Kredia rikthehet në krizë

Kredia për ekonominë është rikthyer në krizë duke u tkurrur me 8 miliardë lekë ose rreth 60 milionë euro në vetëm dy muaj. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të janarit, kredia për ekonominë zbriti në 545.2 miliardë lekë nga 553.2 që ishte në muajin nëntor të vitit të kaluar. Sipas shifrave të Bankës Qendrore, e gjithë rënia i dedikohet tkurrjes së kredive të biznesit. Nga 348 miliardë lekë që ishte në nëntor, kredia për sipërmarrjet zbriti në 340 miliardë lekë në fund të janarit duke konfirmuar marrëdhëniet e tensionuara mes bankave dhe biznesit. Bankat ngurrojnë të japin kredi të reja për biznesin, pasi i druhen moskthimit të tyre. Në vetëm dy vjet stoku i kredisë për bizneset ka rënë me 28 miliardë lekë ose mbi 208 milionë euro. Një pjesë e kësaj rënie është e lidhur me fshirjen e borxheve të këqija. Veçanërisht dy vitet e fundit bankat kanë fshirë shuma të mëdha kredish të pashlyera, të cilat në pjesën më të madhe i përkasin bizneseve. Por veç fshirjeve, bankat kanë stopuar kreditë e reja. Kredia është instrumenti kryesor përmes të cilit bizneset financojnë zgjerimin e tyre dhe investimet e reja. Rrudhja me mbi 208 milionë euro gjatë dy viteve të fundit sinjalizon se ndërmarrjet jo vetëm nuk kanë investuar në projekte të reja, por fitimet i kanë çuar për të shlyer mbrapsht borxhet.

Artikulli paraprakQeveria Rama, 9.4 milionë euro dëme me by passin e Vlorës
Artikulli tjetërA na duhet union ballkanik sipas Serbisë?