Republika e kukullave

Lulzim Basha

Ekonomia shqiptare është shkatërruar nga një qeveri e lidhur me krimin dhe nga pushtetarë të korruptuar kokë e këmbë.
Sepse gjendja ekonomike e vendit para së gjithash është rezultat i një komploti të madh kundër qytetarëve shqiptarë.
Republika e vjetër është komploti më i madh kundër qytetarëve shqiptarë në 100 vitet e fundit. Është republika e maskave, republika e kukullave që bëjnë teatër nga mëngjesi në darkë në mënyrë që të vjedhin, të zhvasin nga xhepat e pasuritë e shqiptarëve, nga mëngjesi deri në darkë.
Republika e vjetër është një komplot kundër çdo qytetari i ri apo i moshuar, me shkollë të lartë apo me arsim të mesëm, i punësuar, i papunë apo biznesmen i ndershëm. Republika e vjetër, mos harroni, është një komplot kundër gjithsecilit prej jush, kundër ju të gjithëve bashkë, kundër popullit shqiptar!
Por para se të jetë një komplot politik, republika e vjetër është një komplot ekonomik.
Si mundet ndryshe të mbahet në pushtet një klikë, një grusht njerëzish që rrit taksat, që me paratë e taksave të rritura nuk bën asnjë investim që ndihmon ekonominë, nuk hap asnjë vend të ri pune. Por për shkak të taksave të rritura mbyll qindra mijëra biznese, 27 mijë për të qenë të saktë vetëm në një vit – sikur të marrim nga 1 të punësuar, 27 mijë familje shqiptare vetëm në një vit kanë humbur të ardhurat si rezultat i komplotit ekonomik – i taksave të larta të republikës së vjetër dhe qeverisë së inkriminuar të Edi Ramës.
Asnjë vend të ri pune, rritje pagash zero dhe në fakt me pseudorritjen e premtuar nuk shlyhet as 1/3 e efektit gërryes të inflacionit, pra të rritjes së çmimeve që ulin fuqinë blerëse të shqiptarëve, qofshin të punësuar në sektorin publik, qofshin të vetëpunësuar apo punësuar në sektorin privat.
Vende pune jo. Investime ekonomike që rrisin ekonominë jo. Rritje pagash dhe pensionesh jo.
Vetëm rritje taksash dhe rritje të kostove kryesore të ekonomisë, siç është nafta, siç është energjia elektrike, siç është uji i pijshëm, siç janë çmimet bazë të shportës dhe ushqimeve të shportës.
Ky është komploti ekonomik që drejtohet kundër çdo babai dhe kundër çdo nëne, kundër çdo fëmije shqiptar, kundër çdo të moshuari dhe çdo të moshuare.
Sepse, me paratë e taksave të rritura, me paratë e çmimit të rritur të naftës dhe të energjisë elektrike, me të vërtetë.
Nuk bëhen investime që t’ju ndihmojnë ju dhe përmirësojnë jetën tuaj;
Nuk financohet shëndetësia që të jetë më e gatshme, më e aftë, më e përgatitur dhe më e mirëpajisur për të ndihmuar pacientët tanë dhe familjarët e tyre;
Nuk ndihmohet rinia, e cila sot nuk paguan më pak, por paguan më shumë për t’u futur në universitete;
Nuk ndihmohen pensionistët, të cilët me pensionin e sotëm blejnë më pak se para 4 vitesh;
Me të vërtetë nuk ndihmohet askush nga qytetarët e thjeshtë;
Por ju e dini, pasurohen në mënyrë marramendëse një grusht njerëzish, të cilët janë një grusht pushtetarësh, një grusht oligarkësh, një grusht pronarësh mediash që kanë për detyrë të shfaqin teatrin e kukullave nga mëngjesi deri në darkë dhe një grusht kriminelësh të lidhur me ta. Kjo është kupola e republikës së vjetër. Kjo është qeveria e krimit dhe korrupsionit.
Biznesi i vogël, sipërmarrja e vogël dhe e mesme është shtylla, kolona kurrizore e ekonomisë shqiptare. Mbi 80% e prodhimit shqiptar, e atij që e quajmë Prodhimi i Brendshëm Bruto, vjen si rezultat i biznesit të vogël, i sipërmarrjes së vogël dhe natyrisht i fermave dhe i fermerëve shqiptarë.
Është pra, jo vetëm kolona e ekonomisë shqiptare, por dhe kolona e punësimit të shqiptarëve, kolonë e burimit të të ardhurave, të rrogave. Pra, kolonë e mirëqenies, sigurisht në kushtet normale të një ekonomie normale dhe të një shteti funksional. Sot, biznesi i vogël është në ditën e tij më të zezë dhe këtë ju e dëgjuat dhe e dini vetë. Sepse shumë prej jush jeni marrë apo merreni apo keni të afërm, miq të njohur kushërinj komshinj, të cilët nuk e fshehin dot më gjendjen e mjeruar të sipërmarrjes së vogël apo të mesme, gjendjen e mjeruar të sipërmarrjes shqiptare në tërësi.
Gjendja e sipërmarrjes është e lidhur drejtpërdrejt me gjendjen e ekonomisë, pra me gjendjen ekonomike të qytetarëve shqiptarë.
Sa më mirë sipërmarrja, aq më mirë ekonomia, aq më shumë vende pune ka, aq më mirë paguhen të punësuarit. Aq më mirë konkurrojnë mallrat, shërbimet, me cilësi dhe me çmime. Sa më keq sipërmarrja, sa më e keqe klima e biznesit, aq më keq ekonomia, aq më pak vende pune hapen, në fakt, vendet e punës mbyllen dhe vendet ekzistuese të punës nuk kanë asnjë siguri për nesër.
Pagat mbeten në vendnumëro, që do të thotë se në kushtet e inflacionit, fuqia e shqiptarëve bie.
Ky është realiteti që ju e njihni fare mirë, përfaqësues të biznesit dhe të sipërmarrjes folën këtu dhe ata që vijnë e flasin në këtë çadër, të lirë e pa frikë, përfaqësojnë në fakt realitetin e qindra mijëra sipërmarrësve dhe të punësuarve anembanë Shqipërisë.
Nuk dua të ndalem gjatë me ekspozimin e një të vërtete, e njeh, e sheh çdokush, e provon në lëkurë, çdokush me përjashtim të atij që fshihet prapa fasadës së pushtetit të korruptuar e të inkriminuar.

Artikulli paraprakSKANDALI/ Si po vihet nën kontroll politik AMF
Artikulli tjetërQeveria teknike, teknokracia përgjigje për krizën