Qeveria ka falimentuar, 245 miliardë lekë fatura të papaguara bizneseve, reagimi i FMN

Qeveria qendrore dhe pushteti vendor kishte në shtator të vitit të kaluar afro 24.5 miliardë lekë (ose 245 miliardë lekë të vjetra) fatura të papaguara, veçanërisht në formën e TVSH-së së parimbursuar dhe punimeve ndërtimore në rrugë që kanë mbetur të papaguara, thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar këshilloi qeverinë shqiptare të shlyejë pa vonesë rreth 24.5 miliardë lekë fatura të prapambetura, të cilat janë akumuluar përgjatë tre viteve të fundit, duke paralajmëruar se këto fatura përbëjnë një borxh të fshehtë në masën 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe duhet të llogariten si të tilla.
Fondi publikoi raportin vjetor për Shqipërinë të hënën më 28 janar ku theksohet se borxhi publik i vendit pritet të reduktohet, sipas vlerësimit të FMN, me normë më të ulët se sa parashikimet e qeverisë ndërsa ngrihen shqetësime për ndryshimet e panumërta fiskale, të cilat e gjejnë taksapaguesin të papërgatitur.
“Vonesat në shlyerjen e shpenzimeve buxhetore – më së shumti të lidhura me rimbursimet e TVSH-së, pagesat e qeverisë qendrore për ndërtimin e rrugëve dhe [faturat e papaguara] të qeverisjes qendrore – përbëjnë një problem të vjetër për Shqipërinë,” thuhet në raport, ku theksohet se ky problem minon besimin te administrata fiskale dhe qeverisja më në përgjithësi.
FMN vlerëson se problemi është tregues i dobësive në parashikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe menaxhimit të keshit, ndërsa shënjestron më vete si problematike Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Sipas vlerësimeve të publikuara në raport, 11.3 miliardë lekë janë kërkesat për rimbursim TVSH-je të paplotësuara nga administrata tatimore, 7.1 miliardë janë faturat e pashlyera të qeverisjes vendore dhe 6.1 miliardë lekë janë shpenzimet e tjera të papaguara.
Qeveria shqiptare është nga të paktat vende në planet që i mbajnë llogaritë e buxhetit mbi bazë keshi. Kjo do të thotë se një e ardhur regjistrohet si e ardhur vetëm kur ajo paguhet dhe jo kur detyrimi lind, fjala vjen, lëshohet fatura e detyrimit fiskal, ndërsa një shpenzim llogaritet si shpenzim vetëm kur fatura shlyhet dhe jo kur kontrata për këtë shpenzim planifikohet dhe nënshkruhet.

Për rrjedhojë, kur të ardhurat në buxhet nuk mjaftojnë për të shlyer detyrimet, shteti thjeshtë refuzon të shlyejë faturat e detyrimeve që ka marrë.
Në rastin më ekstrem, në vitin 2013, qeveria e kohës nënshkroi kontrata të pambuluara me para për ndërtimin e rrugëve, të cilat krijuan një borxh të fshehtë në masën 4.8% të PBB-së. Këto fatura të pambuluara u transformuan në problem të gjithanshëm për ekonominë, pasi kompanitë që nuk kishin marrë pagesat efektivisht nuk kishin mundësi të shlyenin detyrimet e tyre ndaj furnitorëve, autoriteteve fiskale apo bankave, duke krijuar një zinxhir borxhesh. Qeveria që pasoi rriti borxhin publik dhe shleu faturat e prapambetura, të cilat në vitin 2015, ranë në 0.2% të PBB-së. Por sapo llogaritë u pastruan, qeveria u rikthye në stilin e vjetër, vetëm se këtë herë, jo përmes mosshlyerjes së faturave të rrugëve por më së shumti përmes refuzimit të pagesave për TVSh të rimbursueshme.
FMN ia dedikon problemin e vazhdueshëm faktit që qeveritë shqiptare në mënyrë të përsëritur bëjnë parashikime tepër optimiste për të ardhurat e qeverisë dhe për rrjedhojë planifikojnë shpenzime po kaq optimiste dhe në mënyrë të përsëritur, optimizmi del i pabazë, të ardhurat janë më të ulëta se sa plani dhe faturat e papaguara rriten.
Rasti më i fundit, parashikimi për të ardhurat e qeverisë në vitin 2019 është 486.7 miliardë lekë, me një rritje prej 4.7% në krahasim me të ardhurat që priteshin të realizoheshin në vitin 2018. Ky duket një parashikim realist nëse merret parasysh rritja ekonomike nominale prej rreth 6% plus taksat shtesë mbi cigaret që u vendosën nga 1 janari i këtij viti. Problemi është se të ardhurat faktike të vitit 2018 ishin 449 miliardë lekë ose rreth 12 miliardë më pak se sa plani. Për rrjedhojë, që të ardhurat e vitit 2019 të realizohen, ato do të duhet të rriten me 8.3% në krahasim me të ardhurat faktike të vitit të kaluar, gjë që është e pamundur. Për rrjedhojë, për sa kohë qeveria nuk anulon shpenzime të mëdha në rendin e 100 milionë eurove, faturat e papaguara ka gjasa do të shtohen.
BIRN

Artikulli paraprak“Karagjozë me mandat Kushtetues! Të fala reformës në (zh)drejtësi”!
Artikulli tjetërEdhe ujërat termale me koncesion, banorët e Dibrës në protestë!