Qeveria Rama, 9.4 milionë euro dëme me by passin e Vlorës

Vonesat në ndërtimin e by passit të Vlorës i kanë sjellë deri tani shtetit shqiptar, një dëm të konsiderueshëm që kap shifrën e 9.4 milionë eurove. Të dhënat kanë dalë nga raporti i auditit i KLSH. Sipas kësaj të fundit, shkak për këtë dëm kolosal është bërë mosrespektimi i afateve. Enkeleda Pulushi, audituese e KLSH sqaroi dhe detajet e shkeljeve të kushteve të kontratës që sollën edhe dëmin kolosal ekonomik për buxhetin e shtetit. “Dëmi ekonomik i konstatuar është në vlerën 9.4 mln euro, e ndarë kjo nga ndryshimet në kushtet e kontratës, specifikimet teknike, termat e referencës, në vlerën 4.8 mln, nga vonesa e punimeve në vlerën totale 4.2 mln euro, nga volume punimesh të paguara tepër 333 mijë euro, nga mosmbajtja e tatimit mbi të ardhurat, në vlerën 92 mijë euro”, tha Pulushi. Nga auditimi për by pass-in e Vlorës u konstatua se progresi i punimeve ka ecur me ritme shumë të ulëta. Situatën e dëshmojnë dhe shifrat e realizimit, ku realizimi fizik është në masën 5.6%, realizimi financiar në masën 14% dhe realizimi kohor në masën 60%, pra tregues, të cilët janë në përpjesëtim të zhdrejtë me njëri-tjetrin, dhe për rrjedhojë ka rritur riskun e mospërfundimit të tij (projektit) brenda afatit të përcaktuar. Deri tani projekti për by pass-in e Vlorës ka avancuar në 60% të punimeve, ndërkohë që kontrata parashikon përfundimin e tyre në qershor të këtij viti. KLSH pohon se janë shkelur dhe afatet e kontratës. “Nga auditimi i kryer është konstatuar se ky afat nuk është përmbushur. Madje deri në fund të muajit gusht 2016, realizimi kohor vetëm për punime është në masën 117% dhe është kryer vetëm 50%. Realizimi kohor për punimet është në masën 60%, janë kryer vetëm 5.6 për qind e tyre”, u shpreh zyrtarja e lartë e KLSH. Projekti për ndërtimin e by pass-it të Vlorës, financohet nga BE me një vlerë prej 1.7 milionë euro. By pass-i i Vlorës lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë. Në janar, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori për “shpërdorim detyre” përgjegjësen e sektorit të zhvillimit të projekteve të huaja dhe të brendshme në ARRSH për projektin e by pass-it të Fierit dhe Vlorës, i vonuar prej tre vjetësh dhe i papërfunduar ende. Sipas KLSH, nga mosrealizimi i këtij projekti në kohë, dëmi ekonomik që i shkaktohet shtetit është mbi 9.4 milionë euro dhe me efekt negativ për buxhetin e shtetit në shumën 835 mijë euro. “Gjatë auditimit u konstatuan disa shkelje dhe parregullsi në lidhje me përcaktimet e bëra në kontratat e konsulencës, si dhe ato të punimeve civile, për sa i përket kryerjes së pagesave për punime të parealizuara, ndryshime të projektit të shoqëruara me rritje fiktive të çmimeve për zëra të ndryshëm punimesh”, thekson KLSH-ja në padinë e saj. Po sipas KLSH, të gjitha shkeljet janë kryer me qëllimin e favorizimit të kontraktonit duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit.

Artikulli paraprakKërcënimi i Unionit: Do të ndalim furnizimin me naftë
Artikulli tjetërKredia rikthehet në krizë