“Ç’është populizmi?”

Nga Namir Lapardhaja

Në librin e tij “Ç’është populizmi?” historiani dhe filozofi gjerman Jan-Werner Müller shpjegon arsyen e joshjes nga populizmi, duke vënë theksin tek “premtimet e papërmbushura të demokracisë”, të cilat, në shoqërinë tonë, siç shprehet ai, “thjesht nuk mund të përmbushen”.

Të gjithë populistët në ligjërimin e tyre kanë udhëheqjen e popullit.

Mirëpo, a nënkupton demokracia pikërisht të njëjtën gjë me “udhëheqje populli” siç pretendojnë populistët?
Sipas Müller-it, dallimet më të mëdha mes demokracisë dhe populizmit janë sepse e para i jep mundësi shumicës t’i autorizojë përfaqësuesit, veprimet e të cilëve mund të mos përputhen me atë që prisnin ose do të dëshironin shumica e qytetarëve, ndërsa populizmi pretendon se asnjë veprim i qeverisë populiste nuk mund të vihet në dyshim, sepse “populli” kështu e ka përcaktuar.

Nga ana tjetër, demokracia mund t’i pranojë gjykimet e gabuara dhe të kontestuara, duke ndryshuar herë pas here shumicat, gjë që nuk ndodh me populizmin, i cili i imagjinon një etnitet homogjen jashtë të gjitha institucioneve identiteti dhe idetë e të cilit mund të përfaqësohen plotësisht.

Gjithashtu, për demokracinë “populli” mund të shfaqet vetëm në trajtë institucionale dhe në veçanti pranon se një shumicë në Parlament nuk është “populli” dhe nuk mund të flasë në emër të tij, ndërsa populizmi presupozon të kundërtën: është “populli” ai që është mbi gjithçka.

Thelbi i populizmit është se “vetëm një pjesë e popullit është me të vërtetë popullit”, sepse ata besojnë thellësisht në pikëpamjen “për miqtë e mi, gjithçka; për armiqtë e mi, ligji”.

Duke qenë apolitikë, populistët nuk mund të gjenerojnë politika të rregullta dhe të vërteta, sepse populizmi nuk është gjë tjetër vetëm se një shtrembërim i proceseve demokratike.

Së fundmi, karakteristikë tjetër e populistëve është se ata e duan përjetësisht postin dhe pushtetin. Dhe për çdo kënd që e do një gjë të tillë, ekziston mundësia që ligjet dhe rregullat të shërbejnë vetëm si fasadë, sepse pas saj dihet se çfarë mund të ndodhë.

Artikulli paraprakSPAK mësyn në AKSHI për tenderin 16.5 mln euro të laboratorëve, sekuestrohen kompjutera dhe telefona
Artikulli tjetërTeknologjia dhe sfida ndaj banalitetit