Qeveria miraton projekt-buxhetin 2024/ Reagon deputeti i PD-së, Arbi Agalliu

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, ka reaguar për miratimin e projekt-buxhetit të vitit 2024.

Sipas deputetit demokrat, planifikimi i shpenzimeve publike reflekton rritjen e abuzimeve dhe nivelin e lartë të korrupsionit në administratën publike.

Reagim i plotë i deputetit Agalliu:

Qeveria njofton miratimin e projektbuxhetit për vitin 2024.

Kur dëgjon se do të vendoset një nivel i ri lidhur me planifikimin e shpenzimeve publike që tejkalon 7 miliard euro më shumë sesa pritshmëria për impaktin në ekonomi, mendja shkon në rritjen e abuzueshmërisë nisur nga niveli i korrupsionit në administratën publike.

Sipas qeverisë, projektbuxheti mbështet zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale. Por si mund të ndodhë kjo kur nuk kemi strategji kombëtare të qartë të zhvillimit ekomonik të vendit. Nuk kemi të përcaktuar qartë modelin ekonomik që duhet të ndjekim.

Nuk kemi te përcaktuar qartë cilat janë avantazhet konkuruese të ekonomisë shqiptare.

Si mund të flasësh për nxitje në punësim kur të rinjtë ikin nga ky vend, sepse jo vetëm shohin nivel të lartë korrupsioni por mbi të gjitha shohin mungesë shprese.

Si mund të flasim për politika sociale kur nuk kemi vendosur ende minimumin jetik.

Si mund të flasim për indeksim të pensioneve kur duhet rritje e ndjeshme e tyre, duke marrë parasysh se pensionistët janë shtresa më e pamundur e shoqërisë sonë.

Shumë pak para për arsimin duke vijuar ende ta lënë në nivele qesharake. Shume pak para edhe për mjekësinë, megjithëse mjekët e infermierët largohen çdo ditë e më shumë.

Asnjë fjalë nuk u tha për ish-pronarët dhe të përndjekurit politik, të cilët edhe sot e kësaj dite vijojnë të mos marrin atë cka meritojnë.

Bara fiskale e lartë dhe taksimi i profesioneve të lira do të vijojë të godasë shtresën e mesme.

Ndaj ky projekt buxhet në pamje të parë të jep përshtyjen e shpërndarjes sipas nevojave klienteliste të qeverisë e jo të shqiptarëve. Ky projekt buxhet, deri me tani, nuk mbështet një model ekonomik por mbështet interesa të caktuara jo në funksion të rritjes ekonomike të qëndrueshme.

Artikulli paraprakParkimet e gabuara, gjobiten zyrtarët e Ministrisë së Brendshme në kryeqytet
Artikulli tjetërBooking: Nga 1 Nëntori, ata që japin apartamente me qira duhet të deklarojnë NIPT-in, ndryshe do paguajnë 20% TVSH mbi komisionin