Qeveria e re maqedonase kërkon fqinjësi të mirë

Qeveria maqedonase po vlerëson se vetëm përmes ndërtimit të fqinjësisë së mirë dhe përmbushjes së kritereve evropiane do të mund të përshpejtohet procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në mbledhjen e fundit qeveria e Maqedonisë ka miratuar tekstin e Marrëveshjes për Fqinjësi dhe Bashkëpunim me Bullgarinë.
“Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është në pajtim me interesat nacionale të Maqedonisë. Do të nënshkruhet në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën bullgare. Marrëveshja hap perspektiva të mëdha për bashkëpunim edhe për zgjidhjen e jo për krijim të problemeve”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev. Sipas tij nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është pasqyrë e një gjenerate të politikanëve, të cilët ndërtojnë ura dhe zgjasin dorën.
Dokumenti do të ndihmojë për intensifikimin e bashkëpunimit të përgjithshëm mes dy vendeve, shkëmbimi aktual tregtar mes dy vendeve arrin mes 500 dhe 600 milionë euro dhe në të ardhmen pritet të arrijë deri në një miliard euro. Kryeministri Zaev tha edhe se pret që opozita e Maqedonisë ta mbështesë marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Është parashikuar që marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë ta nënshkruajnë kryeministrat e dy vendeve Zoran Zaev dhe Bojko Borisov më 1 gusht në Shkup.

VMRO-DPMNE: Marrëveshja është në dëm të Maqedonisë
Paralajmërimi i nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë shkaktoi reagime të shumta në opinion. VMRO-DPMNE-ja opozitare kërkon nga qeveria transparencë për të gjitha çështjet me interes shtetëror, përfshirë këtu edhe nënshkrimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së kërkon seancë publike dhe urgjente lidhur me paralajmërimin për nënshkrim të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Parlamenti, thotë koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski duhet ta shqyrtojë marrëveshjen dhe të sjellë konkluzione se nëse duhet ose jo të nënshkruhet. Marrëveshja, sipas VMRO-DPMNE-së është e dëmshme për Maqedoninë.

Presidenti Ivanov kërkon elaborim të marrëveshjes
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i bën thirrje qeverisë që ta elaborojë tekstin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë para nënshkrimit të saj.
“Mungesa e transparencës shkaktoi komente negative dhe shqetësim në opinion, i cili duhet të tejkalohet me publikimin e tekstit të marrëveshjes para marrëveshjes së saj. Çdo herë duhet të merren parasysh interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë dhe se çfarëdolloj marrëveshje ndërshtetërore nuk guxon të jetë në dëm të interesave kombëtare të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Artikulli paraprakZidane nuk garanton qëndrimin e BBC
Artikulli tjetërBeteja kundër ISIS, çfarë mund të rrezikohet?