Zidane nuk garanton qëndrimin e BBC

Cristiano Ronaldo, Gareth Bale, Karim Benzema? Trajneri francez, Zinedine Zidane nuk e ka përjashtuar mundësinë që njëri nga tre yjet e skuadrës të largohet nga Real Madridi gjatë kësaj vere.
“A do të luajnë bashkë Bale, Benzema e Cristiano edhe në sezonin e ri? Shpresojmë që BBC të qëndrojë së bashku edhe këtë sezon. Dua të qëndrojnë të gjithë ata që janë këtu, por deri më 31 gusht çdo gjë mund të ndodhë”, ka deklaruar Zidane pas humbjes nga City.
Më herët është spekuluar se Ronaldo mund të largohet gjatë kësaj vere. Kurse, është përfolur se edhe Bale ose Benzema mund të largohen nga Real Madridi, nëse këta të fundit e transferojnë Kylian Mbappe-në nga Monaco.
Gareth Bale mund të rikthehet në Premierligë gjatë kësaj vere. Sipas “The Independent”, Manchester United është gjithnjë e më i sigurt se mund ta transferojë Gareth Bale gjatë kësaj vere nga Real Madridi.
Pas raportimit të mediave se Real Madrid ka arritur marrëveshje me Monacon për transferimin e Kylian Mbappe-së, për 160 milionë funte, ka shtyrë “Djajtë e Kuq” që të insistojnë për transferimin e Bales.
Loc Blancos mund ta shesë Balen gjatë kësaj vere pasi po i duhen para për ta blerë yllin e ri të Francës. Madje, Zinedine Zidane nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Los Blancos të njërin prej sulmuesve kryesorë të skuadrës.
Mesfushori gjerman, Toni Kroos dje pësoi një lëndim në stërvitje, ku u detyrua të largohej nga stërvitja. Pas testeve të kryera, Kroos e ka konfirmuar se lëndimi nuk është serioz, por ka thënë se i duhen disa ditë pushim. “Asgjë serioze. M’i jepni disa ditë”, ka shkruar Kroos në Twitter. Për shkak të këtij lëndimi, Kroos nuk do të luajë në miqësoret kundër Barcelonës dhe yjeve të MLS, për të qenë gati për Superkupën e Evropës ndaj Manchester Unitedit më 8 gusht.

Artikulli paraprakCity shkatërron Realin
Artikulli tjetërQeveria e re maqedonase kërkon fqinjësi të mirë