cënuar zgjedhjet?
Ia vlen të bëjmë zgjedhje nën pushtetin e të kriminalizuarve në ligjvënës dhe në ligjzbatues fillimisht? Apo ia vlen të krijojmë një Qeveri teknike që do i çojë para ligjit të gjithë ata që janë subjekt dhe objekt i ligjit të dekriminalizimit?
Ia vlen të bëjmë zgjedhje monopartiake pa opozitën? Apo ia vlen që mes një Qeverie teknike të sigurojnë zgjedhje pranë, ndoshta shumë pranë standardeve europiane?
Ne të gjithë e kemi një përgjigje.
Qeveria teknike – Teknokracia përgjigje për krizën.

Artikulli paraprakRepublika e kukullave
Artikulli tjetërFaqja e pare