Kërcënimi i Unionit: Do të ndalim furnizimin me naftë

Unioni i Shoqërive Hidrokarbure shqiptare i ka dërguar dje një shkresë zyrtare ministrit të Energjisë, z. Damian Gjiknuri dhe për dijeni kryeministrit dhe Ministrive të Ekonomisë, Transporteve e Financave, ku kundërshtojnë prerazi rivendosjen e tarifave të larta për licencimin e pikave të gazit e karburantit prej 3 milionë lekësh për kryeqytetin dhe 1 milion lekë për rrethet e tjera. Sipas shkresës, “niveli i licencimit në këtë masë për ne është shumë e lartë, arbitrar, i paarsyeshëm, si dhe i paargumentuar. Tarifa që ju kërkoni të miratoni nuk është e mbështetur në ndonjë studim paraprak, është e pajustifikuar, nuk përcakton shërbimin që do të ofrohet kundrejt kësaj pagese etj”. Unioni ankohet se po veprohet në linjë të kundërt me nismën e qeverisë shqiptare për konsultim publik dhe të gjerë të ligjeve dhe akteve nënligjore.
Ata kanë paralajmëruar në këtë shkresë se nëse do të miratohet VKM-ja, kjo do të sjellë probleme në funksionimin e tregut të hidrokarbureve duke mos përjashtuar edhe mbylljen/pezullimin e shitjes së karburanteve deri në marrjen parasysh të mendimeve të shoqatës dhe pasqyrimin e tyre në VKM.
Në dhjetor të vitit 2015, Këshilli i Ministrave vendosi në mënyrë të papritur dhe pa u diskutuar me grupet e interesit, të shumëfishojë pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë për Bashkinë e Tiranës dhe 2 milionë lekë për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë.
Pasi vendimi u çua në Kushtetuese, më 2 nëntor 2016, Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e grupeve të interesit, duke vendosur shfuqizimin e pikës 9 të kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.
Tashmë, Ministria e Industrisë po tenton ta rivendosë atë në nivelet 3 milionë lekë për Tiranën dhe 1 milion lekë në rrethe. Miratimi i tarifës bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa të ardhurat prej saj i shkojnë bashkive përkatëse.
Nëse miratohet kjo tarifë, efekti i saj, do të transmetohet direkt te konsumatorët fundorë, përmes rritjes së çmimit të karburanteve, me 3-5 lekë litër.
Tarifat e mëparshme, që u pezulluan nga Kushtetuesja, u llogaritën nga shoqëritë hidrokarbure, të kishin një efekt prej 5-7 lekë për litër dhe që u reflektua në mesin e vitit të kaluar, por që u amortizua më pas nga mosndryshimi i çmimit në dhjetor, kur në bursa nafta kërceu mbi 50 dollarë për fuçi.

Më poshtë letra e plotë

“Në vijim të takimit të datës 27 shkurt 2017 në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë me z. Dritan Spahiu, drejtor i Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve po ju drejtohemi me kërkesën e mëposhtme në lidhje me amendimin/përcaktimin e nivelit të ri të tarifës së licencimit të tregtimit me pakicë. Rikujtojmë që niveli i tarifës së licencimit i përcaktuar në pikën 9 të kreut II të VKM Nr. 970, datë 02.12.2015 ‘Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj’ u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me Vendimin Nr. 86, datë 30.12.2016.
Fillimisht shprehim keqardhjen tonë për mungesën e bashkive kryesore në takim në mënyrë që të sqarohej se çfarë shërbimesh do të japë pushteti vendor në këmbim të rritjes së pagesës, argumentimi i nivelit të tarifës (3 000 000 lekë për Bashkinë e Tiranës, si dhe 1 000 000 lekë për bashkitë e tjera), konsultimin me grupet e interesit që lobojnë për mbrojtjen e interesave të biznesit në mëyrë që të gjitha palët të komentojnë dhe shqyrtojnë thelbin e kësaj tarife që kërkojnë të aplikohet dhe rrjedhojat që ajo sjell në biznes.
Ju vëmë në dijeni se të gjithë anëtarët e të dyja shoqatave kryejnë veprimtari në tregun e hidrokarbureve duke përfshirë veprimtarinë e prodhimit, eksportimit, importimit, shpërndarjes, transportit, shitjes me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve dhe për këtë arsye konsiderohemi si ‘grupe interesi’ sipas përcaktimeve qoftë të Ligjit 146/2014 ‘Për njoftimin dhe konsultimin publik’, si dhe Ligjit 119/2014 ‘Për të drejtën e informimit’.
Gjatë takimit u informuam nga z. Spahiu se VKM 970/2015 i janë bërë disa amendime ku një prej tyre është përcaktimi i pagesës për pushtetin vendor si vijon: Pagesa për dhënien e licencës në vlerën 3 000 000 (tre milionë) lekë për Bashkinë e Tiranës, si dhe 1 000 000 (një milion) lekë për bashkitë e tjera. Niveli i licencimit në këtë masë për ne është shumë i lartë, arbitrar, i paarsyeshëm, si dhe i paargumentuar. Tarifa që ju kërkoni të miratoni nuk është i mbështetur në ndonjë studim paraprak, është e pajustifikuar, nuk përcakton shërbimin që do të ofrohet kundrejt kësaj pagese etj.
Ne do ta konsiderojmë si jo të përshtatshme dhe në kundërshtim dhe me nismën e qeverisë shqiptare për konsultim publik dhe të gjerë të ligjeve dhe akteve nënligjore faktin nëse nuk merren parasysh mendimet e shoqatave për nivelin e tarifës së licencimit. Ne besojmë se konsultimi me palët e interesuara nuk është thjesht një vlerë e shtuar në procesin ligjbërës, por edhe një parakusht për një proces të vendimmarrjes demokratike dhe të përgjegjshme.
Kërkesa jonë vjen si rrjedhojë e shqetësimit të ngritur nga operatorët e tregut në lidhje me nivelin e licencimit, pasi parë në këndvështrimin tonë miratimi i VKM-së do të sjellë probleme në funksionimin e tregut të hidrokarbureve duke mos përjashtuar edhe mbylljen/pezullimin e shitjes së karburanteve deri në marrjen parasysh të mendimeve të shoqatës dhe pasqyrimin e tyre në VKM.
Për sa më sipër, ju kërkojmë që të na organizojnë një takim me Ju, stafin tuaj dhe bashkitë kryesore në mënyrë që të diskutojmë mbi përcaktimin e nivelit të ri të tarifës së licencimit të tregtimit me pakicë.
Duke besuar se do ta merrni parasysh plotësimin e kësaj kërkese në një kohë sa më të shpejtë. Ju falënderojmë dhe ju vëmë në dijeni se mbetemi në pritje të përgjigjes tuaj”.

Gjykata, e cilësoi rritjen e tarifës antikushtetues

Përfaqësuesit e hidrokarbureve e kanë kundërshtuar kategorikisht këtë propozim të ri. Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese, me vendimin 86 30.12.2016 e ka quajtur antikushtetues VKM 970 2.12.2015, me anë të të cilit u shumëfishua tarifa e rimarrjes së lejes së tregtimit. Kjo VKM e dhjetorit 2015 rriti tarifën me 50-fish për Bashkinë e Tiranë dhe 20-fish për bashkitë e tjera. Gjykata argumentoi se ky veprim është abuziv, tejkalon të drejtën që ligjvënësi i ka dhënë qeverisë dhe kjo është jo proporcionale, pasi kjo tarifë paguhet karshi shërbimit që merr.
Burime nga shoqata thanë se kjo nuk është një taksë, por është tarifë shërbimi dhe qeveria nuk ka argumentuar dot në mënyrë proporcionale se çfarë shpenzon më tepër, që në mënyrë proporcionale të arsyetojë rritjen. Gjithashtu gjykata ka cilësuar shkeljen e sigurisë juridike pasi pronarët e pikave e kanë fituar të drejtën e tregtimit, sipas tarifave të 170 25.4.2002, që janë vetëm 100 mijë lekë.
Kjo taksë përcaktohet me vendim nga Këshilli i Ministrave, por të ardhurat që vijnë prej saj përdoren nga bashkitë, ku ajo e Tiranës është përfituesja më e madhe, për shkak të nivelit të lartë, por edhe përqendrimit të pikave në zonën rreth kryeqytetit.
Nga operatorët e fushës ishte kërkuar që përfaqësuesit e bashkive sidomos asaj të Tiranës të ishin në takim që të argumentonin arsyen se pse propozohet, rritja që tashmë arrin në 30 dhe 10 herë. Edhe pse ishte njoftuar ardhja e tyre, në takim ishte i pranishëm vetëm një përfaqësues i Bashkisë Fier, i cili e pranoi që bashkia nuk ka pasur rritje të kostove për pajisjen e pikave të karburanteve me leje tregtare.

Artikulli paraprakNgec huaja tek ekonomia
Artikulli tjetërQeveria Rama, 9.4 milionë euro dëme me by passin e Vlorës